-Instituti Shqiptar i Medias u bëri sot thirrje të gjithë gazetarëve në vend, që të marrin pjesë në konkursin e Bashkimit Europian për ndarjen e çmimit për gazetarinë investigative.
Përfaqësuesja e ISHM, Ilda Londo u shpreh gjatë një aktiviteti të organizuar me këtë rast në Qendrën e Informimit të BE-së se, "çmimi i BE-së për gazetarinë investigative synon të nxisë dhe promovojë arritjet më të mira të gazetarëve investigativë, si dhe të përmirësojë vizibilitetin e gazetarisë cilësore investigative në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi".
BE dhe ISHM çmim për gazetarinë investigative; Foto: Flor Abazi
Çmimi i BE-së për gazetarinë investigative do të jepet çdo vit në secilin prej shtatë vendeve të Ballkanit Perëndimor në periudhën trevjeçare 2015-2017. Çmimi administrohet nga partneriteti rajonal i organizatave të shoqërisë civile, bashkërenduar nga Instituti i Paqes në Ljubjanë.
Instituti Shqiptar i Medias, si anëtar i partneritetit rajonal të organizatave të shoqërisë civile që administron çmimin e BE-së për gazetarinë investigative kërkon propozime për çmimin për artikuj ose kronika investigative botuar midis 1 janarit - 31 dhjetorit 2014, që raportojnë mbi çështje të shoqërisë lidhur me abuzimin e pushtetit dhe të drejtat themelore, korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, që përndryshe nuk do të ishin sjellë në vëmendjen e publikut.
BE dhe ISHM çmim për gazetarinë investigative; Foto: Flor Abazi
Londo theksoi se, "është e mundur të propozohen për çmimin e BE-së artikuj/kronika investigative botuar apo transmetuar në çfardolloj media në Shqipëri në shtyp, radio, TV, online ose kombinim i këtyre. Për çmimin mund të propozohet një gazetar ose një grup gazetarësh".
Fondi për çmimin në Shqipëri në 2015 (për arritje në 2014) është 10.000 euro. Çmimet do t'u jepen deri në tre propozimeve më të mira. Çmimi individual varion midis 3.000 dhe 5.000 euro. Për dhënien e çmimit do të ngrihet një juri me ekspertë.
Në bashkëpunim me Fondacionin "The Guardian" do të përzgjidhet artikulli më i mirë investigativ në rajon nga fituesit e garave të shtatë vendeve. Autori do të ftohet për një vizitë studimore pranë The guardian/Observer.
BE dhe ISHM çmim për gazetarinë investigative; Foto: Flor Abazi
Shefi i sektorit politik në përfaqësinë e BE-së në Shqipëri, Clive Rumbold në fjalën e tij theksoi se, "BE ka ngritur zërin për mbrojtjen e fjalës në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi".
Per ne, u shpreh Rumbold, "vënia e theksit në lirinë e medias është e natyrshme, duke pasur parasysh rëndësinë që ka media e lirë në demokraci. Gazetaria investigative mund të luajë rol shumë të madh dhe të pabesueshëm në jetën e qytetarëve. Për këtë arsye, BE po përdor teknika të ndryshme që të vërë në dispozicion mundësitë për të shtuar lirinë e fjalës".
"Liria e fjales ka qenë gjithnjë pjesë kryesore e kritereve të vendosur nga BE. Kemi monitoruar dhe raportuar mbi respektimin e lirisë së fjalës në të gjitha vendet, përfshi Shqipërinë. Media ka qenë gjithnjë kyçe për debatin politik. Shqipëria ka ende nevojë të marrë vendimet e duhura për të përmbushur këto prioritete. Besoj se lançimi i këtij konkursi do të sjellë shtim të lirisë së medias", tha Rumbold./atsh/