Baze: Disa 'tërmete histerike', përballë fatkeqësisë natyrore

Baze: Disa 'tërmete histerike', përballë fatkeqësisë natyrore

Ilir Meta dhe Hashim Thaci ne Durres

Solidariteti i skajshëm ndërkombëtar që po shoqëron valën e tërmeteve në bregdetin shqiptar, është mahnitës dhe lajmi më i mirë pas këtyre mynxyrave, që ndodhin orë pas ore. Brenda dhjetë orësh në Shqipëri mbritën forcat speciale greke, serbe, italiane e franceze, ndërkohë që forcat e sigurisë së Kosovës arritën qysh paradite.

Ajo që bie në sy, është se ata janë shumë vite larg aftësisë, eksperiencës dhe trajnimit, në raport me forcat tona, që janë amatore, të papajisura me mjetet e duhura dhe pa përvojë reale në menaxhimin e fatkeqësive.

Është një leksion i hidhur që duhet mbajtur shënim dhe që në repartet e zjarrfikësve, të mos punësohen njerëz për rrogë, apo invalidë, por njerëz që shpëtojnë jetë, që dinë të hyjnë mes ndërtesave të shëmbura, mes flakëve dhe në çdo skenë të katastrofave natyrore e njerëzore. Ata duhet të jenë shpëtues jetësh, jo njerëz që i kanë shpëtuar punës për një rrogë, siç duket që janë.

Për 12 orë, forcat tona e kishin vetëm 10 metra larg një djalë 28 vjeçar në rrënojat e një hoteli dhe falë forcave greke, ai u nxor nga rrënoja për 45 minuta. Është thjeshtë çështje aftësie, profesionalizmi dhe jo çështje patriotizmi, apo solidariteti histerik në rrjetet sociale.

Forcat e Sigurisë së Kosovës, po ashtu janë dukshëm më të afta se ato të Shqipërisë. Ajo që bie në sy është se së paku kanë një kordinator që merr komandën në aksion dhe gjykon ai. Shto dhe zemrën dhe pasionin për të shkëlqyer si vëllezër, ata janë po ashtu lajmi më i mire i kësaj katastrofe.

Ndaj sot mos u përpiqni, t’i ndani në kosovarë, grekë, serb, francezë, apo italianë, ata djem nënash që po na nxjerrin të vdekurit e të gjallët nga rrënojat. Shkoni puthuni duart, e jepuni lule, pastaj mbani fjalime për “heqjen” e kufirit Shqipëri-Kosovë, se me këtë kriter, i bie ta kemi hequr dhe kufirin Shqipëri- Greqi apo Shqipëri- Itali.

Mos e bëni qesharak heroizmin e tyre. Respektojini si luftëtarë që po na shpëtojnë jetët tona.

Histeria “politiko- patriotike” që shoqëron atë në rrjetet sociale, bazuar mbi “fake news”, nuk ka asnjë lidhje me herozimin real dhe atë që ata po bëjnë në terren. Ata përgjërohen për  çdo çast jetësh njerëzore nën gërmadha, ndërsa histerikët e rrjeteve që ka vërsulur si qen politika, kanë shpikur si problem kombëtar se atyre u është marrë taksë në Rrugën e Kombit.

Në fakt kjo është një gënjeshtër e neveritshme, e hedhur në treg qëllimisht që të ndotë atë që po ndodh vërtet, heroizmin e atyre që po luftojnë prej 24 orësh mes rrënojave, dhe që për fat as nuk i shikojnë, e as nuk i dëgjojnë kontigjentet e vrerit histerik të disa politikanëve skutha dhe debilëve të tyre patetikë.

E gjithë kjo është një fushatë e ndyrë, e dirigjuar politikisht nga Tirana dhe Prishtina politike. Ata që bëjnë sikur luftojnë sot për unitet janë më të përçarë se kurrë.

Presidenti i Kosovës vjen në Shqipëri bashkë me Forcat e Sigurisë dhe takohet me kryeministrin, ndërsa Kryeministri i Kosovës në detyrë, meqë nuk e ka qejf kryeministrin e  Shqipërisë komunikon me Presidentin tonë që parashikon tërmete dhe është i gëzuar që i ka dalë fjala. Kryeministri i Shqipërisë është në luftë me Presidentin, Presidenti i Kosovës në luftë me kryeministrin e tij në ikje dhe atë në ardhje, dhe gjithë përçarja e tyre rezulton një helm kombëtar në rrjet, kundër një fatkeqësie që po dërmon një popull të varfër dhe të rrënuar nga fatkeqësia natyrore. Albin Kurti ka prioritet koktejin e Festës Kombëtare në ambasadën shqiptare në  Prishtinë dhe hartimet që Forcat e Sigurisë Kosovës bashkuan Kombin, duke i dhënë dhe Ai, një dorë patetizmit dhe histerisë kombëtare.

Gjithë vreri dirigjohet politikisht dhe merr rrugës plot viktima, parazitë para kompjuterave dhe të tjerë që duan të duken patriotë në facebook.

Është e njëjta situatë si në vitin 1999 kur miliona shqiptarë të Kosovës mbërritën në Shqipëri. Pyetini këta që llomotisin si patriotë, këta gjoja analistë që duan të gjejnë qimen e ta bëjnë tra mes rrënojave, nëse kanë marrë ndonjë familje kosovare në shtëpi.

Asnjë prej tyre!

Pyetini kush ka shkuar t’u japë një gotë ujë apo t’i shoqërojë në spitale ata njerëz të dërrmuar nga fatkeqësia.

Asnjë prej tyre!

Shumica  e heshtur e shqiptarëve i mori në shtëpi, i strehoi dhe bëri aq sa mundi pa i përmendur kurrë. Se ata janë shqiptarët e vërtetë.

Llapaqenët e rrjeteve sociale janë mekanizëm helmi për të kundërtën, për ndarjen mes shqiptarëve, për helmim të ndjenjës së solidaritetit, mes tyre dhe për të parashikuar komplote e skenarë apokaliptikë.

Shikoni histerinë për Gjendjen e Jashtëzakonshme, a thua se shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme ka pasur ndonjë histori komploti politik, që po e shpalli Edi Rama, merr fund. Dhjetra legjenda për arsye financiare e politike nga më banalet që mund të dëgjojë veshi i njeriut dhe pasi shpallet, që në fakt nuk ndodh asgjë, vijon me stërhollime po kaq idiote.

Problemi i Gjendjes së Jashtëzakonshme është të dish ta përballosh dhe ta bësh efiçente për tejkalimin e situatës. Ne nuk nga mungojnë as paratë dhe as ndihmat për ta tejkaluar këtë situatë. Ne na mungon aftësia dhe efiçenca që nuk na e jep një copë letër e firmosur nga Edi Rama.

Gjendja e Jashtëzakonshme duhet të shpallet vetëm në perimetrin e dëmtuar nga tërmeti, vetëm aty jeta normale ka humbur kuptimin. Është e tepërt të përfshihet Tirana, siç është përfshirë, edhe pse ajo është kthyer në kryeqytet paniku.

Problemi është si ta ndalim panikun, jo si ta bëjmë sport kombëtar, si të shmangim kolapsin ku mund të futet Shqipëria, dhe jo si ta bëjmë atë me duart tona.

Gjendja e Jashtëzakonshme duhet në Thumanë, në Durrës dhe në ato zona ku jeta është bërë e pamundur. Ata duhet t’i ndihmojmë dhe jo të ndjehemi të gjithë sikur jetojnë nën tërmet.

Teoritë konspirative për pagesat që ka detyrë shteti po të shpallë Gjendje të Jashtëzakonshme janë banalitet.

Shteti mund t’i ketë paratë dhe mund t’ua bëjë shtëpitë nga e para, ose mund të mos ketë asnjë lek, por ajo copa e letrës që shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme nuk e zgjidh këtë histori. E kemi pasur në vitin 1997 Gjendjen e Jashtëzakonshme dhe u detyruam ta injorojmë brenda javës. E vetmja klauzolë që vlen nga Gjendja e Jashtëzakonshme janë kufizimet e lirisë për përhapësit e panikut dhe helmit, që janë mobilizuar më shumë se ata që po luftojnë me vdekjen nën rrënoja. Shpresoj ta kuptojnë .

Sot kushdo që flet e kërkon të duket patriot, nuk ka nevojë të na japë mendje, as të shpikë teori konspiracioni. Nëse vërtet nuk e përmban dot veten të duket patriot në facebook, le të postojë ndonjë foto me dikë nga viktimat që e ka marrë në shtëpi të tij, apo që është duke e ndihmuar aty mes rrënojave. E tepërt është dhe kjo, se ngjan pak si ai hoxha që del nëpër ekrane si bamirës, por deri këtu dhe mund t’i durojmë.

Por këta që shpikin tërmete politike onlinë dhe fushata denigruese e përçarëse, për ta bërë dhe më të rëndë valën e tërmeteve që nuk po pushon, është mirë të heshtin, pasi kur kjo histeri të mbarojë, kur tërmetet të pushojnë dhe njerëzit të rikthehen në normalitet, do ngjajnë si korba që ushqehen me mish njeriu në këto ditë të zeza për shqiptarët./ tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • I demtuari: 30/11/2019 21:47

    Fol shqip z baze dhe ka nje emer qe tisi gazetar duhet ta dish termajt eshte miza qe Han drurin e shtepive dhe shtepija rrezohet Po une do THOJA Kush mize e hengri BETONIN e benesave DAKO RILINDASI I RAMES QE PER 10 - 15 vite ka prodhuar betonin e ketyre banesave qe po shemben

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Martinit/ PD kërkon interpelancë me Manastirliun: Ngjarje e paralajmëruar, Paketa e Sigurisë propagandë

Vrasja e Martinit/ PD kërkon interpelancë me Manastirliun: Ngjarje e paralajmëruar, Paketa e Sigurisë propagandë