Bashkia Tiranë/ Sjellja e pahijshme në publik, gjobë nga 1 mijë-20 mijë lekë

Bashkia Tiranë/ Sjellja e pahijshme në publik, gjobë nga 1 mijë-20 mijë lekë

Bashkia Tiranë

Këshilli Bashkiak i Tiranës diskuton sot projektbuxhetin për bashkinë më të madhe të vendit, si për vitin 2019, ashtu edhe shifrat afatmesme, deri në vitin 2021. Sipas projekteve të paraqitura tashmë në vëmendje të anëtarëve të këtij Këshilli, buxheti për vitin në vazhdim është realizuan në masën 17.2 miliardë lekë, ose 140.1 milionë euro, ndërkohë që parashikimi në fund të vitit të kaluar ishte 18.7 miliardë lekë apo afro 153 milionë euro. Për vitin e ardhshëm janë parashikuar të shpenzohen 18.3 miliardë lekë, ndërsa në dy vitet në vazhdim prognoza është me ulje: 17.2 miliardë në vitin 2020 dhe 16.4 miliardë në 2021-shin.

Nga taksa e ndërtesave vihet re një mosrealizim i ndjeshëm i parashikimeve. Më 2018 janë grymbulluar 1.8 miliardë lekë nga kjo taksë, ndërkohë që ishin parashikuar 2.5 miliardë lekë. Por Bashkia parashikon ta mbledhë këtej e tutje atë nëpërmjet Ujësjellësit, në faturat e tij, duke realizuar 2.4 miliardë lekë vitin e ardhshëm.

Ndalimet
Në mbledhjen e nesërme parashikohen edhe ndryshime të rëndësishme në trajtimin e fenomeneve shoqërisht të papranueshme.

Sipas dokumentit të përgatitur, parashikohet si dhe më parë të ndalohen zënia e hapësirës publike dhe hapësirave mbi apo nën të, në territorin e Bashkisë së Tiranës, qoftë edhe përkohësisht, me çfarëdo lloj sendi apo objekti pa lejen apo autorizimin e bashkisë apo strukturës përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e tyre.

Siguria
Në fushën e sigurisë publike, ndalohen zënia e trotuareve, rrugës dhe rrugëkalimeve që pengojnë lëvizjen për njerëzit dhe automjetet, pa miratimin e strukturës përgjegjëse; hedhja e objekteve dhe sendeve të forta, që pengojnë zhvillimin normal të veprimtarive social kulturore, rekreative apo promovuese që zhvillohen në hapësirat publike; përdorimi i banderolave dhe thirrjeve me përmbajtje fyese apo denigruese gjatë zhvillimit të aktiviteteve apo veprimtarive sportive, kulturore, fetare, artistike, si dhe gjatë zhvillimit të tubimeve dhe manifestimeve.

Po kështu, do të ndalohet hyrja e personave në ambientet ku zhvillohen aktivitete publike, rekreative apo promovuese, pa autorizimin e Bashkisë së Tiranës; braktisja e automjeteve ose i sendeve të tjera në rrugë, mjedise publike apo ambienteve të përbashkëta; cenimi nëpërmjet bërjes së grafiteve ose shkrimeve, ndotjes me substanca të ndryshme apo me gërvishtja e ndërtesave private e publike apo objekteve të tjera publike, përveç rasteve kur kryhet në kuadër të veprimtarive artistike dhe me miratimin e strukturës  përgjegjëse; vendosja me ngjitje, kapsim apo çdo mënyrë tjetër, e afisheve ose postareve të ndryshme në ndërtesat private e publike apo në objekte të tjera publike, pa miratimin e strukturës përgjegjëse.

Nga ana tjetër, ndalohet kryerja e veprimeve apo  mosveprimeve, që vënë në rrezik jetën, shëndetin apo pronën e të tjerëve përmes vendosjes pa masa sigurie të vazove të luleve apo  çdo send tjetër në parvazet e dritareve, ballkoneve, në tarraca apo në çdo pjesë tjetër të mjediseve publike, të përbashkëta apo private; përdorimi i lëndëve piroteknike apo fishekzjarrëve në çdo mënyrë që vë në rrezik shëndetin, jetën, pronën apo ambientin, në kundërshtim me legjislacionin për përdorimin e tyre; lëvizja e automjeteve në orët dhe vendet e rezervuara për këmbësorët; dëmtimi i mjediseve publike apo të përbashkëta, duke mos u ndalur vetëm në: shkallët e fasadat e pallateve, lulishteve, stolave, shatërvanëve, monumenteve, statujave dhe këndeve të lojërave; vendosja e pengesave të çfarëdo lloji për kufizim shpejtësie të lëvizjes të automjeteve si dhe ndërtimi i objekteve përkujtimore përgjatë rrugës, pa miratimin e organit përgjegjës publik.

Shqetësimi
Gjithashtu do të ndalohen shkaktimi i zhurmave shqetësuese në mjediset publike nga muzika në bar-kafe, restorante dhe/ose lokale të tjera shërbimi, jashtë orareve të përcaktuara nga lejet përkatëse dhe legjislacioni në fuqi; shkaktimi i zhurmave shqetësuese të çfarëdo lloji në ambientet e përbashkëta të banimit; përdorimi i materialeve apo sendeve të ndryshme imituese, tymuese, rrezeve laser në ambiente të hapura dhe të mbyllura publike, etj.

Të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre si klube të natës/disko (striptizëm) që janë burim i ndotjes akustike dhe pamore për banorët dhe qytetin e Tiranës, duhet të marrin masat e menjëhershme për zhvendosjen e aktivitetit e tyre brenda datës 1 mars 2019, jashtë perimetrit të caktuar nga autoritetet e planifikimit të Bashkisë Tiranë.

Morali publik
Bashkia parashikon të ndalohet dalja zhveshur/nudo në mjedise publike; urinimi, defekimi apo të pështyri në mjedise publike; të bërtiturit me fjalë dhe shprehje vulgare apo kryerja e veprimeve me gjeste vulgare në mjedise publike; veprimet apo sjelljet e çdo natyre që kanë për qëllim ngacmimin, fyerjen apo talljen ndaj njerëzve më aftësi të kufizuara, të moshuarve dhe të pambrojturve.

Po kështu, dehja në mjedise të hapura dhe në mjedise të mbyllura publike kur shoqërohet me veprime që krijojnë shqetësim për të tjerët; kërkimi i lëmoshës në mjedise publike dhe fshirja ose pastrimi i xhamave të makinave në semafor.

Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre si klube të natës/ disko (striptizëm), të cilat janë burim i ndotjes akustike dhe pamore për banorët dhe qytetin e Tiranës, janë të detyruara të kryejnë aktivitetin e tyre jashtë perimetrit të caktuar sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi.

Infrastruktura
Sipas projektvendimit, për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative në fushën e infrastrukturës publike, këto veprime: ndërhyrje në rrjetin rrugor, si dëmtim, çarje, ndotje dhe bllokim rruge; dëmtim, çarje, ndotje trotuari dhe dëmtim bordure; dëmtim, bllokim pusete, kunete, vjedhje kapaku/zgarë pusete. Ndërhyrje në rrjetin elektrik rrugor dhe rrjetin e telefonisë, si lidhjet e pamiratuara në kandelabrat apo rrjetin ajror; dëmtimi i shtyllave apo ndriçuesve; përdorimi i shtyllave si suport mbajtës/mbështetës për montimin e reklamave, kapjen e kabllove elektrikë, telefonik, internetit, etj.

Ndërhyrjet në hapësirat publike dhe të gjelbër, si dëmtim të hapësirës publike dhe të gjelbër, këputje, shkulje apo prerje: pemësh, shkurre e bimë dekorative, etj. në këto hapësira; vendosje postera reklamues pa leje, në: fasada, pemë, shtyllë, etj.

Kafshët
Qeni duhet të mbahet nga pronari/kujdestari, me rrip jo më të gjatë se 1.5 metra. Duhet të vendosin maskat mbrojtëse për qentë e racave të rrezikshme: spic, hasky, rotvailer, pitbull, dobermen, qeni i Sharrit, pastor, kangalli turk, bokser. Të  kryejnë vaksinimin e detyrueshëm vjetor kundër tërbimit. Të vaksinojnë dhe kontrollojnë pranë mjekut të klinikës veterinare, kafshët/shpendët e shoqërimit dhe ato të luksit.

Ndalohet mbajtja apo qarkullimi i kafshëve blegtoralë jo shtëpiake, në mjedise publike të qendrave urbane si: kuaj, lopë, dhen, dhi, derra, shpendë (pula) etj;

Gjobat
Për shkeljet e ndryshme, të bërë ndaj ndalimeve të mësipërme, organet e Bashkisë do të rezervojnë të drejtën të vendosin gjoba nga 1.000 deri në 20 mijë lekë të reja.

Përveç sanksionit administrativ të vendosur nga strukturat konstatuese për secilën nga kundërvajtjet e parashikuara në këtë vendim, kundërvajtësit i nënshtrohen edhe konfiskimit të sendeve/mallrave që kanë shërbyer apo që ishin caktuar për të shërbyer si mjete për kryerjen e kundërvajtjes administrative të parashikuara në këtë vendim.

Gjobat do të paguhen vullnetarisht brenda 10 ditëve nga data kur ai bëhet gjoba bëhet e ekzekutueshme. Pas kalimit të afatit, zbatohet një kamatëvonesë prej 2% mbi masën e gjobës, për çdo ditë vonesë. Shuma totale e kamatëvonesave nuk mund të tejkalojë masën e gjobës.

Nëse gjoba paguhet vullnetarisht brenda 5 ditëve nga data kur ai bëhet i ekzekutueshëm sipas Kodit të Procedurës Administrative, aplikohet një zbritje prej 20% të masës të gjobës.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Historia e pabesueshme/ Nga aeroporti që priste 250 milionë njerëz në vit deri më 2010-ën, në një fantazmë!

Historia e pabesueshme/ Nga aeroporti që priste 250 milionë njerëz në vit deri më 2010-ën, në një fantazmë!