Bashkim Fino, socialisti i parë që mundi Sali Berishën

Bashkim Fino, socialisti i parë që mundi Sali Berishën

Bashkim Fino

Ndarja nga jeta e Bashkim Finos, ka sjellë një paqe 24 orëshe në politikën shqiptare, Ku Lulzim Basha, jo vetëm ka ngushëlluar familjarisht familjen e deputetit të ndjerë të PS-së, por ka respektuar edhe vendimin për zi kombëtare, duke pezulluar aktivitetet elektorale.

Ndërkaq, edhe Sali Berisha ka ngushëlluar me një postim të tij familjen e Bashkim Finos dhe ka dedikuar disa fraza për të nderuar ish-kryeministrin që e dekretoi në vitin e 1997.

Një atmosferë që sigurisht është edhe fryt i natyrës dhe emrit që Bashkim Fino ka lënë si politikan dhe si njeri në shoqëri dhe ambientin politik në vend.

Një natyrë totalisht paqësore, jo polarizuese dhe gjithmonë në kërkim të një mjedisi bashkëpunimi e bashkëjetese mes palëve politike.

Por megjithatë, ka zëra në rrjet brenda opozitës që nuk i ka pëlqyer shpallja e ditës së zisë kombëtare për zotin Fino, duke e kërkuar këtë për të ndjerin Arjan Sala, që humbi jetën duke shpëtuar jetë të tjera, në zjarrin që shpërtheu në magazinat e Casa Italia-s.

Funerali shtetëror për një figurë të lartë politike siç është ish-kryeministri i vendit, është një protokoll normal në çdo vend të botës, pavarësisht kritikave apo diskutimeve.

Edhe në kohën e qeverisë “Berisha”, me ndërhyrjen e Ilir Metës, atë kohë partner i PD-së në qeverisje, ju bë funeral shtetëror ish-presidentit Ramiz Alia, pavarësisht se shumë demokratë nuk e pëlqenin këtë gjë.

Megjithatë, ky është një problem që gjithmonë do të ketë diskutime, pasi tek ne ka mjaft polarizim dhe politizim edhe në raste të tilla.

Bashkim Fino, gjithsesi është një politikan jo i zakontë i Shqipërisë. Edhe pse prej vitesh ai nuk është një zyrtar i lartë qeverie, apo një politikan i nivelit të lartë, legacy e tij është mjaft gjurmëlënëse në historinë politike të vendit.

E kjo gjurmë është e vendosur në momentin më tragjik  të shtetit shqiptar: kaosin e vitit 1997. U propozua si kandidaturë nga krerët e PS-së në takimin e 9 marsit me Sali Berishën, pasi presidenti i asaj kohe nuk pranoi që të emërojë anëtarë të Kryesisë socialiste.

Berisha padyshim që ka pasur një synim politik në atë kohë, synim që logjikisht shkonte në drejtimin që të fitonte pikë nga një drejtues lokal që vinte nga Gjirokastra, se sa duke pasur një udhëheqës të kupolës së PS-së. Marrëveshja për qeverine e re të pajtimit kombëtar erdhi pas disa akteve të rënda, për të cilat mban përgjegjësi të madhe udhëheqësia e lartë e asaj kohe e shtetit, e në veçanti presidenti Sali Berisha.

Ai shpalli “gjendjen e jashtëzakonshme” më 1 mars, kur dhe ushtria, policia dhe SHIK, plus “paramilitarët vullnetarë” u ndërsyen kundër shtatë qyteteve të jugut që ishin rebeluar: Vlora, Gjirokastra, Saranda, Tepelena,  Përmeti, Memaliaj e Delvina.

Pas disa ditëve kur ofensiva e Berishës dështoi, ai thirri partitë dhe vendosi të largojë qeverinë e PD-së, duke pranuar një marrëveshje për një kabinet shumëpartiak dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por ndërkohë që bëheshin negociatat me partitë politike, jashtë rrezes së rebelimit, shteti ra në të gjithë vendin.

Policia braktisi detyrën në çdo komisariat, duke nisur nga Tirana, nisën t’u shpërndahen armë militantëve të PD-së, kurse depot ushtarake në çdo qytet të vendit u lanë në mëshirë të fatit, duke hapur fjalë që mund të rrëmbehen armët.

Shqipëria u kthye për 24 orë si e gjithë pjesë e jugut ku kishte plasur rebelimi. Tirana u përfshi nga kaosi, policia braktisi detyrën dhe në magazinat e ushtrisë nisi grabitja dhe dalja e të gjitha bandave në rrugë, kurse burgjet e të gjithë vendit u hapën katërkanatesh.

Ditën që Bashkim Fino ka hyrë në zyrën e tij në Kryeministri, Tirana ishte e gjitha në kaos. Kryeministri i pajtimit kombëtar, edhe pse mori një shtet që nuk ekzistonte, një qeveri pa pushtet dhe kishte të bënte me një president që një pjesë e njerëzve nuk e donte, zgjodhi të bashkëjetojë, të bashkëpunojë e të gjejë kohezion me të gjithë faktorët, jo vetëm politik, në vend.

Bashkim Fino kishte në qeverinë e tij jo vetëm ministra të PD-së, por edhe të partive të tjera të vogla, që nga republikanët, socialdemokratët, Balli Kombëtar e Legaliteti.

Ministër i Drejtësisë i qeverisë së Bashkim Finos, ishte Spartak Ngjela, i cili pati për herë të parë dhe të fundit postin më të rëndësishëm ekzekutiv në vend.

Avokati ndërmori një vendim supër të guximshëm politik,  që pati realisht një impakt të rëndësishëm. Ai ndërmori një amnisti të gjerë për një pjesë veprash penale, që u pa si zgjidhje “politike” për zbrazjen e burgjeve në të gjithë vendin, ku nuk mbeti asnjëri. E kjo zbrazje është bërë me urdhër. Amnistia e Qeverisë “Fino” që u mbrojt në Kuvend nga avokat Ngjela, nuk ishte falje për kriminelët më të regjur në vend. Kjo është komentuar politikisht e deformuar nga qarqe pro Berishës atëherë.

Pasi ishte presidenti i atëhershëm, që bashkë me dekretin për faljen e Fatos Nanos, liderit të opozitës, që ishte edhe pjesë e marrëveshjes së 9 marsit, fali edhe një numër personash me precedent të llahtarshëm kriminal, ku përfshiheshin VIP-a të botës së krimit në vend. Bashkim Fino arriti që në ditët e para të korrë një përkrahje të madhe publike, ngaqë ju drejtua të gjithë shqiptarëve njësoj, pa asnjë dallim politik.

Fino, në Parlamentin ku PD kishte mazhorancën dërrmuese, hyri në dialog dhe u kërkoi bashkëpunim. Në ditët e para Fino arriti fitoren e parë ndaj Sali Berishës, sepse ishte antiteza e tij politike: ai ofronte paqen, ndërsa presidenti kishte urdhëruar operacionin kundër jugut, deri edhe bombardimin e urave e lokacioneve të qyteteve e fshatrave shqiptare.

Kryeministri i pajtimit kombëtar tregoi që në fillim të punës së tij të ishte një partner totalisht miqësor dhe i besueshëm i komunitetit ndërkombëtar.

Fino pati një sukses të vërtetë diplomatik, pasi u lineua si aleat i Perëndimit, i cili kishte pranuar të dërgonte forca ushtarake të ruante paqen në vend. Fino, nisi i pari ta kthejë SHIK-un famëkeq të Gazidedes në një agjenci civile ligjzbatuese, që nuk ndjek njerëzit që janë kundër PD-së, edhe pse në krye të tij u vendos një person me propozim të Partisë Republikane.

Edhe pse vendi ishte në tension politik, në një fushatë elektorale krejt të pazakontë, Bashkim Fino si kryeministër, mbajti një pozicion jo polarizues, jo përplasës, jo konfliktual. Ndryshe nga presidenti i kohës, me të cilin, siç e kanë deklaruar të dy palët, kanë pasur mjaft përplasje e diskutime të forta. Por që nuk u nxorën në publik, pikërisht për të ruajtur një ekuilibër të shtetit, që në mënyrë të ndrojtur po hynte në shinat e tij.

Në Shqipërinë e shokuar nga kaosi e konflikti, Fino hapi një imazh paqeje jo thjesht në qytetet e jugut, të cilat ishin të irrituara me Sali Berishën, madje e kritikonin kryeministrin për qëndrim të butë, por veçanërisht në Tiranë e pjesën tjetër të vendit, që ishin të terrorizuara nga mungesa e shtetit. Edhe pse përpjekje jo krejt të sukseshshme, qeveria e Bashkim Finos dërgoi forca policie në të gjithë rrugët e vendit që gëlonin nga bandat.

Në këtë situatë të supertensionuar në Shqipëri u zhvilluan dy fushata zgjedhore e dy palë zgjedhje, që sot ka shumë mundësi të mos kenë mundësi të bëhen.

Zgjedhjet për Parlamentin e ri, por edhe Referendumi për formën e regjimit. Ishte hera e parë që në Shqipëri zhvillohen dy palë zgjedhje brenda ditës. E në momentin kur Leka Zogu, i irrituar nga humbja, u përdor nga Berisha për të sulmuar me armë Komisionin Qendror të Zgjedhieve, Bashkim Fino mbajti një fjalim ku ju drejtua personalisht Sali Berishës dhe Leka Zogut. Fjalim që Fino tregoi se ishte realisht njeriu më i fuqishëm në vend, që kishte kontrollin e situatës. Edhe operacionalisht arriti të zbrapsë sulmin dhe të verë kontrollin e shtetit.

2 korriku i vitit 1997, ishte dita kur Bashkim Fino tregoi se betejën me Sali Berishën e kishte fituar përpara se Fatos Nano të bëhet kryeministër. Madje kur ky i fundit erdhi në qeveri, Berisha kishte dhënë dorëheqjen dhe ishte rikthyer në krye të PD-së…

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

SPAK i konfiskon 4 pasuri 'Zotit të drogës' Alket Hatija! Dy apartamente, një truall dhe një garazh, Italia e ka dënuar me 20 vjet burg për trafik droge

SPAK i konfiskon 4 pasuri 'Zotit të drogës' Alket Hatija! Dy apartamente, një truall dhe një garazh, Italia e ka dënuar me 20 vjet burg për trafik droge