Bashkimi Europianmë në fund ka një kalendar konkret për avancimin e kandidaturës së Ukraine drejt anëtarësimit. Komisioni Europian pritet të propozojë më 16 qershor hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues për Ukrainën dhe Moldovën, në një lëvizje që mund të shënojë hapin më të rëndësishëm të Kievit drejt BE-së që nga nisja e luftës me Rusinë.
Propozimi do të paraqitet në mbledhjen e ministrave europianë në Bruksel, ndërsa vetëm dy ditë më vonë liderët e BE-së pritet të japin miratimin politik gjatë samitit të Këshillit Europian më 18-19 qershor.
Procesi i anëtarësimit të Ukrainës kishte ngecur prej muajsh kryesisht për shkak të bllokimeve nga Hungaria. Ish-kryeministri Viktor Orban kishte kundërshtuar vazhdimisht çdo përparim të Kievit drejt BE-së. Por situata ndryshoi pas zgjedhjeve parlamentare të marsit, ku Orban humbi pushtetin pas 16 vitesh në krye të qeverisë hungareze.
Qeveria e re e drejtuar nga Peter Magyar nuk ka dalë hapur në mbështetje të anëtarësimit të Ukrainës, por ka sinjalizuar një qasje më të moderuar. Sipas raportimeve, Magyar pritet të vizitojë Brukselin këtë javë dhe mbështetjen e tij mund ta lidhë me kërkesën për zhbllokimin e fondeve europiane të ngrira për Hungarinë për shkak të shkeljeve të ligjit europian gjatë qeverisjes së Orban.
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, kishte deklaruar në prill se negociatat për grupin e parë të kapitujve do të mund të nisnin sapo të përfundonte tranzicioni politik në Hungari. Sipas saj, kjo mund të ndodhë gjatë presidencës së Cyprus në BE, e cila zgjat deri në fund të qershorit.
Ndërkohë, brenda Europës po vazhdon debati për mënyrën se si Ukraina mund të integrohet në BE. Kancelari gjerman Friedrich Merz sugjeroi javën e kaluar që Ukraina mund të marrë fillimisht statusin e një “anëtari të asociuar”, pa të drejtë vote të plotë në union. Ideja u refuzua menjëherë nga Kievi.
Edhe ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide hodhi poshtë mundësinë që Ukraina të hynte fillimisht në Zonën Ekonomike Europiane si hap i ndërmjetëm drejt anëtarësimit të plotë, duke e quajtur atë një marrëveshje “shumë të veçantë” dhe jo domosdoshmërisht të përshtatshme për Ukrainën.
Negociatat për anëtarësimin në BE ndahen në gjashtë grupe të mëdha kapitujsh, të quajtur “clusters”, që mbulojnë fusha të ndryshme të ligjit dhe politikave europiane. Hapja e secilit grup kërkon miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare dhe çdo shtet mund të vendosë veto nëse mendon se vendi kandidat nuk po ecën me reformat.
Grupi i parë që pritet të hapet për Ukrainën lidhet me shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe ekonominë. Edhe pse është kapitulli i parë që hapet, ai zakonisht është i fundit që mbyllet gjatë procesit të negociatave. Sipas planit aktual të Brukselit, grupet e tjera negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë mund të hapen gjatë muajit korrik.
Komente





