TIRANË- Deklaratat e kryeministrit Edi Rama se një ndër arsyet pse një protestë lokale mori vëmendje botërore ishte edhe algoritmi i rrjeteve sociale, Sali Berisha i sheh si fantazi. Komentet i bëri gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, nga ku akuzoi Edi Ramën se Shqipërinë e trajton si çiflig për interesat e tij, duke thënë se investimit në Zvërnec i hapi rrugë duke ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura.

“Unë këto qëndrime i komentoj si trillime, si fantazi të sëmura, si verbëri nga pushteti e Edi Ramës. Fajin nuk e kanë as algoritmet, as influencerët, as interneti. Fajin e ka ai që e konsideron Shqipërinë çiflig të tij dhe që për interesa të veta është i gatshëm të marrë çdo vendim”, tha Berisha.

Ndërsa demokratëve u bëri thirrje t’i bashkohen protestës së 21-të, një ndjekëse i kërkoi të qëndrojë larg saj dhe të mos e politizojë.

Lida Xh: Nëse më 5 qershor ishit kundër kësaj proteste, pse sot bëni thirrje për t’u bashkuar? Kjo protestë lindi nga qytetarët dhe shumë prej tyre nuk duan ta shohin të politizuar. Ndoshta për një herë të vetme do të ishte mirë të dëgjohej zëri i popullit dhe të respektohej iniciativa e tij pa u përpjekur t’i vihet flamuri askujt.

Sali Berisha: Pavarësisht thirrjeve të dirigjuara tërësisht nga opozita e opozitës dhe grupuskulet e Sorosit, kundër Sali Berishës, për të ndihmuar Edi Ramën, me qëllimin e vetëm për ta relativizuar dhe ndihmuar Edi Ramën, thirrja ime ka qenë: të gjithë në protestë!

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha u ndal edhe te thirrjet e protestuesve “Berisha në burg”, duke i sulmuar dhe akuzuar se po përdoren nga Taulant Balla dhe George Soros për të mbrojtur Edi Ramën.

“Kjo është thjesht një thirrje e atyre që nuk u bënë dot opozitë për shkak të lidhjeve me qeverinë dhe bëjnë opozitën e opozitës. Për të mos thënë tjetrën, që dy ditë më parë Taulant Balla, Yaris, deklaroi se ai është promotori i kësaj thirrjeje. Unë, natyrisht, nuk impresionohem nga një thirrje e tillë, as nga përpjekja për të mbrojtur Edi Ramën duke përdorur emrin e Sali Berishës. Dhe qëndrimi im ka qenë ndaj të gjithë demokratëve që kurrë degëzat, gjethet, nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste”, tha Berisha.

Pasi ka dështuar ta mundë Edi Ramën, Berisha kërkon të shfrytëzojë pikërisht këtë protestë për të arritur një qeveri teknike, e cila sipas tij duhet të jetë apolitike.

“Rruga më e drejtë, paqësore, është krijimi i një qeverie kujdestare, e cila do të përgatisë të gjitha kushtet për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Qeveria teknike duhet të jetë një qeveri me specialistë, me ekspertë, me qytetarë dhe jashtë partive politike”, vijoi Berisha.