‘Baxhot përdorin vaj palme’, Denaj i përgjigjet opozitës: E pavërtetë, analizat u bënë në Çeki! Do ulim me 10% TVSH për importin e mishit për sallam

Vaji i palmës dhe qumështi pluhur përdoren masivisht në produktet blegtorale, që prodhohen nga baxhot në vend. Ky ishte shqetësimi i ngritur nga opozita që  Komisionin e Ligjeve, por që u hodh poshtë nga Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj.

“Me mijëra tonelata qumësht vijnë nga Serbia. Bëni një raport, shikoni qumështin pluhur, dhe më e frikshmja a e dini kush është? Vaji i palmës sepse po shpërndahet me faturë 1500 euro vetëm që të mos deklarohet”, tha Korreshi.

“Analizat i kemi çuar në Çeki, mund t’ju garantoj që për 270 baxhot prodhimi i djathit është i një standardi shumë të lartë. Dhe nuk mund të abuzohet me prodhimin e fermerëve shqiptar dhe të krijohet panik”, tha Denaj.

Dominimi i importit mbi prodhimin vendas mund të luftohet sipas opozitës vetëm me shtim të financimit për bujqit e blegtorët vendas, të cilët vuajnë konkurrencën e pandershme.

“Rreth 36% e fermave blegtorale kanë 1 deri në 5 lopë. Flet për një ekonomi shumë të vogël. Kjo nuk do të thotë që duhet që këta fermer të lihen mënjanë, pasi gjysma e skemës kombëtare shkon për blegtori. Thirrja ime si ministre që në fillim, ka qenë të bashkohen njësitë që të përfitojnë 100% të skemës. Kështu nxitet edhe ekonomia. Do lancojmë edhe një skemë me grante 50% për sera dhe stalla”, tha Denaj.

“Nuk është domosdoshmëri që duhet patjetër të kenë 50 lopë. Është e pamundur. Të gjithë duhet të kuptojmë një gjë, më gjeni territore ku do të kulloten këto bagëti, pasi në bazë të ligjit 7501, fermerët nga 2 dynym kanë. Kosova që është një shtetit i ri, jep 25 euro për një dele, kurse ne e kemi 12 euro. Rruga në të cilën është bujqësia është në ditën më të vështirë të saj. Do të ndalojë kjo hemorragji në blegtori apo do të vazhdojë kështu?”, tha Dash Sula.

Ndërsa shqetësimeve të ngritura për tkurrje të krerëve të bagëtive në Shqipëri vit pas viti, ministrja Denaj ju përgjigj duke paralajmëruar ndryshime në taksat e importit përsëri, me qëllim që fabrikat të furnizohen me mallra importi.

Ministrja njoftoi se do të ulet TVSH-ja në import nga 20% në 10%, për lëndën e parë që përdoret nga fabrikat e sallamit në vend.

“Cilat janë shtetet që mbajnë peshën më të madhe nga ku vjen mishi nga jashtë”, tha Çupi.

“Janë 15 kompani shqiptare që importojnë mish cilësor. Kanë kërkuar uljen e një takse 10% për të qenë konkurrent me kompanitë në rajon. Po e studiojmë për ta prezantuar në paketën e re fiskale”, tha Denaj.

Diskutimet u bënë në komisionin e Ligjeve teksa Ministrja e Bujqësisë prezantoi dy projektligje atë për peshkimin dhe për shërbimin veteriner në vend.  Denaj sqaroi se të dy aktet synojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, ku ndryshimet tek ligji i veterinarisë synohet kontroll më i mirë i shëndetit të kafshëve, rregullim i medikamenteve të farmacive veterinare me synim garantimin e sigurisë ushqimore.

Ndërsa tek peshkimi, synohet rritja e prodhimit peshkor, pasi përmes ndryshimeve anijet shqiptare do të peshkojnë përtej detit Mesdhe siç është aktualisht, me qëllim që të peshkohet në dete të thella e të largëta që do të sjellin një rritje të sasisë së peshkut të zënë, e për pasojë edhe më shumë eksport të këtyre produkteve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:36
Denaj te Ligjet: Ndryshime në ligjin për shërbimin veterinar garanton gjurmueshmërinë në zinxhirin ushqimor

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj  paraqiti në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore ndryshimet në ligjin “Për shërbimin veterinar” , që synojnë forcimin e monitorimit dhe inspektimeve në këtë sektor për të garantuar siguri ushqimore sipas standardeve të BE-së.

Ministrja Denaj tha se, “ky është një sektor shumë i rëndësishëm brenda kuadrit të sigurisë ushqimore”.

“Ne vijmë me një situatë epizotike shumë të pastër, ndërsa në rajon e vende të tjera ka pasur raste epizotike. Ne kemi ruajtur  një situatë epizotike të pastër edhe kur fqinji ynë Greqia u prek nga murtaja. Ndërsa ndryshimet ligjore që parashtrojmë sot e përafrojnë kuadrin ligjor  me BE dhe vijnë në linjë me përpjekjet e qeverisë për integrimin në BE”, tha Denaj.

Sipas saj, ndryshimet përmbushin një rregullor të plotë sipas BE-së, për prodhimin, kontrollin dhe cilësinë e produkteve veterinare  për të garatuar sigurinë ushqimore  në vend.

Ajo tha se, ligji i mundëson  prodhuesve të rrisin prodhimin ndërsa do të lehtësohen dhe barrierat administrative për regjistrimin e barnave veterinare të importit.

Sipas saj, produktet veterinare që tregtohen në 200 farmaci në të gjithë vendin, ndikojnë mbi kontrollin e sëmundjeve dhe korniza e qartë rregullative që paraqitet garanton siguri maksimale.

Denaj ftoi qytetarët të denoncojnë rastet e shkeljeve në këtë drejtim, teksa theksoi se është përgjegjësi e të gjithëve të denoncojnë për garantimin e sigurisë ushqimore.

Ministrja tha se, ndryshimet ligjore garantojnë gjurmueshmërinë në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe këto risi ligjore reflektojnë 15 propozime të grupeve të interesit dhe aktorëve të fushës që iu përgjigjen nevojave aktuale që paraqet sektori.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 10/09/2024 03:34

    Nuk duhet te ulet TVSH per import mishi per sallam se po demtoni blektoret vendas dhe shendetin e konsumatorit.Dhe vereni si i shmanget pyetjes se nga vjen mishi, dhelpra Denaj.Ne vend te tregoje origjinen e mishit,derdellit per 15 kompani shqiptare qe na importokan mish /cilesor/! Kush te pyeti se kush e kerkon uljen e TVSH dhe sa kompani jane,po te pyesin nga vjen mishi?! Por sigurisht qe /zonjeza Llullushe/ nuk e thote se me siguri vjen nga vende te tilla si Brazili,Argjentina,Kina.

    Përgjigju
  • Turi: 09/09/2024 17:05

    Duhet te ndalohet futja ne vendin tone e vajit te palmes dhe qumeshtit pluhur pastaj le te flasin pushtetaret sepse po semuren njerezit nga keto pislleqe qe futen ne vend pa kontroll

    Përgjigju
  • sapa: 09/09/2024 16:38

    Cdo shqiptar eshte ne gjendje te bej krahasimin te pakten nga shija qe produktet ne shqiperi sa vijne e behen me te keqija.Psh para disa vitesh kur blinje nje kavanoz recel shijonte kurse sot ska shije fare perkundrazi kundermim i cuditshem i pakendeshem.Po ashtu me Bostanin dhe pjeprat skandal.Kane filluar te mbjellin kubike dhe rezultati dihet!Pa diskuatuar qe qytetaret nuk dine origjinen e mishit e te tjera produkteve.Eshte e qarte qe sa me i korruptuar te jete nje vend aq me pak ushtrohet kontroll dhe shqiperia e ploteson kete!

    Përgjigju
  • Mbrapsht: 09/09/2024 13:36

    Mos ulni tvsh per importin e mishit, perkundrazi rriteni ate dhe parate jepjani si grante fermave vendase per te nxitur prodhimin vendas. Ca kuptimi ka mbytja e popullit me sallam nga nje mish dy leksh qe vjen nga brazili?

    Përgjigju
  • Eli: 09/09/2024 13:26

    Beni analizat rregullisht se na helmuat.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari