Propozimi i një referendumi për kombëtar, pa përgatitur fillimisht gjërat në terren dhe përmirësuar pozicionin tonë në klimën ndërkombëtare është një lëvizje që ushqen një iluzion të madh që nëse me të vërtetë do të bëhej do të shkaktoj një zhgënjim të thellë. Me këtë propozim jepet përshtypja se realizimi i aspiratave kombëtare mund të bëhet menjë shkop magjik, me një lëvizje të vetme nevralgjike apo thjesht me një veprim formal që ka shumë pak lidhje me realitetin aktual.

Përgatitja e këtij propozimi dëshmon edhe mosnjohje të historisë së përpjekjeve për liri e barazi të kombit shqiptar në ish Jugosllavi. Konkretisht më 2 korrik të vitit 1990 delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave dhe në 7 shtator të po këtij viti, u miratua në Kaçanik Kushtetuta e Republikës. Ndërkohë që në datat 29-31 shtator 1990 u zhvillua referendumi mbarëpopullor me pjesëmarrje masive që zyrtarisht e shpalli Kosovën të pavarur e sovrane por sikurse e dimë të gjithë fatkeqësisht si pasojë e situatës në terren dhe konjukturës ndërkombëtare ky vullnet i popullit nuk u materializua e ngeli në nivel deklarativ.

Rishtarët e çështjes kombëtare duhet të mësojnë se në 11 dhe 12 janar të vitit 1992 në Maqedoninë Perendimore shqiptarët organizuan referendumin për autonomi politike dhe territoriale dhe hartuan kushtetutën e Republikës së Iliridës. Ky u mbajt si kundërpërgjigje ndaj Referendumit për Maqedoninë e pavarur që u bojkotua më shtator 1991 nga shqiptarët, mirëpo edhe pse shumica dërrmuese e shqiptarëve votuan pro këtij referendumi asgjë nga deklarimet e këtij referendumi nuk u vu në jetë, dhe shqiptarëve të atyshëm iu desh edhe një dekadë e mundimshme dhe një luftë e përgjakur për të siguruar një fraksion të kërkesave të paraqitura në referendum.

Fakti që referendumi i propozuar është retorike e zbrazët elektorale e që ska sinqerisht në objektiv bashkimin kombëtar por shitja në publik se AKZ është e vetmja forcë që mendon për bashkimin kombëtar dëshmohet jo vetëm nga momenti paraelektoral i përzgjedhur për ta bërë por edhe nga mungesa e përgatitjes së terrenit paraprak për këtë referendum. Pra konkretisht përpara referendumit për bashkim, më së paku nga ana juridike do të ishte e nevojshme që të ndryshohej si fillim Kushtetuta e Shqipërisë në pikën ku nuk lejohen referendumet që prekin tërrësinë tonë territoriale dhe të ndryshohej Kushtetuta e Kosovës e cila duke gëlltitur pakon e Ahtisarit e ka të sanksionuar që pengon bashkimin me vende të tjera.

Për realizimin e unifikimit të Shqipërisë me Kosovën një element thelbësor që duhet patur parasysh është edhe aspekti i konjukturës ndërkombëtare, nuk mund të ndërmerren veprime pa strategji, pa marrë parasysh skenaret alternative, pa plan B apo pa sqaruar hapin tjetër. Politika nuk është tavëll ku lëvizet si të bien zaret por lojë shahu ku hapat duhen matur mirë pasi janë marrë në konsideratë edhe veprimet potenciale të të tjerëve. Një gjë që nuk duhet neglizhuar është edhe përgatitja e opinionit publik në arenën ndërkombëtare, përmirësimi i konjukturës dhe sigurimi i sa më shumë aleatëve për të mundësuar bashkimin. Nuk mund të ecet me diletantizëm dhe ta vësh faktorin ndërkombëtar përballë një rrufeje në qiell të kaltër duke lënë të surprizuar dhe pakënaqur edhe aktorë të cilët po të përpunohen mirë mund të bëhen krahë për qëllimin madhor.

Konkretisht si pjesë e idesë së integrimit mbarëkombëtar, ne duhet të kishim filluar edhe në mënyrën e konceptualizimit të strategjisë sonë të sigurisë duke harmonizuar përpjekjet tona për t'u fuqizuar ushtarakisht, se sa vlerë kanë kërcënimet kur nuk ke dhëmbë për të kafshuar nëse e lyp nevoja. Pra duhet të mendojmë edhe për pajisjen me të njëjtat armatime, municione, mjete logjistike dhe taktika luftarake që të mundësohet maksimumi i ndërveprueshmërinë së trupave nëse nevojitet. E tek flitet për siguri padyshim që duhet bërë edhe një përgatitje psikologjike për mbarë popullin shqiptar duke e bërë të qartë se vota pro nënkupton edhe gatishmëri për të marrë armën krahut dhe për të mbrojtur vendimin legjitim demokratik që merr një komb. Është e pafalshme që kombi ynë të gjendet i papërgatitur para sfidave të tilla kombëtare e sërish në rast nevoje të kërkojë lëmoshën e ndërkombëtarëve.

E vërteta është që bashkimi nuk ka për të na ardhur peshqesh nga qielli dhe për ta mundësuar atë nuk mjafton vetëm një fletë votimi, por duhet një punë e mundimshme, intensive dhe e gjatë për të shkuar drejt këtij objektivi madhor.Vëmendje të posaçme i duhet drejtuar integrimit ekonomik, shkëmbimi ynë tregtar është ende i papërfillshëm, mjafton të udhëtosh në rrugën e kombit jashtë sezonit turstik për të kuptuar se sa pak ndërveprim ka mes nesh. Nevojitet integrimi i standardeve teknike në fusha të ndryshme si industria e lehtë apo ndërtimi. Do të duhej harmonizimi i legjislacionit në mënyrë që kur të bëhet lëvizja nga Saranda në Podujevë një sipërmarrësi apo profesionisti të lirë të mos i duhet të rihapë librat për të mësuar si funksionojnë gjërat në vendodhjen e re. Nevojitet në këtë kuadër edhe rakordimi i procedurave dhe regullave në fusha të ndryshme duke minimizuar maksimalisht dallimet po ashtu edhe përputhja e politikave fiskale, gjobave dhe mënyres se si jepen masat disiplinore etj.

Energji e madhe i duhet kushtuar edhe përmirësimit të lidhjeve infrastrukturore duke e zgjeruar më tutje traditën e mirë të krijuar me rrugën e kombit dhe rrugën cilësore që lidh Gjakovën me Tropojën duke kaluar Qafën e Prushit. Një rrugë e ngjashme që mund ta lidh akoma më shumë Kosovën me Shqipërinë është rruga Deçan-Plavë-Vermosh-Shkodër. Konkretisht duhet bërë çmos shtyrja përpara e hekurudhës që na lidh me trojet shqitpare në Maqedoniënë Perëndimore, dhe nëpërmjet tyre me Kosovën duke mundësuar një korridor të ri strategjik me Kosovën që minimizon jashtëzakonisht shkëmbimin e pasagjerëve, mallrave dhe lëndës së parë mes dy shteteve. Faktikisht bëhet fjalë për ndërtimin e një linje Lin i Pogradecit-Strugë-Kërçovë ku pala jonë ka për të shtruar vetëm 2.8 km hekurudhë, ndërsa pala maqedonase 65 km por nëpërmjet kësaj hekurudhe Shqipëria mund të lidhet me Kosovën duke kaluar nga Shkupi. Prandaj do të ishte mirë që në marrëdhëniet tona bilaterale me Shkupin, në atë me donatorët e huaj si dhe në lidhje me faktorin politik shqiptar brenda Maqedonisë të ushtrohej maksimumi i presionit që kjo hekurudhë të bëhet sa më shpejt realitet.

Infrastruktura e bashkimit nuk duhet parë vetëm në aspektin e transportit, autostrada e re dixhitale qe lidh Shqipërinë me Kosovën me fibra optike të fjalës së fundit, do të duhej të shoqërohej nga vënia në jetë e linjës së interkonjeksionit si dhe të tjera nismave të ngjashme. Sfidat moderne nuk mund të përballen me zgjidhje anakronike, pra në kushtet kur Shqipëria ka adoptuar filozofine e alter-tekstit, adoptimi i abetares së unifikuar ka një efekt vetëm simbolik e jo përmbajtësor. Abetarja ashtu sikurse unifikimi i alfabetit është një mjet që u takonte rilindasve, pjesë e ligjërimit të kohës së Kongresit të Manastirit, ne kemi nevojë për mjete të tjera që të ecin me hapin e kohës. Prej rilindasve mund të huazohen qëllimi, idealizmi, kurajoja, integriteti dhe devotshmëria por jo detyrimisht mjetet e tyre si unifikimi i gjuhës shqipe apo diskutimet mbi prejardhjen mijëvjeçare autoktone të shqiptarëve.

Lista e nismave paralele është shume e gjatë por ajo që ka rëndësi të theksohet është se përpara se të bëjmë deklarata boshe e ndërmarrim veprime iluzionuese duhet të përpiqemi që bashkimin kombëtar ta bëjmë de-facto duke forcuar, thelluar, zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin dhe integrimin në të gjitha sferat aq sa kufijtë administrativ të shndërrohen thjesht në një formalitet. Vetëm pasi të jetë bërë një punë e suksesshme në këtë fushë do të jetë e mundur që realiteti de-facto të shndërrohet në de jure.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)