Kapiteni i Kombëtares Berat Gjimshiti është prezantuar zyrtarisht te klubi i ri Al Diriyah, që këtë sezon do të luajë në elitën e futbollit të Arabisë Saudite. 33-vjeçari u largua nga Atalanta pas 10 vitesh, duke marrë me vete kujtime të paharrueshme siç është edhe fitimi i Europa League. Për këtë dhe shumë arsye të tjera Gjimshiti nuk mund të mos përshëndetej me tifozët, teksa në rrjetet sociale shkruan se ‘erdha në Bergamo me dëshirën e fortë për të provuar vlerat e mia dhe po largohem duke e ditur se ky vend më ka dhënë shumë më tepër se futbolli’.
Gjimshiti, i cili në shumë ndeshje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te italianët, thotë se lidhja me Bergamon do të jetë shumë e fortë pavarësisht largimit, pasi ‘familja e tij u rrit në këtë qytet’. Në fund mbrojtësi e mbyll duke thënë se ‘tani fillon një kapitull i ri, por ka vende që ti nuk mund të largohesh kurrë’.
Në vitet e fundit flitej gjithmonë për transferimin e Gjimshitit në Arabinë Saudite, por Atalanta vendoste veton, pasi shqiptari ishte element kyç në mbrojtje. Për ta marrë nga italianët Al Diriyah paguan 3 milionë euro, ndërsa vetë Gjimshiti nga 1 milionë euro që merrte në Seria A tani do përfitojë rreth 4 milionë euro. Pjesë e operacionit për transferimin e Berat Gjimshiti ishte edhe Olsi Rama, drejtori i përgjithshëm i Partizanit.
“I lumtur që isha pjesë e kalimit të kapitenit të Kombëtares sonë nga Atalanta BC tek Diriyah Club në Saudi Pro League. Falëminderit menaxherëve të tjerë që kontribuan në këtë transferim dhe suksese Beratit në këtë aventurë të re”, shkruan në një postim Olsi Rama.
Pak ditë më parë Olsi Rama ishte edhe pjesër e operacionit që transferoi Karim Adeyemi-n nga Dortmund-i te Barcelona për 22 milionë euro.








Komente
Komento