PRISHTINË, 16 Mars/ATSH/.- Konkursi për çmimin e Bashkimit Evropian për gazetari hulumtuese në rajon është hapur sot dhe do të qëndrojë i hapur deri në datën 15 prill.
Sipas KosovaPress, të drejtën e konkurimit në Kosovë e kanë të gjithë gazetarët me shkrimet në të gjitha gjuhët zyrtare dhe jo zyrtare.
Çmimi për gazetarinë hulumtuese do të ndahet çdo vit në shtatë shtete për tre vite me radhë. Fondi i çmimit për shtatë vendet përfituese për tri vite do të jetë 210 mijë euro, e fondi i çmimit për çdo vit për secilin vend është 10 mijë euro. Ndërsa, në çdo vend do të shpërblehen 1 deri në 3 gazetarë çdo vit dhe shpërblimi për secilin gazetar do të jetë ndërmjet 3 dhe 5 mijë euro.
Ky çmim është themeluar nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian, duke ndjekur strategjinë për Zgjerim të BE-së, e cila parashikon nevojën e fuqishme për të siguruar lirinë e shprehjes në media dhe për mbështetje të gazetarisë hulumtuese për të monitoruar proceset e reformimit dhe për të ruajtur momentin historik drejt pranimit në BE./m.m/