BE: Mbyllja e degëve të bankës serbe në veri të Kosovës, përshkallëzuese dhe kundër frymës së normalizimit

BE: Mbyllja e degëve të bankës serbe në veri të Kosovës, përshkallëzuese dhe kundër frymës së normalizimit

Foto ilustruese

Bashkimi Evropian u shpreh i shqetësuar të martën për mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të Kosovës, duke e vlerësuar këtë veprim kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Në një komunikatë shtypi, blloku tha se veprimet e pabashkërenduara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e marrëveshjes për normalizim si dhe “rrezikojnë bisedimet e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para në dorë”.

“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës u japin përparësi veprimeve të njëanshme dhe të pabashkërenduara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët”, thuhet në njoftim, në të cilin theksohet se statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja si dhe në ndërlidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Banka Postare Kursimore është institucion financiar që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë. Policia tha se gjatë operacionit të djeshëm janë konfiskuar "rreth një milionë e 600 mijë euro, 74 milionë e 700 mijë dinar, 19 mijë e 500 franga, 13 mijë e 800 dollar amerikan, 40 dollar australian si dhe dokumente dhe prova tjera".

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati tha të martën se operacioni është kryer nën dyshimin e bazuar se degët e Bankës Postare Kursimore po vepronin pa licencë.

“Sa i përket shumave që janë sekuestruar gjatë bastisjes, konsideroj që ato i takojnë një procesi gjyqësor tanimë meqenëse prokurori ka dhënë urdhër për bastisje. Ato besoj fillimisht shërbejnë si prova e pastaj mund të derivohet se si të veprohet tutje nga një proces i mirëfilltë gjyqësor që tanimë prokurori është vënë besoj në lëvizje dhe gjyqësori do të duhej ta trajtoj si lëndë dhe t’i jap epilog përkatës në lidhje me shkeljet ligjore që janë gjetur”, tha ai.

Banka Postare Kursimore tha në një reagim se fondet personave që kanë llogari në këtë institucion janë të sigurta dhe se të gjithë punonjësit e Bankës qëndrojnë në marrëdhënie pune.

“Përkundër ndërprerjes së përkohshme të funksionimit të Qendrës Rajonale në Mitrovicë, klientët e Bankës mund t'i kryejnë të gjitha shërbimet bankare në degët më të afërta në vendkalimet kufitare... si dhe në pjesën tjetër të rrjetit të biznesit të bankës”, thuhet në njoftim.

Ky institucion nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për të komentuar akuzat për veprimtari të paligjshme.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për operacionin e djeshëm të policisë së Kosovës, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i bashkërenduar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

Operacioni i djeshëm i policisë nxiti reagimin edhe të diplomatëve tjerë në Prishtinë si dhe të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky mision tha të martën se po përcjell me shqetëism të shtuar veprimet e policisë në veri duke nënvizuar se është thelbësore për të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për ta zgjidhur këtë çështje në kuadër të dialogut si dhe të shmangin veprimet destabilizuese.

“Sa i përket reagimit, nuk jam në dijeni për hollësitë, megjithatë çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të vendit”, tha zoti Murati.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, tha në një komunikatë shtypi se ishte njoftuar të hënën pak përpara fillimit të operacionit në veri.

“KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”, thuhet në njoftim.

Operacioni i së hënës ndodh gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar të bisedojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pagesave por pa sukses edhe pas shtatë takimesh.

Bashkimi Evropian u bëri thirrje sot të dyja palëve që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga i dërguari evropian për bisedimet Miroslav Lajçak.VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 22/05/2024 03:20

    Me shume se sa ceshtje license,une dyshoj qe nepermjet ketyre filjaleve financohen grupet serbe qe shkaktojne probleme ne V.te Kosoves.Pagesat Serbia mund t'i beje nepermjet bankave kosovare per qytetaret e saj.Por keto banka duheshin mbyllur gradualisht,qe te mos shkaktonin reagimin e aleateve dhe as te serbeve te Kosoves.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Italisë sfidën e parë në Euro 2024, kush fiton?



×

Lajmi i fundit

Vranësira e temperatura deri në 33 gradë celsius, parashikimi i motit për sot

Vranësira e temperatura deri në 33 gradë celsius, parashikimi i motit për sot