TIRANË, 20 Maj /ATSH-Z.Tosku/- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i është bashkuar takimeve të kryebashkiakut Elvis Rroshi, njëkohësisht kandidati i Partisë Socialiste, me banorët e Kavajës, ndërsa ka shprehur bindjen se Rroshi do të rizgjidhet nga qytetarët për një mandat të dytë në krye të këtij qyteti.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Beqaj ka folur për nismat që janë ndërmarrë në sistemin shëndetësor shqiptar, si dhe për programin e qeverisë, që ka ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së këtij sektori të rëndësishëm.
Ministri ka theksuar se mbështetja e qeverisë për Kavajën është provuar që në ditët e para të kabinetit të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe sipas tij, e tillë do të jetë edhe në dy vitet e ardhshme.
"Ne u angazhuam që tatimi mbi vlerën e shtuar 10%, apo taksën e sëmundjes për barnat ta hiqnim dhe këtë e bëmë realitet. Ne u angazhuam që çmimet e barnave të mos jenë më të shtrenjta se në vendet ku prodhohen. Sot shumë barna kushtojnë 30-40 apo 50% më pak. Po zbatojmë programin për kontrollin shëndetësor bazë nga 40 në 65 vjeç. Pushteti vendor do të ketë më shumë kompetenca për qendrat shëndetësore. Ne do të vendosim standardet dhe pushteti vendor përcakton se ku do të hapet qendra. Qeveria ka plane të rëndësishme për zhvillimin e Kavajës dhe zonave pranë saj, që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës", tha Beqaj.







