Në një deklaratë publike të shpërndarë nga avokati i tij Ilir Yzeiraj, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka kritikuar përdorimin e termave “ndëshkim” dhe “pandëshkueshmëri” në ligjërimin publik dhe politik në Shqipëri, duke i cilësuar ato si nocione me karakter “inkuizitor” dhe jo pjesë të gjuhës moderne të drejtësisë penale.

***

(Pa)ndëshkueshmëria është nocion inkuizitor

“Shqipëria duhet t’i japë fund pandëshkueshmërisë!” dhe “Në Shqipëri nuk ka më pandëshkueshmëri!” janë fjali, por edhe slogane, të bëra pjesë e ligjërimit publik dhe politik në Shqipëri gjatë 15 viteve të fundit.

Fillimisht janë lexuar në raporte ndërkombëtare për Shqipërinë. Më vonë janë dëgjuar, dhe vazhdojnë të dëgjohen, edhe nga politikanë shqiptarë.

Por, për fat të keq, janë raporte të përkthyera keq.

Raportet në fjalë kanë shkruar për “impunity”, që do të thotë mosdënueshmëri. Rrënja e fjalës është “punition”, domethënë dënim.

Po pse vallë është zgjedhur në shqip fjala “ndëshkim” në vend të fjalës “dënim”? Sepse të dyja janë fjalë shqipe.

Në jetën e përditshme këto dy fjalë, “dënim” dhe “ndëshkim”, mund të përdoren si sinonime. Por fjalori i drejtësisë penale nuk duhet të ngatërrohet me ligjërimin publik. As Kodi Penal dhe as Kodi i Procedurës Penale nuk e njohin termin “ndëshkim”.

Termi “ndëshkim” të sjell në mendje “ekspeditat ndëshkimore”. Por këto ekspedita shqiptarëve ua kanë bërë pushtuesit.

Dënimi është pasojë e kryerjes së një veprimi të ndaluar, të përcaktuar qartësisht si i tillë. Pasoja mund të jetë e ndryshme: ndalim i përkohshëm, ndalim i përhershëm, gjobë, kufizim lirie, punë në komunitet etj.

Ndëshkimi është si dënimi, por përfshin edhe vuajtjen dhe dhimbjen si pjesë të pasojës së kryerjes së një veprimi të ndaluar. Jo detyrimisht vuajtje dhe dhimbje fizike. Madje, më së shumti, vuajtje jofizike dhe dhimbje jofizike. Ndëshkimi mbështetet mbi hakmarrje dhe shpagim.

Ndëshkimi i ka rrënjët në mesjetë. Feja e përfshin ndëshkimin në fjalorin e saj.

Dënimi është pjesë e shtetit modern të së drejtës.

Ndëshkimi është komponent i një procesi inkuizitor, ndërsa dënimi është komponent i një procesi akuzator.

Babai i drejtësisë penale moderne, Cesare Beccaria, në vitin 1764 shkroi kryeveprën në formë eseje me titull “Krime dhe dënime” (*Dei delitti e delle pene*). Beccaria flet për dënime (*pene*) dhe jo për ndëshkime (*castighi*).

Unë nuk besoj se kush deklaron sot se në Shqipëri ka marrë fund pandëshkueshmëria, do të thotë se ka marrë fund mosvuajtja dhe mosdhimbja.

Prandaj përdorimi i fjalëve “ndëshkim”, “pandëshkueshmëri” etj., duhet të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur në ligjërimin publik dhe politik.

Të parët duhet të jenë politikanët e lartë dhe personat me ndikim në opinionin publik.

Ilir Beqaj