Bashkimi Evropian arrin marrëveshje për racionimin e gazit, deri në mars të 2023 të ulet konsumi me 15%

Bashkimi Evropian arrin marrëveshje për racionimin e gazit, deri në mars të 2023 të ulet konsumi me 15%

Foto ilustruese

Ndërsa një pjesë e Bashkimit Evropian po përballet me reduktime të furnizimeve me gaz nga Rusia, vendet anëtare të BE-së miratuan propozimin që vullnetarisht të ulin konsumin e gazit me 15 për qind nga gushti deri në mars të vitit të ardhshëm. Synimi i këtij projektligji është kursimi i gazit për sezonin e dimrit, nga frika se Rusia do ta ndërpresë plotësisht furnizimin si hakmarrje për sanksionet perëndimore që pasuan sulmin e Moskës kundër Kievit.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për kursim të gazit natyror, si masë mbrojtëse në rast të ndërprerjeve të furnizimeve nga Rusia gjatë sezonit të dimrit, ndërsa sulmi i Moskës kundër Ukrainës vazhdon. Ministrat e energjisë miratuan një projektligj që synon uljen e konsumit të gazit me 15 për qind nga gushti në mars. Ligji i ri parasheh hapa vullnetarë të vendeve për të reduktuar konsumin e gazit, por që në një situatë urgjente, blloku 27-anëtarësh mund të marrë masa të detyrueshme.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e mirëpriti lëvizjen e re.

“BE-ja bëri hapin vendimtar për të përballuar kërcënimin e një ndërprerje të plotë të gazit nga presidenti Putin”, tha ajo në një deklaratë. Të hënën, kompania ruse e energjisë “Gazprom” njoftoi kufizim të furnizimeve të BE-së përmes gazsjellësit Nord Stream 1 me 20 për qind, gjë që ka rritur shqetësimet se presidenti rus Putin do të shfrytëzojë gazin për të sfiduar qëndrimin e bllokut ndaj luftës në Ukrainë. “Dimri po vjen dhe ne nuk e dimë se sa ftohtë do të jetë. Por ajo që dimë është se Putini do të vazhdojë lojërat e tij të pista, duke keqpërdorur dhe shantazhuar me furnizimet e gazit”, tha ministri i industrisë në Republikën Çeke, Jozef Sikela.

Marrëveshja e ministrive u arrit në më pak se një javë. Ajo bazohet në një propozim të prezantuar javën që shkoi nga Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së. Për të mbajtur një front të bashkuar të BE-së për konfliktin në Ukrainë, lufta që nuk po tregon shenja përfundimi, komisioni tha se kursimi i gazit do t’i mundësonte bllokut në tërësi të kalonte dimrin edhe nëse Rusia do t’i ndalonte të gjitha dërgesat e gazit.

Që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt dhe Perëndimi u kundërpërgjigj me sanksione ekonomike, 12 vende të BE-së janë përballur me ndalim ose reduktim të furnizimeve të gazit rus. Megjithëse ka rënë dakord për vendosjen e embargos për naftën dhe qymyrin rus, duke filluar nga fundi i këtij viti, BE-ja është treguar më e përmbajtur për të vënë sanksione ndaj gazit natyror rus, sepse Gjermania, Italia dhe disa vende tjera anëtare varen shumë nga këto importe.

“Gjermania bëri një gabim strategjik në të kaluarën duke krijuar varësi të madhe ndaj gazit rus, duke besuar se ai do të rrjedhë vazhdimisht dhe me çmim të ulët”, tha ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck. Ndërprerjet e furnizimeve ruse të energjisë po nxisin rritje të inflacionit, tashmë në vlera rekorde në Evropë, dhe po kërcënojnë të shkaktojnë recesion në bllokun që ishte në rimëkëmbje e sipër nga dëmet e shkaktuara nga pandemia.

Plani për racionimin e energjisë ishte një provë rreth koordinimit të politikave të BE-së. Ndërsa BE-ja ka autoritet mbi vendet anëtare sa u përket politikave monetare, tregtare dhe atyre bujqësore, vendet vazhdojnë të kenë pavarësi sa u përket çështjeve të energjisë. Ministrat e energjisë hoqën një dispozitë nga projektligji për gazin, që do t’i jepte Komisionit Evropian fuqinë për të kaluar nga masat vullnetare në ato të detyrueshme. Megjithatë, marrëveshja e së martës shënon një moment historik në integrimin e politikave të BE-së dhe menaxhimin e krizave./VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:23
Ministrja e Jashtme gjermane: BE-ja nuk do të dorëzohet përballë “shantazhimit” rus për gazin

1658867117_we.JPG

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se Bashkimi Evropian nuk do t'i dorëzohet "shantazhimit" të Moskës, pasi Gazpromi njoftoi për një tjetër reduktim të madh të gazit përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1, i cili lidh Rusinë me Gjermaninë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 26 korrik, Baerbock tha se Gjermania dhe BE-ja e shohin taktikën e Rusisë si një përpjekje tjetër për të ndarë BE-në. Sipas saj kjo do të jetë një përpjekje e pasuksesshme sepse Evropa është e bashkuar si kurrë më parë dhe e kupton se duhet t'i japë fund varësisë së saj nga energjia ruse.

“Ne duam të jemi 100 për qind të pavarur nga energjia me lëndë djegëse fosile e Rusisë, sa më shpejt që të mundemi”, tha ajo, duke shtuar se Evropa synon të qëndrojë në këtë rrugë. Baerbock i bëri këto komente një ditë pasi gjigandi shtetëror rus i energjisë, Gazprom, tha se nga 27 korriku do ta shkurtoj furnizimin përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1 në Gjermani në një të pestën e kapacitetit.

Gazprom njoftoi për këtë shkurtim vetëm disa ditë pasi rifilloi rrjedhën e gazit përmes tubacionit, pas një ndërprerjeje 10 ditore të mirëmbajtjes, por vetëm në 40 përqind të kapacitetit. Rusia tha se ishte e detyruar të ulte volumin për shkak të kthimit të vonuar të një turbine që po servisohej në Kanada.

Si Gjermania ashtu edhe BE-ja kanë thënë se nuk ka asnjë justifikim teknik për ngadalësimin e rrjedhës së gazit. Ata thonë se lëvizjet e Rusisë janë të motivuara politikisht dhe janë të lidhura me sanksionet e BE-së pas pushtimit rus të Ukrainës.

Baerbock tha se mirëmbajtja e turbinës ishte një shembull tjetër se si Rusia provon "çdo lloj mjeti dhe mashtrimi" për të ndarë Evropën, por Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar.

Ajo tha gjithashtu se nëse Rusia ndërpret plotësisht rrjedhën e gazit përmes Rrjedhës Veriore 1, "nuk ka asnjë dyshim" se Gjermania do të vazhdojë politikën e saj të sanksioneve ndaj Rusisë. Evropa ndaloi importet ruse të qymyrit duke filluar nga 1 gushti dhe shumica e importeve të naftës do të përfundojnë deri më 31 dhjetor.

Baerbock përmendi gjithashtu furnizimin me armë me fuqi të lartë në Ukrainë, duke thënë se nuk mungon vullneti politik në Berlin për t'i dorëzuar ato. Kritikat me të cilat Gjermania u përball në ofrimin e mbështetjes ushtarake ndaj Ukrainës, ajo tha se "kjo është arsyeja pse ne përpiqemi të përmirësohemi".

Gjermania po dërgon tani në Ukrainë artileri, duke përfshirë obuset dhe ka ndihmuar në trajnimin e forcave ukrainase. Ajo tha se shpreson që Gjermania të dorëzojë një sistem të mbrojtjes ajrore deri në fillim të shtatorit. Diplomatja e lartë gjermane komentoi gjithashtu shpresat e Bosnje-Hercegovinës për t'iu bashkuar BE-së pas disa zhgënjimeve në vend kur Ukrainës dhe Moldavisë iu dha statusi i kandidatit.

Ajo tha se "retorika nacionaliste po shfaqet përsëri" në vend, por tha se beson se të rinjtë boshnjakë duan unitet midis grupeve etnike të vendit dhe një shans për të jetuar dhe për të ndërtuar një të ardhme së bashku.

Gjatë vizitës së saj në Bosnje dhe Hercegovinë në mars të këtij viti, ajo tha se Bosnja është në krye të agjendës politike të Gjermanisë. Për Afganistanin, ajo tha se dërgimi i mbështetjes ushtarake për rezistencën e armatosur që kundërshton talibanët "nuk është në rend dite".

Sipas saj, vendi po vuan nga një fatkeqësi humanitare dhe Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj për të ndihmuar në zbutjen e kësaj situate, por nuk ka asnjë kontakt me qeverinë e udhëhequr nga talebanët.

Gjermania duhet të mbështesë popullin e Afganistanit dhe të vazhdojë të ndihmojë largimin e njerëzve, të cilët janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me qeveritë perëndimore, tha ajo.

Baerbock tha gjithashtu se gratë në Afganistan po përjetojnë "shkeljen më të madhe të të drejtave të grave" dhe për këtë arsye duhet të ketë një fokus të veçantë tek gratë dhe vajzat, jeta e të cilave "u ndal" kur talebanët morën pushtetin./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!