Referendumi i 23 majit, ku demokratët do të votojnë si kandidat për kryetar të Partisë Demokratike vetëm Sali Berishën nuk do të ketë surpriza, por ai do të shtyjë përkohësisht betejën për rrëzimin e Edi Ramës.
Nga SPAK ku ishte në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën “Partizani” kreu i PD tha se deri në qershor, energjinë e opozitës do ta marrë procesi i zgjedhjeve të brendshme.
Megjithatë, premtoi se protesta e radhës do të mbahet në fillim të qershorit, pa specifikuar një datë.
“Në mënyrën më të fuqishme do të vazhdohet me protesta, por siç e dini nga sot deri më 30 maj janë dy ngjarje të mëdha, referendumi për votëbesimin e kryetarit dhe Kuvendi Kombëtar. Këto janë procese që kërkojnë punë, përgatitje teknike. Ditët më të para të qershorit do të jetë kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria!”, tha Berisha.
Për garën e PD, Berisha ka përjashtuar kandidatët që kanë shprehur ambicien si Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj e Mereme Sela. Zgjedhjet për kryetarin e PD mbahen të shtunën e ardhshme ndërsa fushata, që ka nisur më 15 maj, po zhvillohet në heshtje.
Ndërkohë më 30 maj, do të mblidhet Kuvendi Kombëtar për rishikimin e statutit të PD-së, që deri më tani grupi i punës nuk ka nxjerrë asnjë propozim nga të djathtët.
Komente










