TIRANË, 16 Tetor/ATSH/-Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare dhe institucione shëndetësore private, do u mundësojë grave dhe vajzave të Tiranës kryerjen falas të ekzaminimit (mamografisë).
Në bashkëpunim me organizatën YWCA dhe spitalin "Hygea", ky shërbim u ështe ofruar sot grave dhe vajzave që marrin shërbime në qendrat tona sociale në kuadër  muajin e sensibilizimit kundër kancerit të gjirit,
"Sot jemi këtu në bashkëpunim me organizatën YWCA e spitalin "Hygea", i cili bashkë me ambulancën do ketë një testim të zonjave që frekuentojnë qendrën tonë sociale dhe do të vazhdojë me një vizitë falas, mamografi në spital. I gjithë muaji do të jetë muaj sensibilizimi, por jo vetëm. Ne do të marshojmë më 31 tetor, të gjithë bashkë në sheshin e madh, për të sensibilizuar çdo grua. Është shumë e rëndësishme për ne, pasi 400 femra çdo vit identifikohen në Shqipëri me kancerin e gjirit", deklaroi nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi.
Drejtoresha ekzekutive e YWCA, Donika Godaj, theksoi se "tashmë jemi bërë lidere në këtë fushë dhe me shumë kënaqësi kemi bashkëpunuar me Bashkinë, spitalin "Hygea" gjatë gjithë këtyre viteve dhe kemi sjellë këtu sot "ambulancën e shpresës". Do të doja t'ju ftoja të gjithëve ta ndiqni këtë fushatë e të jeni me ne në datën 31 tetor, në orën 12.00, në marshimin tradicional që ne bëjmë për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit e për të treguar solidaritet me ata që luftojnë kundër kësaj sëmundjeje si dhe për t'u kujtuar të gjitha zonjave se është shumë e rëndësishme të diagnostikohen e kontrollohen sa më shpesh", u shpreh Godaj. /i.vata//a.ke/