Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe të sheshit të Tetovës ka hapur një përplasje të re politike mes BDI-së dhe pushtetit lokal të drejtuar nga VLEN. Të dyja palët po akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësi, por kronologjia e procesit tregon se si secila prej tyre ka pasur mundësi ta parandalonte rikthimin e emrave të vjetër.

Debati u ndez pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës kishte ndryshuar emrat e disa rrugëve dhe të sheshit qendror të qytetit. Menjëherë pas vendimit nisën akuzat politike.

Bajram Rexhepi nga BDI deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën fyerje për qytetarët e Tetovës dhe kërkoi që Komuna e Tetovës të thërrasë brenda pak ditësh një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për të nisur procedurën e rimiratimit të vendimit të vitit 2007.

Sipas tij, nëse komuna merr një hap të tillë, këshilltarët e BDI-së do ta mbështesin pa rezerva.

“Nëse Komuna e Tetovës do të shprehë gatishmëri që të rimiratojë këtë vendim, do të ketë mbështetjen e plotë të këshilltarëve tanë. Nëse refuzon, atëherë do ta konsiderojmë bashkëfajtore dhe bashkautore të këtij vendimi skandaloz të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Rexhepi.

Ai shkoi edhe më tej, duke pretenduar se vendimi është “orkestruar dhe organizuar nga bota serbe dhe qarqet ruse që veprojnë në rajon”, me qëllim nxitjen e tensioneve etnike.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës i hodhi poshtë akuzat. Zëdhënësi i komunës, Albion Alili, tha se përgjegjësia kryesore bie mbi BDI-në, e cila sipas tij pati në dorë për gati dy dekada ta përfundonte procesin.

“BDI ka pasur 20 vite pushtet për t’i rregulluar të gjitha këto çështje, përfshirë edhe ndryshimin e emrave të rrugëve. Vendimin e vitit 2007 nuk e çuan deri në fund, sepse kërkohej miratim nga Qeveria. Ata kanë qenë në pushtet gjatë gjithë këtyre viteve dhe nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim”, tha Alili.

Komuna këmbëngul se çështja do të zgjidhet përmes procesit të ri për riemërimin e rrugëve, i cili ka nisur prej kohësh dhe aktualisht po vazhdon.

Por si arriti çështja deri në Gjykatën Kushtetuese?

Historia nis në prill të vitit 2007, kur Komuna e Tetovës drejtohej nga BDI dhe kryetar ishte Hazbi Lika. Në atë kohë, Këshilli Komunal miratoi një vendim për ndryshimin e emrave të sheshit dhe një sërë rrugësh që mbanin emra nga periudha jugosllave dhe komuniste.

Sheshi “Marshall Tito” u riemërua “Iliria”. Edhe rruga “Marshall Tito” mori të njëjtin emër. Rruga “JNA” u nda në disa segmente që morën emrat “Dervish Cara” dhe “Solunski Atentatori – Geminxhii”. Ndërsa rrugë të tjera u emërtuan “Mehmet Pashë Deralla”, “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit”, “Abdyl Frashëri” dhe “Sami Frashëri”.

Megjithatë, sipas ligjit në fuqi, për të hyrë në fuqi këto ndryshime duhej të merrnin edhe pëlqimin e Qeverisë. Ky pëlqim nuk u dha kurrë.

Si pasojë, emrat e rinj nuk u regjistruan në institucionet shtetërore si Kadastër, Regjistri Qendror apo Ministria e Brendshme. Në praktikë, për vite me radhë u krijua një situatë paradoksale: Komuna përdorte emrat e rinj, ndërsa institucionet shtetërore vazhdonin të përdornin emrat e vjetër.

Çështja qëndroi pezull për mbi 20 vjet.

Në shkurt të vitit 2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945 dorëzoi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të vitit 2007.

Sipas nismës, vendimi ishte në kundërshtim me ligjin pikërisht për shkak se mungonte pëlqimi i Qeverisë.

Një vit më vonë, në mars 2026, Gjykata Kushtetuese vendosi të hapë procedurë për shqyrtimin e rastit.

Më 17 qershor 2026, me pesë vota pro nga gjyqtarët maqedonas dhe kundërshtimin e dy gjyqtarëve shqiptarë dhe atij turk, Gjykata Kushtetuese vendosi ta shfuqizojë vendimin.

Sipas informacioneve të publikuara, gjatë shqyrtimit të rastit gjykata kërkoi disa herë dokumentacion shtesë si nga Komuna e Tetovës ashtu edhe nga Qeveria, por nuk arriti të sigurojë asnjë dokument që dëshmonte se pëlqimi i kërkuar ligjor ishte dhënë ndonjëherë.

Në arsyetimin paraprak theksohet se kushti i parashikuar në nenin 5 të ligjit nuk ishte përmbushur, ndaj vendimi nuk mund të qëndronte në fuqi.

Megjithatë, sipas analizës së Portalb.mk, edhe pushteti aktual lokal ka pasur mundësi ta shmangte këtë zhvillim.

Pas dorëzimit të nismës në vitin 2025 dhe sidomos pasi Gjykata Kushtetuese hapi procedurën në mars 2026, Këshilli Komunal kishte mundësi të shpallte të pavlefshëm vendimin e vitit 2007 dhe të miratonte një vendim të ri sipas procedurës ligjore, këtë herë me pëlqimin e Qeverisë.

Nëse kjo do të ndodhte, procedura në Gjykatën Kushtetuese do të ndërpritej dhe vendimi i vitit 2007 nuk do të shfuqizohej.

Por kjo nuk ndodhi.

Ndërkohë, procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë vazhdon prej disa vitesh pa një rezultat përfundimtar. Grupi i punës që merret me këtë çështje është riformuar në fillim të këtij viti dhe sipas kryetarit të tij, Albi Qamili, deri tani janë dorëzuar rreth 600 propozime.

Ai deklaroi se procesi ndodhet në fazën finale dhe se emrat e miratuar në vitin 2007 do të përfshihen edhe në vendimin e ri, por pa dhënë një afat konkret se kur do të përfundojë procedura.

Kështu, ndërsa BDI dhe VLEN vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për përgjegjësinë, fakti mbetet se vendimi i vitit 2007 u rrëzua për shkak të një procedure që nuk u përfundua kurrë dhe që asnjëra palë nuk arriti ta korrigjojë në kohë.