BERAT- Vetëm 4 ditë nga zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar takime me mbështetësit, ku gjatë pasdites së sotme ishte në Berat. Berisha akuzoi qeverinë se po kalon nga skandali në skandal, ndërsa shtoi se Shqipëria është shndërruar në rrugën kryesore të heroinës në Europë.

“Pazaret e pandershme të ish-kryetarit dhe një grusht drejtuesish. Ne kaluam 9 vite të vështira dhe të pamerituara. Kjo qeverisje kalonte nga skandali në skandal, nga rekordi i zi në rekordin e zi. Patën një qeverisje e cila sipas të gjithë treguesve e shndërroi Shqipërinë në delen e zezë të rajonit për rekordet e zeza. Në një kohë kur Europa shikonte si problem emigracionin nga Siria dhe Afganistani, herë-herë Shqipëria zinte vendin e parë për emigracionin, duke mos qenë në luftë dhe me potenciale të jashtëzakonshme. Shqipëria sot është rruga kryesore e heroinës në Europë. Kryeministri ynë flet për kanabisin më me pasion se për grurin, se për fikun se për arrat.", u shpreh ish-kryeministri. 

Gjatë fjalës së tij Berisha ka sulmuar edhe Lulzim Bashën, ish-kryetarin e PD, duke thënë se ai u angazhua për llogari të qeverisë në veprime antiligjore dhe anti demokratike në PD.

"Opozita e pasivitetit, por edhe pazaret e saj nuk ngjallte shpresë. Kur ju shkonit për të protestuar Basha merrte mesazhin dhe nuk guxonte të përmende emrin e kundërshtarit para jush.“, tha ai.

“Nuk jam hajdut sepse jam 2 metra i gjatë”, kështu ka deklaruar me herët kryeministri Edi Rama me tone humoristike lidhur me akuzat e shumta që merr nga opozita. Pikërisht këtë deklaratë ka komentuar Sali Berisha duke thënë se kryeministri nuk vjedh nëpër xhepa por me firma, duke përmendur inceneratorët.  

“Si mund të vjedhë unë 2 metra i gjatë. Në çdo debat thotë unë jam dy metra i gjatë, si mund të vjedhë, po o zotëri t’i vjedh me firma. Hajde o Rama, se firmose ti me procedurë negociata e mbyllur tenderin e djegave 420 milionë dollarë. E di që ajo procedurë është e ndaluar me ligj! Si firmose ti të shpallësh burrin e ministres subjekt të rëndësisë strategjike dhe t’i japësh mjera metra në bregdete. Pse i bënë ti këto 2 metra i gjatë? Baxhanaku yt që është biznesmen fiton mbi 50 tendera nga qeveria. Ti i vjedh me firmë sepse ti firmos. Prandaj nuk rriten rrogat dhe pensionet. Ti pse nuk i dhe përgjigje OSBE që ke fshehur 200 milionë euro sapo erdhe në pushtet? Si goditje deklaron se do pyes të rinjtë nëse do lejojnë përdorimin personal të drogës apo jo. Ka gjë më vrasëse? Këtë e bënë vetëm një njeri, i cili absolutisht përpiqet për qëllime të caktuara të rrënojë vendin. Pse i bën këto ti 2 metra i gjatë, ti nuk fut duart në xhepa por vjedh me konteiner me valixhe.”, tha ai. 

Gjatë fjalës së tij Berisha nuk mund të linte pa përmendur edhe arritjen e marrëveshjes mes Ballës dhe Alibeajt për çështjen e presidentit, duke e cilësuar atë si një farsë të turpshme. Kujtojmë se ditën e sotme mazhoranca dhe opozita arritën në një pakt, ku deri në raundin e tretë duhet të jetë opozita ajo që të propozojë emrin e Presidentit.

Akuzat e Berishës ndaj Yuri Kim për ndërhyrjen e saj në drejtësinë shqiptare nuk ndalen. Berisha sërish edhe nga Berati tha se ambasadorja ka shkelur kushtetutën e vendit të saj.

“Sorosi dhe Rama lobuan dhe arritën të më akuzojnë pa asnjë fakt dhe provë për korrupsion. Në 30 vite nuk kisha lënë vendim pa marrë në interes bilateral apo të rolit të SHBA në sigurinë globale. Unë ndjej keqardhje, ia u them sot kur shoh që e majta amerikane do t’i vendos kryetarin të djathtës në Shqipëri. Po që se të cenojnë dinjitetin duhet të luftosh vetë, unë e kam sfiduar në gjykatë. Ai është kryediplomati i botës, unë e kam sfiduar në gjykatë. Unë nuk kërkoj të heq vendimin, por dua transparencë. Soros, Rama, një njeri i cili nuk ka parim as shqiptar as njerëzor në raport me interesat e kombit dhe është kjo zona, Kim që ia lejojnë vetes, që e ndjen veten se mund të ndërhy në procese gjyqësore. Që u thotë gazetarëve censuroni, pse jepni Berishë, foltoren, duke shkelur kushtetutën e vendit të saj. Presidenti i SHBA është një mik i shqiptarëve. Ajo nuk përfaqëson, kur ndërhynë në procese gjyqësore.”, u shpreh Berisha.

Kjo ishte dita e gjashtë e fushatës së garës së kryetarit të ri të PD. Zgjedhjet do të zhvillohen më 22 maj, ndërsa përballë Sali Berishës është Ibsen Elezi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:30
VIDEO/ ‘Basha na e bëri k*kën në mes të shtëpisë’, demokrati nxjerr nga xhepi shishen me raki dhe i drejtohet Berishës: Kam një amanet për Ramën, do ia thuash kur të shkosh në parlament

Një demokrat nga Berati gjatë aktivitetit që Berisha zhvilloi në kuadër të zgjedhjeve për kreun e PD, nxori nga xhepi një shishe me raki. Ai iu drejtua Berishës si dollibash, duke i kërkuar që ta prijnë drejt fitores. Po ashtu, ai ironizoi ish kryetarin e PD, duke thënë se kapitulli i tij është i mbyllur dhe ajo që duhet të bëjnë tani është  të merren me ringritjen e Partisë Demorkatike.

“Nuk duhet ta përmendim më Bashën, ai është kapitull i mbyllur. Për mua Basha është një fëmijë i edukuar, sepse ai lajmëroi k*ka k*ka, por ne nuk e nxorëm jashtë dhe na i bëri në mes të shtëpisë. Ne do merremi me ringritjen e PD. Ke një amanet nga mua, kur të shkosh në Parlament do t’i thuash Ramës të bisedojë me stafin e botës së përtejme nëse ata kanë ndërmend që mua të më shpërblejnë me xhenet dhe atje është Edi Rama le të më çojnë në xhenem mua. Tani doktor, të gjithë ata që me denigruan unë nuk jam pijanec Berat. Të kam gjetur dollibashë, duhet të na prish përpara drejt fitores dhe kastile e mora”, tha ai.

Ora 19:09
Presidenti i ri, Berisha: Negociatat Balla-Alibeaj një farsë

Mazhoranca dhe opozita e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj arritën në një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, ku deri në raundin e tretë duhet të jetë opozita ajo që të propozojë emrin e Presidentit. Kjo për Sali Berishën është një farsë që po zhvillon Rama me opozitën farse.

“Ju ftoj të merrni pjesë në procesin e votimit për kryetar të PD, të votoni të lirë në ndërgjegjen tuaj. Të votoni për të bërë kontrastin më të madh midis procesit tuaj, burra dhe gra, djem dhe vajzave me ideale të larta fisnike dhe farsës së turpshme që po zhvillon Rama me opozitën farse për zgjedhjen e presidentit të ri. I cili duhet të jetë një njeri i nderuar dhe meriton të zgjidhet jo me një farsë por me një procedurë dinjitoze siç e përcakton kushtetuta e vendit”, tha Berisha