TIRANË - Analisti Martin Leka foli në Report Tv mbi paraqitjen e Sali Berishës ditën e sotme në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje. Berisha u shoqërua te dera e Prokurorisë së Posaçme nga militantët e Partisë Demokratike.
Leka thotë për Nertil Agalliun në ‘Sot Live në Shqipëri’ se manifestime të tilla janë presione ndaj SPAK dhe nuk i bëjnë nder askujt, teksa ish-kryeministri nuk kurseu dhe akuzat para SPAK ndaj prokurorëve dhe Dumanit.
'Presion i hapur, nuk i bën nder personit të hetuar. Alarm për shoqërinë shqiptare që ndodhet në një gjendje me plot shpresë se kultura e pandëshkueshmërisë e politikanëve të lartë ka marrë fund. Është një presion i hapur në kuadër të fushatës elektorale, nuk ka të ardhme. Sa më shpejt të marrin fund presionet ndaj organeve të drejtësisë. Në këtë rast, nëse marrim shembull PD i bie që të njëjtën shembull të bëjë PS, me 61 zyrtarët e vetë të akuzuar në burg, të arrestuar apo në hetim. Ashtu siç bëri dhe PL me kryetarin në burg. I bie që ku jemi asgjëkundi.'
Më tej Leka shton se ka shumë deputetë brenda PD-së që janë kundër kësaj qasjeje të Berishës dhe nuk e mbështesin atë në sulme të tilla ndaj SPAK. Kjo u pa sot ku mungonin në protestë shumë prej deputetëve të PD-së.
'Ka shumë deputetët nga radhët e PD që nuk janë dakord me qasjen e liderit Berisha. Ka dhe shumë deputetë që nuk e thonë publikisht. Ajo është një parti i Sali Berishës. Të gjithë këta deputetë druhen dhe janë të kujdesshëm se listat e mbyllura bëjnë atë që deputetë e PD-së të gjithë, do të jetën nga lista e kryetarit Berisha. Kjo është çështja. Janë thjesht në kuadrin e kësaj suaze. Mundohen të jenë të preferuarit për të qenë në listat e kandidatëve për deputet. Pas zgjedhjeve mund të kemi zëra kundër. Mendoj se është e vërtetë kjo. Mos-shkuarja e tyre është në këtë kuadër.'
Sa i përket krahasimit me Donald Trump dhe proceseve gjyqësore ndaj tij në SHBA, analisti thotë se nuk ka asnjë lidhje mes dy rasteve. Kjo pasi Berisha njihet si politikani i kulturës së dhunës, që para 30 vjetëve.
'Nuk është për asnjë paralelizëm. Mund të kenë ngjashmëri në kulturën e shfaqjes publike. Por kultura e Berishës është kultura e dhunës në shumë raste. Dhe protestat në SPAK, deklarata e Berishës me akuza nga më monstruoze ndaj Dumanit, janë të gjitha në kuadrin e kulturës së dhunës, që ushtron kryetari i PD-së, Berisha. E ka patur këtë kulturë, e ka ushqyer në të gjithë mitingjet. Është në këtë vazhdë dhe qasje. Mendoj se pas 34 vjetësh demokraci kultura politike duhet të ndryshoj. Mendoj se SPAK do ndryshoj edhe kulturën e individëve në politikë. SPAK do pastrojë politikën shqiptare nga vjetërsirat politike.'
Së fundmi, Leka pati dhe një koment për lëvizjen e socialistëve që çuan Eduard Shalsin si drejtuesi politik në Kukës dhe sollën Pandeli Majkon në Tiranë.
'Majko është një figurë e pastër politike, e pranueshme për socialistët. Mendoj se shkuarja në qark e zotit Shalsi i jep një tjetër lloj energjie qarkut dhe PS vetë, mund të ketë rezultate më shumë se sa zoti Majko. Mendoj se është zgjedhje e mirë, por duhet parë në vota. Qarku Kukës ka vetëm 3 deputetët, i rëndësishëm për PS.'