Thyerja mes Anuela Ristanit e cila drejtoi për gati një vit e gjysëm Bashkinë e Tiranës, dhe Erion Veliajt, është përfundimtare. Pasi të premten, me një shkresë nga paraburgimi i Durrësit, kryebashkiaku i komunikoi se i hiqte kompetencat e drejtimit të Bashkisë, Ristani njoftoi këtë të hënë se shkëpuste çdo lidhje, duke u larguar dhe nga pozicioni i nënkryetares.
“Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën”, shkroi Ristani.
Me Veliajn në arrest, dhe pa një njeri që ta zëvendësojë në drejtimin e përditshëm të Tiranës, shqetësime janë ngritur se bashkia më e madhe në vend mund të shkojë drejt një ngërci funksional
Opozita në Këshillin bashkiak kërkoi këtë të hënë një mbledhje urgjente. Sipas Ilda Zhulalit, nënkryetare e grupit të demokratëve, ka paqartësi se kush e drejton aktualisht bashkinë dhe cili është personi që tashmë ka autoritetin për të firmosur kontrata, marrëveshje financiare dhe akte administrative.
“Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani?”, tha këshilltarja e PD, Ilda Zhulali.
Ajo pyet gjithashtu nëse Bashkia e Tiranës vijon ta njohë firmën e Veliajt si vullnet legjitim vendimmarrës, ndërsa në shkresë ngrihet edhe shqetësimi për krizën financiare të operatorëve të transportit publik dhe rrezikun e reduktimit të autobusëve në qarkullim.
Megjithatë pala mbrojtëse e Veliajt duket ta ketë gjetur një zgjidhje, por mbetet për t’u parë se sa efektive do të jetë. Avokati i tij, Plarent Ndreca tha në një komunikim telefonik me Report Tv, se “Veliaj po pret që t’i dërgohen materialet, ose në të kundërt, unë kam prokurën e nevojshme që t’ia dërgoj ato për firmë”.
Për momentin, sipas avokatit, Veliaj nuk ka vendosur nëse do t’ia delegojë kompetencat ndonjë prej nënkryetarëve të tjerë të Bashkisë, ndonëse situata mund të komplikohej, për shkak të përditshmërisë së urdhërave dhe vendimeve që duhet të lëshojë drejtuesi i institucionit. Jo më larg se nesër, punonjësit e bashkisë do të duhet të marrin pagat e tyre. Dhe dikush duhet të firmosë.

Pas shkarkimit të Anuela Ristanit të premten e shkuar, Erion Veliaj do të firmosë vetë nga paraburgimi i Durrësit, të gjithë shkresat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e Bashkisë së kryeqytetit.
Avokati i tij, Plarent Ndreca tha në një komunikim telefonik me Report Tv, se “Veliaj po pret që t’i dërgohen materialet, ose në të kundërt, unë kam prokurën e nevojshme që t’ia dërgoj ato për firmë”.
Për momentin, sipas avokatit, Veliaj nuk ka vendosur nëse do t’ia delegojë kompetencat ndonjë prej nënkryetarëve të tjerë të Bashkisë, ndonëse situata mund të komplikohej, për shkak të përditshmërisë së urdhërave dhe vendimeve që duhet të lëshojë drejtuesi i institucionit. Jo më larg se nesër, punonjësit e bashkisë do të duhet të marrin pagat e tyre.
Pas kryebashkiaku tërhoqi delegimin e kompetencave, ish-kryetarja e Komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, i ka paraqitur ka paraqitur Erion Veliajt dorëheqjen si nënkryetare e Bashkisë.
Përmes një reagimi publik, Ristani shprehet se e mbyll këtë kapitull me krenari, përulësi dhe mirënjohje për qytetin dhe njerëzit që e kanë shoqëruar gjatë kësaj periudhe.
Ajo sjell në vëmendje transformimin e Tiranës gjatë 11 viteve të fundit, duke kujtuar edhe kohën kur nisi të punonte në qytet, kur sheshi “Skënderbej”, sipas saj, “vetëm shesh nuk mund të quhej”.
Sot, vijon ajo, Tirana është kthyer në një pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, ndërsa cilësia që e dallon qytetin është, sipas saj, “ndjesia e mirë që të jep”.
Ristani shpreh mirënjohjen për bashkëpunëtorët dhe qytetarët, të cilët, sipas saj, kanë ndihmuar në thyerjen e paragjykimeve dhe stereotipeve ndër vite.
Në mesazhin e saj, ajo ndalet edhe te e ardhmja e kryeqytetit, duke theksuar rëndësinë që Tirana të shihet dhe të dashurohet si qytet i përbashkët.
Në fund, Ristani thekson lidhjen e saj të përhershme me kryeqytetin, pavarësisht historisë së saj personale.
Ristani e mbyll mesazhin duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur, duke theksuar se largohet me “mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi”.
Reagimi i Anuela Ristanit:
Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë.
Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit “Skënderbej“ që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.
Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme, dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën.
Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.
Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit.
Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi.
Faleminderit të gjithëve!
A.
Këshilltarja bashkiake e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, kërkon thirrjen urgjente të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të sqaruar se kush e drejton aktualisht bashkinë.
Kërkesa vjen 2 ditë pasi kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka tërhequr delegimin e kompetencave për Anuela Ristanin, e cila prej shkurtit 2025 ishte kryetare e komanduar.
Zhulali kërkon sqarimin e personit që ka autoritetin për të firmosur kontrata, marrëveshje financiare dhe akte administrative. Ajo pyet gjithashtu nëse Bashkia e Tiranës vijon ta njohë firmën e Veliajt si vullnet legjitim vendimmarrës.
“Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani?”, thuhet në kërkesë.
Në shkresë ngrihet edhe shqetësimi për krizën financiare të operatorëve të transportit publik dhe rrezikun e reduktimit të autobusëve në qarkullim.
“Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtën ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin që administron buxhetin dhe shërbimet e kryeqytetit, dhe të kenë siguri se vazhdimësia e shërbimeve publike thelbësore, si transporti urban, nuk rrezikohet nga kaosi institucional”, vijon shkresa.
Veliaj i tërhoqi Ristanit kompetencat me argumentin se ajo nuk kishte zbatuar urdhrat e tij dhe se kishte munguar koordinimi institucional.
Edhe pse në burg prej 10 shkurtit të 2025 Veliaj vijon të jetë kryetar ligjërisht i Bashkisë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi nismën e Këshillit Bashkiak e më tej qeverisë për ta shkarkuar.
Reagimi i plotë:
E nderuar Zj. Kryetare,
I. Përmes medias jam njohur me lajmin se Erion Veliaj, aktualisht në gjendje paraburgimi, ka shkarkuar për herë të dytë brenda pak muajsh znj. Anuela Ristani nga funksioni i kryetares së komanduar/ushtruese të detyrës së Bashkisë Tiranë. Ky lajm ka krijuar pasiguri të plotë ligjore dhe publike mbi drejtimin aktual të Bashkisë Tiranë, dhe kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar përpara Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës.
Në këtë kuadër, kërkoj të informohem zyrtarisht dhe në mënyrë shterruese mbi sa vijon:
1. Njohjen me shkresën zyrtare përmes së cilës është kryer ky shkarkim i dytë, dhe kohën kur është firmosur dhe protokolluar ajo?
2. Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani?
3. Kush ka aktualisht autoritetin institucional për të negociuar, vendosur dhe firmosur në emër të Bashkisë Tiranë, përfshirë kontrata, marrëveshje financiare, akte administrative dhe vendime me efekt mbi buxhetin e bashkisë?
4. A ekziston sot një zinxhir i qartë dhe i pandërprerë komandimi institucional brenda Bashkisë Tiranë, dhe nëse po, kërkoj të na vihet në dispozicion dokumentacioni zyrtar përkatës?
5. Cilat masa janë marrë apo parashikohet të merren për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit normal institucional të bashkisë, në kushtet e kësaj paqëndrueshmërie drejtuese?
6.A njihet zyrtarisht prej Bashkisë Tiranë firma e Erion Veliaj si vullnet legjitim vendimmarrës?
Kujtoj se një situatë e ngjashme u krijua disa muaj më herët, kur u shkarkua znj.Ristani dhe në vend të saj u emërua znj.Goxhaj, për të cilën nuk pati asnjëherë një përgjigje zyrtare!!
II. Paralelisht, përmes medias jam njohur me paralajmërimin e Shoqatës Kombëtare te Transportit Qytetas dhe Shoqatës se Transportit Urban dhe Interurban, datë 11 gusht 2026, mbi rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës së transportit publik.
Duke patur parasysh rëndësinë dhe peshën e këtij shërbimi për jetën e përditshme të banorëve të Tiranës, si dhe personave të tjerë (vendas apo të huaj) që përdorin transportin publik, kërkoj sqarime zyrtare mbi sa vijon:
7. Cilat janë arsyet konkrete të krizës financiare të operatorëve të transportit publik urban?
8. Kush është aktualisht, në emër të Bashkisë Tiranë, në kontakt dhe/ose negociata me Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatën e Transportit Urban dhe Interurban, dhe me institucionet qendrore përgjegjëse?
9. Cilat masa konkrete po ndërmerren nga Bashkia Tiranë për të parandaluar reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim dhe për të garantuar vijimësinë normale të shërbimit të transportit publik?
10. A është realizuar ndonjë komunikim zyrtar deri më sot mbi këtë çështje, dhe nëse po, kërkoj kopje të korrespondencës përkatëse.
Në bazë të sa më sipër, kërkoj
1. Thirrjen e një seance urgjente/të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Tiranë, me rend të ditës situatën e drejtimit të Bashkisë Tiranë dhe krizën e paralajmëruar të transportit publik urban.
2. Përgjigje zyrtare me shkrim ndaj çdo pike të ngritur, brenda afateve të parashikuara nga ligji dhe rregullorja e Këshillit Bashkiak.
3. Vënien në dispozicion të çdo dokumentacioni zyrtar mbështetës, përfshirë akte administrative, korrespondencë institucionale dhe informacion financiar përkatës.
Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtën ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin që administron buxhetin dhe shërbimet e kryeqytetit, dhe të kenë siguri se vazhdimësia e shërbimeve publike thelbësore, si transporti urban, nuk rrezikohet nga kaosi institucional.
Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë, duke ju falënderuar,
Ilda Zhulali
Këshilltare
Nënkryetare e Grupit
Partia Demokratike

-
Eri nuk ta ka fajin zonja Ristani prandaj mos saboto përballu me drejtësinë dhe leri njerëzit të punojnë se mbi të gjitha zonja Ristani punon me ndershmëri të lartë....
Përgjigju -
I pa kuptim të shkarkimi,zonja Ristani ka punuar dhe drejtuar me ndershmëri dhe kompetencë....qëllimi i Erjonit është tendencioz....
Përgjigju










Komente
Komento