Një ditë para zgjedhjeve në Partinë Demokratike, ku Sali Berisha pritet të rikonfirmohet pa garë në krye të partisë, debati në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv nxori në pah problemin që edhe vetë demokratët pranojnë brenda opozitës: mungesën e hapjes dhe të garës reale. Ndërsa anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, tha se partia duhet të hapet më shumë pas këtij procesi, politologu Alban Daci e cilësoi krizën më të thellë, duke e lidhur me dominimin e gjatë të Berishës dhe largimin e elitave nga PD.
“Mendoj që PD do të ishte shumë më mirë nëse do të kishte një garë. Por kur nuk ka kandidat që plotëson kriteret, nuk mbetet gjë tjetër veçse të kandidojë një kandidat në formën e një referendumi për kryetarin aktual. PD ka shumë sfida përpara vetes. Është thelbësore që të hapet. Duhet të kthehet në një parti moderne si partitë simotra në BE. Ka shumë punë për t’u bërë gati për të qenë alternativë fituese”, tha Muçollari, duke argumentuar se mungesa e rivalëve përballë Berishës lidhet edhe me perceptimin brenda partisë se ai mbetet figura më e fortë politike në PD.
Nga ana tjetër, analisti Alban Daci tha se problemi i opozitës është më i thellë sesa mungesa e garës për kryetar. Sipas tij, PD vazhdon të dominohet nga e njëjta figurë prej 35 vitesh, ndërsa shumë prej elitave të saj janë larguar.
“Kështu siç është partia, e ka të pamundur të mundë Ramën. Problemi i PD-së është i brendshëm. Një PD që shkon në zgjedhje me dikë që e ka dominuar partinë për 35 vite, në një kohë kur janë djegur gjenerata të tëra demokratësh, një pjesë e madhe nuk janë pjesë e PD ndërsa disa të tjerë janë larguar me artifica. Ajo që më shqetëson mua nuk është problemi që PD dëshiron të konfirmojë Berishën, problemi është që elitat e vërteta të PD ndër vite e kanë braktisur atë dhe nuk po i afrohen. Numri i njerëzve që largoi PD është shumë më i vogël se i atyre që nuk kanë interes më për PD. Nëse kjo është linja për të cilën PD mendon që është më e mirë për të, për të qenë përballë Ramës, duhej të ishin bërë shumë gjëra ndryshe dhe procesi i konfirmimit duhet të ishte real që nga nivelet drejtuese deri tek niveli më i thjeshtë“ tha Daci.
Në debat u diskutua edhe nevoja për ndryshime në opozitë pas zgjedhjeve të së shtunës, ndërsa Muçollari u shpreh pro një reforme zgjedhore ku pragu elektoral të ishte edhe 4 % dhe theksoi se opozita duhet të synojë marrëveshje të sinqerta mes partive përballë mazhorancës.
Komente










