Oficerët e Policisë Gjyqësore ishin sot paradite në banesën e e Sali Berishës për të kontrolluar nëse ai po zbaton masën e sigurisë caktuar nga GjKKO një javë më parë.

Report Tv sjell pamjet kur Erion Ismaili, Drejtori i krimit ekonomik në Tiranë i cili ishte pjesë kontrollit, shoqëruar nga një efektiv i veshur me uniform policie dhe një grua e veshur civile pasi komunikojnë me truprojen e Berishës shoqërohen për të hyrë në pallat drejt apartamentit ku ndodhet ish kryeministri në rrugën “Mustafa Metohiti’ në Tiranë

Oficerët kanë qëndruar jo më shumë se 7 minuta.

PAK ua ka lënë detyrë policëve që të trokasin në derën e Berishës dhe verifikojnë nëse është aty apo jo. Nuk ka asnjë orar se kur kryhet kontrolli, ndërkohë që për çdo kontroll, oficeri shënon nëse Berisha është në banesë dhe përgatisin një raport, ku pritet të përfshijnë edhe fjalimet e Berishës nga dritarja, në shkelje të vendimit të gjykatës. 

Ish kryeministri vijon të shkelë vendimin e GJKKO-së që ia ndalon të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre me të cilët bashkëjeton. Berisha nga dritarja e shtëpisë së tij, ku qëndron nën arrest shtëpie i drejtohet militantëve të paktë që mblidhen poshtë pallatit të tij.

Vendimi i GJKKO-së ende nuk është zbardhur i plotë ndërkohë dje ministri I  Brendshëm Taulant Balla e quajti të papranueshme pasi gjatë arrestit në shtëpi janë të gjitha ndalimet si në burg.

Sali Berisha është në hetim për korrupsion lidhur me privatizimin e ish kompleksit Partizani pasi me veprimet e tij ka favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzuan 19 kulla.