Baze: Përse duhet të shkojmë në Durrës!

Baze: Përse duhet të shkojmë në Durrës!

Të gjithë e kemi të vështirë të ndalim Edi Ramën, Lulzim Bashën, apo politikanë e aktorë të tjerë të shoqërisë civile, të pozojnë para mjerimit të prodhuar ga tërmeti. Joshja për t’u dukur shpëtimtarë apo detyrimi për të qenë pranë njerëzve në nevojë, është pjesë e marketingut politik.

Por përtej detyrës së tyre si politikanë, apo detyrimit të njerëzve publikë për t’u dukur të dhimbsur, zonat e prekura nga tërmeti, duhet të ndalin së kthyeri në një terror psikologjik për vendin.

E dimë që gjithmonë do të ketë disa familje që nuk iu kanë shkuar ndihmat, disa fshatarë që duan më shumë lekë, disa të pasterhë që janë akoma në çadër, disa të dëmtuar që nuk ua kthejmë dot ata që kanë ikur…

Nëse do të bëhemi gjuetarë të pasojave, do të vazhdojmë të jetojmë me fatkeqësinë.

Por Durrësi dhe zonat e tjera të prekura kanë nevojë t’i rikthehen jetës.

Ajo që mund të bëjmë gjithë ne të tjerët, por dhe politikanët, është të shkojmë në Durrës, në mos për të kapur ndonjë lopatë, për të frekuentuar një restorant, për të pirë një kafe, për të blerë diçka që mund ta blejmë dhe në Tiranë.

Durrësi, Golemi, Thumana dhe Laçi kanë nevojë të rinisn jetën dhe jo të jetojnë përjetësisht me fatkeqësinë.

Do të ishte shumë herë më mirë që Edi Rama të shkonte të hante, ose të bënte sikur hante, një drekë në një restorantë të rihapur në Durrës, se sa në çadrat e atyre të mjerëve në shi, ku ka njerëz që i puthin dorën nga makthi.

Do të ishte më mirë që ministrat të shkojnë të riçelin biszneset e dëmtuara dhe t’u japin zemër të nisin punën.

Do të ishte më mirë që Durrësi të mos ishte vetëm pelegrinazh ndihmash dhe vullnetarësh, por dhe qytetarësh, që ta bëjnë të gjallë qytetin.

Do të ishte mire të pronotonim shumë nga ne, Vitin e Ri në hotelet e Durrëst e Golemit, të shtonim fundjavat në atë qytet dhe të rikthejmë normalitetin duke vrarë frikën.

Do të ishte mirë që artistët të jepnin koncerte në rrugë, aktorët të mos ziheshin kush do administrojë ndihmat e mbledhura, por të jepnin shfaqje në Durrës, stadiumi të hapej për ndeshje futbolli dhe qyteti të ndjehej i gjallë.

Qeveria ka detyrat e saj dhe të gjithë ata që merren me rindërtimin, kanë nevojë të jenë të mbështetur nga një kthesë pozitive psikologjike.

Lotët dhe historitë e trishta në ekranet tona, janë të pashmangshme, por krahas tyre ne duhet të prodhojmë histori reale shprese në ato zona.

Ndryshe do të ndërtojmë shtëpi për një qytet të vdekur, do të japim strehë për njerëz që nuk duan më të jetojnë aty.

Shumë nga ata njerëz të dëmtuar kanë pasoja të frikshme psikologjike nga ajo që ka ndodhur dhe e kanë të vështirë ta rinisin jetën aty, nëse të gjithë nuk ua bëjmë më të lehtë këtë.

Shkoni në Durrës! Në mos për të hequr ndonjë tullë nga rruga, për të pirë kafe në qytet, për të shetitur, për të dhënë një shfaqje, për të bërë një ndeshje futbolli, për të kënduar në rrugë, anash gërmadhave, për ta  bërë të ndjehet qyteti i gjallë.

Durrësi nuk është rrafshuar. Durrësi është në këmbë. Shumica  e qytetit është funksional dhe i bukur, siç ishte. Ajo që shfaqet në ekrane është një skenë lufte, që ne duhet ta mundim, dhe jo të na mundë.

Dhe këtu kryesorët janë politikanët, ata që tërheqin pas kamerat dhe vëmendjen e publikut.

Mos e bëni zi Durrësin, për të shkëlqyer si shpëtimtarë. Lereni të shikojmë dritat e ndezura të qytetit, edhe pse ju mund t’u dallojmë më pak mes tyre.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën