BE dorëzon skanerin CT për diagnostikimin e COVID-19 në QSUT! Manastirliu-Soreca: Së shpejti finalizojmë marrëveshjen me BE për vaksinat

BE dorëzon skanerin CT për diagnostikimin e COVID-19 në QSUT! Manastirliu-Soreca: Së shpejti finalizojmë marrëveshjen me BE për vaksinat

Një marrëveshje për infrastrukturën e vaksinimit dhe rritjen e mëtejshme të dozave të vaksinës antiCOVID, pritet të nënshkruhet mes Qeverisë Shqiptare dhe Bashkimit Europian. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, u shprehën se po punohet për finalizimin e marrëveshjes, gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjes së re të skanerit të avancuar, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pjesë e paketës mbështetëse të Bashkimit Europian.

“Sfida e radhës e të gjithëve ne është vaksina. Dhe unë jam shpresëplotë që marrëveshja me Bashkimin Europian do të finalizohet shumë shpejt. Për të vijuar për të siguruar vaksinimin edhe në vazhdim, paralel me çfarë qeveria shqiptare është duke bërë. Ne presim javën që vjen, në fillim të javës, rreth 9 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer. Qeveria shqiptare aktualisht ka parapaguar dozat për 800 mijë qytetarë, qoftë nëpërmjet instrumentit Covax, qoftë nëpërmjet kontratës direkte me Pfizer-in. Dhe po vijojmë të negociojmë për të patur kontrata të tjera. Vaksinimi është sfidë, është një proces, është një qëllim në vetvete për të përshkruar me shpejtësi kilometrin e fundit drejt fillimit të fundit të pandemisë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

“Së bashku ne po negociojmë një marrëveshje, për një grant prej më shumë se 11 milion euro për vaksinat. Për pajisjet për të shpërndarë vaksinat, por gjithashtu dhe blerjen e vaksinave. Shpresoj që ta nënshkruajmë këtë marrëveshje në ditët në vijim”, u shpreh Ambasadori Soreca.

Mbështetja e BE-së për parandalimin dhe trajtimin e COVID-19 në Shqipëri - Programi EU4Health (4.2 milionë euro) - përfundoi sot me sukses me dorëzimin e skanerit CT (tomografi e kompjuterizuar) për Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Në prani të Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kjo pajisje e përparuar u dorëzua në Departamentin e Radiologjisë të Spitalit Universitar “Nënë Tereza”, së bashku me pajisje tepër të sofistikuara për zbulimin e insuficiencave kardiake.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca shprehu vlerësimin për të gjithë mjekët dhe infermierët e katër strukturave COVID-19 në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan, si dhe për epidemiologët, biologët dhe studiuesit e Institutit të Shëndetit Publik për punën e tyre të vështirë në këtë luftë kundër shpërthimit të pandemisë.

 “Jam krenar që BE-ja mund të jetë përkrah jush. Këto janë kohë shumë të vështira në të gjitha vendet e botës, sigurisht edhe në BE. Edhe në këto kohë të vështira, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj e kanë mbajtur angazhimin dhe mbështetjen e tyre për Shqipërinë, dhe ky dhurim është shembulli konkret i kësaj lidhjeje të fortë. Ndërsa kjo kontratë përfundon sot, BE-ja do të vazhdojë të jetë përkrah Shqipërisë me ndërhyrje të tjera thelbësore kundër pandemisë, përfshi vaksinat”, tha Soreca

Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e QSUT, Ministrja Manastirliu vlerësoi mbështetjen e vendeve të Bashkimit Europian në këtë vit të pandemisë.

“Kemi nxjerrë shumë mësime këtë vit dhe një prej mësimeve të mësuara është se solidariteti ishte  arma e fuqishme, në momente shumë të vështira të kësaj pandemie. Investimet e bëra nga qeveria shqiptare dhe pajisjet e ardhura nga Bashkimi Europian e kanë fuqizuar sistemin tonë shëndetësor, kanë fuqizuar spitalet tona, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë dhe kjo ka qenë një pikë e fortë në menaxhimin e sukseshëm të pandemisë, pavarësishtë gjithë problematikave, sigurisht nuk themi që kemi qenë perfekt, por jemi përpjekur me të gjithë kapacitetet tona, me të gjithë forcën tonë dhe mbi të gjithë me armatën tonë të mjekëve dhe infermierëve”, tha Manastirliu.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Y-3: 10/03/2021 20:28

    CT (tomografi e kompjuterizuar)!!! e keni shkruajtur gabim CT quhet (Computertomographie) ose (Computertomografie)

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Bashkëshortja e Netanyahut nën hetim, akuzohet se ka frikësuar kundërshtarët politikë në gjyqin për korrupsion të liderit izraelit

Bashkëshortja e Netanyahut nën hetim, akuzohet se ka frikësuar kundërshtarët politikë në gjyqin për korrupsion të liderit izraelit