Më 20 dhe 21 maj 2026, në dy procese të ndryshme në GJKKO, unë, Ilir Beqaj, u trajtova në dy mënyra krejt të kundërta.

Në procesin A, çështja “SASPAC”, ku kam masën “arrest me burg”, seanca zhvillohej me dyer të mbyllura. Kërkova ta ndiqja gjykimin pranë avokatit tim dhe jo nga kafazi i sigurisë. Gjykata tha se kjo ishte kompetencë e administratës së burgjeve. Administrata refuzoi, duke u mbështetur në një praktikë të unifikuar për të gjithë të paraburgosurit.

Në procesin B, çështja e instrumenteve kirurgjikale, ku kam vetëm masën “detyrim paraqitjeje”, kërkova të qëndroja pranë avokatit tim. Këtë herë, gjykata urdhëroi administratën e burgjeve të ma mundësonte qëndrimin në sallë dhe urdhri u zbatua.

Këtu qëndron absurdi.

Paraburgimi lidhet me mbarëvajtjen e hetimeve dhe rrezikun procedural. Ndërsa vendosja në kafazin e sigurisë lidhet me sigurinë në sallën e gjyqit dhe duhet të bazohet në një vlerësim individual të rrezikshmërisë.

Megjithatë, administrata e burgjeve pranoi vetë se zbaton një praktikë të njëjtë për çdo të paraburgosur, pa analizë konkrete për rastin individual.

Kështu:

- në procesin A, me dyer të mbyllura dhe pa publik, u vendosa në kafazin e sigurisë;

- në procesin B, me seancë të hapur, u lejova të qëndroja pranë avokatit tim.

Nëse shqetësimi lidhej me publikun apo rendin në sallë, logjika do të kërkonte të kundërtën.

Në procesin A, më 20 maj, e mërkurë, u konsiderova rrezik që duhej izoluar.

Në procesin B, më 21 maj, e enjte, qëndrova pranë avokatit tim pa asnjë incident:

- nuk ika;

- nuk ndikova mbi prova apo dëshmitarë;

- nuk cenova rendin;

- nuk krijova problem sigurie.

Kjo tregon se ekzistonte një mënyrë më pak kufizuese për garantimin e sigurisë.

Unë jam i njëjti person që, në dy procedime penale të ndryshme, jam:

- i akuzuar nga i njëjti SPAK;

- i gjykuar nga e njëjta GJKKO;

- i shoqëruar nga e njëjta administratë burgjesh.

Megjithatë:

- të mërkurën u vlerësova “i rrezikshëm”;

- të enjten rezultova “i parrezikshëm”.

Brenda së njëjtës gjykatë u zbatuan dy standarde të ndryshme:

- një trupë gjykuese ia la vendimin administratës së burgjeve;

- një tjetër mori vetë vendimin dhe urdhëroi administratën.

Në një rast, administrata e burgjeve refuzoi kërkesën time pa vlerësim individual; në tjetrin, e zbatoi urdhrin e gjykatës pa problem.

Prandaj, në mungesë të një shpjegimi logjik apo ligjor, mbetet vetëm një përfundim komik.

Unë, Ilir Beqaj:

- qenkam i rrezikshëm në ditët e javës që e kanë gërmën “r” në emrin e tyre (“e mërkurë”) dhe i parrezikshëm në ditët e javës që nuk e kanë gërmën “r” në emrin e tyre (“e enjte”); ose

- qenkam i rrezikshëm në datat me numër çift të muajit (20 maj) dhe i parrezikshëm në datat me numër tek të muajit (21 maj).

Pra, qenkam gjysmë i rrezikshëm dhe gjysmë i parrezikshëm.