Analisti Alban Daci është shprehur se kryeministri Edi Rama doli i fituar pas ftesës së Presidentit amerikan Donald Trump, që Shqipëria të bëhej pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

Komentet Daci i bëri në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, ku tha se deklaratat e opozitës se kryeministri Rama do të merrej me helikopter si Maduro nga ushtria amerikane, ishin një fantazi e shfrenuar e PD-së.

“Unë mendoj se ne duhet t’i qëndrojmë gjithmonë linjës që politika amerikan nuk duhet të interpretohet dhe të kuptohet sipas politikës së brendshme të Shqipërisë. Pra si dimensioni jonë shtetëror, prestigji ndërkombëtar, e bën të pamundur që ne të diktojmë politikën e jashtme të SHBA-së, që në epokën Trump duket se askush tjetër nuk mund ta diktojë apo imponojë.

Në planin afatgjatë duhet parë me kujdes kjo lloj nisme, pra Bordi i Paqes, pasi ne nuk kemi të bëjmë me një organizatë të mirëfilltë që ka të përcaktuar qartësisht funksionimin e saj. Shqipëria përveçse një spektatore e realitetit ndërkombëtar, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një spektatore që përpiqet të kapë trenin e ngjarjeve.

Amerikanët tani në epokën Trump kanë vetëm një kriter, sesa besnik është një lider në raport me ata, sa besnike është politika e atij lideri dhe vendit të tij në raport me SHBA dhe sa besnik do iu qëndroj një lider i caktuar interesave gjeostrategjike të SHBA-së. Në këtë këndvështim, besoj se ka fituar Rama, por do të kishte fituar kushdo që do të kishte qenë në pozicionin e Ramës. Aludimet e ngjashme për lidhje me Maduron ishte një fantazi e shfrenuar e opozitës, e cila për shkak të rrethanave të saj dhe për shkak të lidershipit që ka ‘non grata’, e bën PD-në që të jetë jashtë interesave amerikane apo edhe atyre të BE-së. Tentativa e Trump mendoj se është një tentativë për të eleminuar Kombet e Bashkuara. Por unë mendoj se Trump nuk do lërë asnjë lloj trashëgimie në politikën e jashtme amerikane”, tha mes të tjerash Daci.

Ndërkohë Daci teksa komentoi thirrjet për protesta të kryetarit të Partisë Demokratike, tha se Berisha kërkon marrjen e pushtetit me dhunë, gjë që sipas tij, në situatën aktuale nuk mund të ndodhë.

Daci shtoi gjithashtu se Berisha nuk e merr dot pushtetin as pa dhunë, pra me zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo pasi sipas tij, PD nuk është në lartësinë e duhur të kauzave të qytetarëve.

“Sigurisht që mund të themi politikisht në qasjen në raport me amerikanët, është një ndryshim total i qasjes dhe mund të themi që kryeministri Rama është ndër të paktit kryeministra që është shprehur i gatshëm menjëherë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes. Ky është një moment shumë i mirë për Shqipërinë. Por mendoj se në këto momente, mendoj se dilema më e madhe e Shqipërisë në epokën Trump është se në cilën anë do të ketë qasje më të madhe, në atë të SHBA-së apo të BE-së. Edhe nëse Ramiz Alia të kishte qenë dhe t’i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Trump, edhe ai do të ishte rikuperuar politikisht.

Berisha nuk mund ta marrë pushtetin me dhunë. Berisha ka disa indicie në të kaluarën, ka edhe disa ngjarje të rënda të 1997, ne mund të themi se kishte njëfarë orientimi për të marrë pushtetin me dhunë. Dhe të gjitha rastet kanë dështuar sepse një vend si Shqipëria në pozicionin e saj gjeopolitik dhe gjeostrategjik, për shkak të faktit që është vend anëtar i NATO-s dhe që është në prag të mbylljes së kapitullit të BE-së, nuk do të ketë asnjë lloj forme pushteti të marrë me dhunë. Prandaj Berisha nuk mund ta marrë pushtetin me dhunë, por unë mendoj se nuk mund ta marrë as pa dhunë, pasi PD nuk është në lartësinë e kauzave qytetare”, shtoi më tej Daci.