Ndërkohë që Berisha refuzon të njohë dhe të zbatojë vendimin e GJKKO për t’u paraqitur të hënën e parë dhe të hënën e tretë të çdo muaji para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj, kryeministri Edi Rama ndonëse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ka bërë një koment. Nga Pogradeci ai thotë se nuk ka ndodhur kurrë që një trupë e drejtësisë të funksionojë dhe të të kërkojë që të paraqitesh pavarësisht se sa lart je.
“Mirëpo, një gjëje që i vjen koha, i vjen koha dhe ja ku jemi sot. Ja ku jemi sot, kur është në sytë e të gjithëve që drejtësia po merr një pamje tjetër. Ka shumë, sa të duash gjëra që nuk shkojnë në nivelin e prokurorive të rretheve, në nivelin e gjykatave të rretheve, por po ndodh diçka që nuk ka ndodhur qysh nga themelimi i shtetit shqiptar, qysh nga 1912-ta.
Merreni që nga 1912-a, hiqini të pushtetshmit që vriste diktatura, se ajo nuk quhet, ata nuk ishte se i kapte ndonjë drejtësi e pavarur dhe i pushkatonte që nuk ka bërë vaki, që në Shqipëri të funksionojë një trup drejtësie që nuk pyet as kush je, as se me kë je, as sa lart je apo as sa nga lart je mësuar t’i shohësh të tjerët dhe të kërkon të paraqitesh.
Thonë disa që këtë drejtësi e kontrollojmë ne. Pse e thonë? Nuk po i hyj shumë këtij diskutimi, sepse nuk është mësuar njeri këtu, sidomos nga ata që kanë pasur, kanë pushtet që të funksionojë kështu, prandaj e thonë sepse kështu ka funksionuar gjithmonë kur kanë qenë ata në pushtet, që drejtësia ishte farsë komplet, e telekomanduar. Sot, s’është. Natyrisht që ka plot gjëra që mund t’i diskutojmë. Ka gjëra me të cilat mund të jemi dakord, ka gjëra me të cilat mund të mos jemi dakord, por ky është fakt. Ky është fakt!
Në Shqipëri ka rënë përfundimisht miti i personit të paprekshëm. S’ka më asnjë person të paprekshëm dhe kjo si erdhi? Erdhi nga qielli? Janë disa që thonë e solli Amerika. Po si e solli Amerika? Me çfarë? Me aeroplan?! Këtë e ka sjellë vetëm një forcë mbi tokë, që është Partia Socialiste. Dhe të mos e harrojmë, Partia Socialiste e ka pasur gjithmonë qysh në lindjen e saj prirjen për të menduar më shumë për shtetin sesa e kanë pasur të gjitha forcat e tjera politika pavarësisht se nuk diskutohet që edhe PS ka bërë gabimet e veta, por ama prirjen për të menduar më shumë për shtetin ose me saktë e vetmja forcë politike që qysh në lindjen e saj ka patur prirje të mendojë për shtetin është Partia Socialistë, nuk ka menduar për shtetin asnjë forcë tjetër politike, fare, zero", tha Rama.
Lajmi kryesor: