Berisha bleu vizitën në SHBA
200 mln lekë për lobuesin

Berisha bleu vizitën në SHBA<br />200 mln lekë për lobuesin
TIRANE- Pa kaluar as 12 orë nga takimi i kryeministrit Sali Berisha me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, nga Thesari i shtetit shqiptar kanë kaluar në adresë të kompanisë amerikane të lobimit “Podesta Group Inc” 184.234 dollarë të drejtuar nga John Podesta.

Pagesa është kryer në rrugë bankare, nga Raiffeisen Bank në Shqipëri, në drejtim të llogarisë bankare të kompanisë së sipërpërmendur në Uashington. Afro 200 milionë lekë të vjetra nga taksat e shqiptarëve janë shpenzuar kështu për të shpërblyer ata, që kanë “çelur” rrugën e kryeministrit në takimet e tij me zyrtarët amerikanë, ashtu si edhe në të kaluarën."

MARREVESHJA

Në fakt, midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë së konsulencës "Podesta Group" ekziston një marrëveshje e hershme, e nënshkruar për palën shqiptare nga Gjergj Lezhja, sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, në emër të Këshillit të Ministrave. Afati i fundit i saj ishte 31 marsi i këtij viti, por në të parashikohet rinovimi, me vullnet të të dy palëve, çdo gjashtë muaj. Pagesa e parashikuar në adresë të kësaj kompanie është 60 mijë dollarë në muaj. Por, pa kaluar ende as një muaj nga rinovimi, qeveria shqiptare ka parapaguar mikun e saj në Uashington për tre muaj njëherësh. Ajo është treguar sërish dorëlëshuar për të hapur me mjete financiare nga buxheti rrugën e kryeministrit në SHBA, siç ka bërë edhe në të kaluarën, madje edhe në raste të fushatave elektorale të partisë në pushtet.
PAGESAT
Pak kohë më parë qeveria vendosi një pagesë, po prej 200 milionë lekësh të vjetra, për kompaninë amerikane Patton Boggs, e njohur si firmë lobuese për qeverinë shqiptare. Patton Boggs po përgatit privatizimin e kompanisë Albpetrol dhe do të marrë edhe përqindje për këtë. Firma amerikane, në përbërje të së cilës është edhe Frank Wisner, u akuzua nga Geri Kokalari se ka mbuluar vizitën e mëparshme të Sali Berishës në Nju Jork. Ajo ka nënshkruar një kontratë me qeverinë shqiptare në vitin 2008 për këtë çështje, por më vonë ka nënshkruar një tjetër kontratë në vitin 2010. Ëisner, një ish-diplomat, përfaqësues special i SHBA në bisedimet që u organizuan për Kosovën, kërkoi një vit më parë që ish- presidenti egjiptian, Mubarak të qëndronte në pushtet, edhe pse ai ishte në grahmat e fundit.

SKANDALI
Janë të njohura shumat deri në 500 mijë dollarë amerikanë, që qeveria Berisha ka dhëne, prej vitit 2006, për ish-sekretarin për Sigurinë të Shteteve të Bashkuara Tom Ridge dhe skandalin që shpërtheu në Uashington, pasi ish-zyrtari i lartë nuk kishte treguar në organet kompetente të vendit të tij fondet e marra nga qeveria shqiptare. Skandali "Rixh" u mbyll, por jo "rubineti" i fondeve, që qeveria e Berishës dha vazhdimisht për lobistët në SHBA.

PROBLEMET
Sa më shumë shtohen problemet për një qeverisje tashmë shtatëvjeçare nga koalicioni i djathtë dhe vetë Berisha në krye të tij, aq më shumë ai e ka ndjerë nevojën e lobimit jashtë vendit. Tashmë opinioni shqiptar po "bombardohet" me takime të zyrtarëve të niveleve të ndryshme, kryesisht nga SHBA dhe Britania, me VIP-at e politikës shqiptare, aq sa në media zenë vend edhe hollësi për konferenca shtypi, fjali të caktuara, etj. Ndërkohë që, për opozitarët takimet kanë rëndësi në promovimin e tyre, qeveritarëve u duhen për të treguar se të huajt i mbështesin ende, pavarësisht problemeve në vend. VIP-at në pushtet kanë në favor të tyre buxhetin e shtetit.
Shkrimi eshte botuar sot ne gazetën Shqiptarja.com

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!