TIRANË, 2 Dhjetor/ATSH- I. Vata/-Bashkia e Tiranës në njoftim për mediat sot, bën me dije se u mbajt në Bukuresht konferenca shkencore përmbyllëse e projektit Build SEE, i cili përfshin 12 partnerë europianë, midis të cilëve edhe Bashkia e Tiranës.
Në fokus të kësaj konference ishin rastet e studimit dhe kërkimet shkencore që u paraqitën në këtë konferencë përbëjnë hapa të rëndësishëm për secilin vend apo qytet në lëmin e planifikimit "të gjelbër" dhe të ndërtimit "të gjelbër".
Projekti Build SEE është mbështetur nga Bashkimi Europian, me qëllimin për të bërë një analizë sa më të detajuar të hendekut midis legjislacionit komunitar dhe situatës në terren për sa i takon efiçencës së energjisë në ndërtesa. Ky projekt synon që nëpërmjet rasteve të studimit, të ofrojë dhe një plan praktik dhe realist veprimi në nivel qyteti se si mund të ecet më shpejt drejt efiçencës. /a.ke/











