Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nën akuzë nga SPAK për aferën e dosjes “Partizani” prej vitit të kaluar dhe tashmë i pandehur, ka mbledhur sot (13 Dhjetor) Këshillin Kombëtar.
Tematika kryesore e mbledhjes ka qenë fushata për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke dhënë edhe direktiva politike për organizim elektoral.
Ai tha se “PD është shpresa e vetme për shqiptarët”, teksa hodhi akuza ndaj qeverisë për vjedhje të zgjedhjeve.
“Në kushtet e diktaturës, shumë njerëz heshtin, të tjerë akomodohen, të tjerë pajtohen, pra ka shumë zgjidhje. Ne nuk heshtëm, nuk u pajtuam, nuk u përshtatëm, dhe ne ja dolëm, ja dolëm të qëndrojmë, ja dolëm që zëri ynë të arrijë nga një zë i mbytur në një zë që u dëgjua, jehoi në të gjithë botën. Në një anë votën ua diktonte vrasësi, ua diktonte qeveritari, ua diktonte terroristi patronazhist, ua diktonte aktivisti. Në anën tjetër, nuk kishte ndonjë njohje ndërkombëtare, dhe tani kjo është e sanksionuar. Është e njohur. Edi Rama nuk bën zgjedhje, Edi Rama bën farsë elektorale”, tha Berisha.
Sali Berisha thotë se protesta e paralajmëruar e opozitës në 23 dhjetor do të jetë masive dhe se do të synohet bllokimi i Tiranës nga të gjitha drejtimet. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ai tha se kjo është pjesë e mosbindjes civile.
“Më datën 23 dhjetor, ditën e hënë në ora 17.00, kemi mosbindjen civile më të fuqishmen që ka parë Tirana ndonjëherë. Mbarë bota mezi pret këtë akt, këtë mosbindje. E kanë pëlqyer shumë, kudo në botë. U them unë juve. Se një gjë duhet ta dini. Atë ndihmë që na ka dhënë ne shtypi ndërkombëtar, nuk i dalim borxhit kurrë. Tiranën nga Qafë Priska gjer në Vorë duhet ta bllokojmë plotësisht, totalisht nga të gjitha drejtimet. Jam i sigurt se, ju do të mobilizoni të gjithë potencialet që kemi për të bërë një nga mosbindjet civile më të shkëlqyera, më të fuqishmet që kemi realizuar ndonjëherë” – tha Berisha.
Më tej u përqendrua te reforma në drejtësi, duke e sulmuar përsëri si ide dhe projekt të Geoarge Soros.
“Në asnjë vend kurrë një parti e shtetit ligjor, siç jemi ne, nuk mund të imagjinojë të bëjë betejën me drejtësinë. Ajo bën betejë kur drejtësia shndërrohet në instrument të diktaturës. Po në diktatura, drejtësia është një nga armët kryesore të saj. Dhe ne ç’na ndodhi? Na ndodhi një drejtësi dhuratë, me një bujë ndërkombëtare që tejkalon imagjinatën. Një drejtësi e cila u projektua fund e krye nga Xhorxh Sorosi, vetëm për ta dorëzuar atë si degë ekzekutivi te Edi Rama. Këta të cilët e mbronin, e mbronin nga frika e Sorosit, ua them unë ju, ta dini këtë. Edhe sot janë të shumë, ata që ulin zërin kur flasin për Sorosin, këtë monstër të njerëzimit, një monstër e vërtetë. Një monstër, sepse në pikëpamjet e tij që mbështeti tejkaloi Marksin”, vijoi kreu i PD akuzat.
Ish-kryeministri ngriti zërin duke nënvizuar se “Shqipëria është bërë si kopsht eksperimental”. Por sipas tij, “vetë Zoti e shpëtoi Donald Trumpin, që ai të shpëtonte botën nga këto ideologji marksisto-leniniste”. Ai madje pohoi se PD bëri fushatë hapur pro Trump.
“SHBA përcaktojnë me agjendën e tyre dhe ndaj ne bëmë thirrje haptas, bëmë çfarë ishte e mundur, brenda ligjit amerikan, pa e cenuar atë, të japim kontributin tonë sado modest, sado minimal në këtë aspekt”, vijoi Berisha, duke i ‘varur’ shpresat te administrata e Trump.
Kreu i selisë blu u tha të pranishmëve se duhet të dalin në bazë për takime me njerëzit, duke marrë si referencë krahasuese Donald Trump, për të cilin tha se i kishte kundër mediat dhe rrjetet sociale, dhe arriti të fitonte, por sipas tij, “çdo gjë u bë pluhur pas takimeve me qytetarët nga Trump”.
Ai kritikoi edhe buxhetin që kaloi mazhoranca në parlament, teksa theksoi se nuk ka minimum jetik, pensionet janë të ulëta, aq sa një gjerman paguan për qenin e tij, po kështu rrogat. Ai premtoi se do i dyfishonte ato nëse do fitonte PD zgjedhjet.
Gjithashtu akuzoi edhe për abuzimet me koncesionet apo tenderimet e rrugëve, ku përmendi disa lote dhe prokurime. Në fund ai bëri thirrje për mobilizim edhe për protestën e radhës që do mbajë opozita, në kërkim të rrëzimit të qeverisë dhe skandaleve të korrupsionit.