Berisha: Makinat e Ermal Hoxhës
por hedh foto të sportistit të vdeku

Berisha: Makinat e Ermal Hoxhës<br />por hedh foto të sportistit të vdeku
Berisha postoi dje disa foto makinash luksoze, duke komentuar se bëhej fjalë për parkun e makinave të “baronit të drogës Ermal Hoxha”. “Parku i makinave të baronit të drogës Ermal Hoxha ka rreth 20 vetura luksi me çmim nga 60 - 170 mijë euro copa” thuhej në statusin e Berishës.

Në njërën prej fotove të postuara prej tij ishte edhe ajo e sportistit Kastriot Kukaj, i vrarë në tetor të vitit 2013, në Pejë, ku kishte dalë rreth tre vite më parë me makinën e tij tip-Hammer. Fotoja është parë nga kosovarë të shumtë, të cilët kanë telefonuar menjëherë familjarët e të ndjerit.

Kushëriri i parë i Kukajt, Mendrit Berisha thotë se botimi i fotos së të ndjerit nga Sali Berisha, duke e cilësuar si baron droge është i turpshëm. “Kastriot Kukaj është djali i hallës sime dhe prej tetorit të vitit 2013 nuk jeton më. Makinën, të cilën Berisha e ka hedhur në Facebook, është e djalit të hallës sime dhe së bashku e kemi sjellë nga Amerika. Madje edhe një makinë tjetër në fotot e që ka hedhur ish-kryeministri i Shqipërisë është e jona. E kemi marrë në Amerikë. Kjo që Berisha ka bërë është e turpshme”- rrëfeu Mendrit Berisha.

Mendrit një nga fotot që Sali Berisha ka hedhur në Facebook është kushëriri juaj. Cilaështë lidhja juaj me komentin e bërë nga ish-kryeministri? 
Jemi habitur dhe shqetësuar shumë nga ai status. Ajo makinë nuk ka asnjë lidhje me ato që shkruan Sali Berisha. Si mund të hedhë ai foton e një të ndjeri në “Facebook”, duke komentuar gjëra pa lidhje?! Në njërën nga fotot që Berisha ka hedhur është e Kastriot Kukaj dalë në makinën e tij tip Hummer. Këtë makinë unë dhe Kukaj e kemi sjellë disa vite më parë nga Amerika. Madje edhe një makinë tjetër në fotot që ka hedhur Berisha është e jona, e kemi sjellë gjithashtu nga Amerika.

Si mendoni, nga kanë dalë këto foto? 
Berisha i ka marrë këto foto nga profili në “Facebook” i një servisi makinash në Tiranë, ku ne kemi lyer disa makina. Ky servis i publikon fotot për t’i bërë reklamë punës së tij.

Ku ndodhen tani këto makina?
Makina tip-Hammer kabriolet, ku ka dalë në foto Kastrioti, e mbajmë si kujtim prej tij në garazh. Gjithashtu kemi edhe makinën tjetër që e ruajmë ende. Ato janë makina të blera me paratë që familja e Kastriotit si dhe vetë ai i kanë siguruar nga puna e tyre. Familja Kukaj është familje sportistësh, familje e nderuar dhe nuk ka lidhje me baronë drogash.

Mendrit jeni ndjekës të profilit “Facebook” të Sali Berishës? 
Jo. Gjatë ditës së sotme (dje) më kanë telefonuar mbi 30 persona për të më treguar se Sali Berisha ka publikuar foto të Kastriotit. Kur pashë statusin u trondita. Kastrioti nuk jeton më dhe foto e një të ndjeri nuk mund të publikohet në ato rrethana. Kastrioti u vra 12 tetor të vitit 2013 në Pejë gjatë një atentati të ngritur një tjetër personi. Rastësisht djali i hallës sime ndodhej në të njëjtin lokal ku i krye atentati dhe u godit nga disa plumba, duke gjetur vdekjen. Kjo ngjarje ne si familje na ka shkaktuar shumë dhimbje. Mua personalisht më ka lënë me pasoja. Tashmë kur shikoj që fotot e Kastriotit publikohen me komente që nuk kanë lidhje me të na irritojnë pa masë.

Reaguat për këtë status? 
Po, menjëherë shkrova një koment poshtë statusit të Berishës, por ai u fshi. Më pas telefonova në numrin e bërë publik në faqen e Facebook-ut të Berishës, por nuk u përgjigj askush. Doja të flisja vetë me Berishën.

Çfarë do t’i komunikonit Berishës? 
Do t’i thosha se gjesti i tij është i turpshëm. Është turp i turpeve. Këtë gjest nuk do të bënte asnjë çun rrugësh dhe jo më një ish-kryeministër si Sali Berisha. E theksoj, të publikosh foton e një të ndjeri, për diçka që nuk ka të bëjë me të, është një turp i madh.

Statusi i Berishës
Parku i makinave të baronit të drogës Ermal Hoxha ka rreth 20 vetura luksi me çmim nga 60 - 170 mijë euro copa! Të dashur miq, avokati Asad, pas seancës gjyqësore të Ermal Hoxhës, organizatorit kryesor të grupit të kokaineës, bandës së "Partisë Hakmarrja për Drejtësi", menaxherit të uzinës më të madhe në Ballkan jo të nitratit, por të kokainës, ju deklaroi shqiptarëve se klienti i tij ishte një i papunë, i pastrehë dhe për pak sa nuk i shkau goja të thoshte se ai kishte vetëm 3 mijë euro kursime (fiks sa miku për kokë i prindërve të tij, Edvin Kristaq Rama). Për të faktuar pretendimet publike të avokatit Asad, policia e partisë po bën gjithçka për të ndihmuar në zhdukjen e provave. Kështu, Policia e Partisë po fsheh parkun e baronit të varfër të drogës Ermal Hoxha në Durrës prej 20 autoveturave luksoze me çmim nga 60 - 170 mijë euro secila. Në fotot poshtë keni disa prej tyre që dëshmojnë se sa i varfër është në të vërtetë klienti i avokatit Asad! Partia Siçiliste është në këmbë për të nxjerrë Ermalin viktimë politike të Berishës, siç e quajti Zonja e Zezë në deklaratën e saj!! Sb

Marrë nga Shekulli

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)