Me këtë rast ai ka kritikuar prononcimet që vijnë nga opozita, për të rishikuar konçesionet e dhënies së HEC-ve pas ardhjes në pushtet të së majtës, pasi "ka shkelje".
"NUK KA INVESTIM MË KAPITAL SE SA HIDROCENTRALET"
Berisha e ka argumentuar mbështetjen e tij për HEC-et, duke sjellë ndër mend se vetëm 5 ditë më parë ka përuruar në grykën e Vanajt një rrugë dhe një hidrocentral. Por atje inaugurova rrugën dhe dy hidrocentrale dhe mësova se brenda qershorin në lumin Luma përfundon ndërtimi i 11 hidrocentraleve, të cilat së bashku prodhonin sa Ashta. “Me Italinë dhe Greqinë mike punojmë me intensitet të madh për projektin më madhor energjetik në Europë, që është gazsjellësi Trans-Adriatik. Kjo ka rritur shumë vlerësimin e komunitetit energjetik ndërkombëtar për Shqipërinë. Ka sjellë në fokus të komunitetit energjetik ndërkombëtar edhe vendin e vogël, Shqipërinë. Ky projekt përsëri është një projekt i një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse do të bëjë të mundur që qytetarët shqiptarë të gatuajnë, të ngrohen me çmime shumë më të leverdisshme. Me energjinë ne po bëjmë gjithçka të ecim me një zhvillim të qëndrueshëm dhe sot për sot, nuk ka investim më kapital sesa investimi në hidrocentrale. Ato kanë jetën më të gjatë kalojnë nga gjenerata në gjeneratë dhe ne duhet të ndjehemi të lumtur, se po i ndërtojmë ato për vete, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e fëmijëve tanë”, ka thënë Berisha.
ENERGJIA, KUSHT PËR ANËTARËSIMIN NË BE
Sistemi i ri i kontrollit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, OST, SCADA/EMS të Qendrës Kombëtare Dispeçer, që është përuruar sot, është një nga projektet më të rëndësishme të Operatorit të Transmetimit, që kap vlerën prej 17 milionë euro dhe është realizua nga kompania italiane ABB. Në këtë ngjarje merrte pjesë edhe ambasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani. Nëpërmjet këtij projektit modernizohen 14 nënstacionet e OST, në 6 HEC-e, që janë në pronësi të KESH dhe 25 nënstacionet e shpërndarjes.
Mundëson operimin e tij në mënyrë optimale duke rritur besueshmërinë e funksionimit dhe cilësinë e shërbimit të energjisë elektrike si dhe optimizon shfrytëzimin e përbashkët të rezervës hidrike të Kaskadës së Drinit, me burimet e tjera të prodhimit të energjisë elektrike dhe shkëmbimet me fqinjët. Kryeministri Berisha, i pranishëm në përurim, e vlerësoi këtë investim si një kryevepër dhe një transformim rrënjësor të komandës së sistemit dhe kontrollit të tij. “Pa diskutim, - tha kryeministri Berisha,- kjo është një mundësi shumë e madhe drejt optimizimit të të gjitha potencialeve”.
Berisha më tej ka shpjeguar se, ky sistem është një mjet i domosdoshëm për operimin në tregun rajonal të energjisë elektrike, për të cilin qeveria Shqiptare ka marrë angazhimet përkatëse pranë institucioneve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu sistemi mundëson marrjen dhe dërgimin e të dhënave në kohë reale me sistemet fqinje me të cilat OST ka lidhje Interkoneksioni. Vënia në operim e këtij projekti është kusht i domosdoshëm për operimin e sistemit tonë elektro-energjetik në paralel sinkron me rrjetin Europian të transmetimit në përputhje më të gjitha kriteret teknike.
Është edhe kusht për anëtarësimin e OST në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për energjinë elektrike (ENTSO-E). Investimet në OST dhe KESH janë 770 milionë euro, për OST janë investuar 240 milionë euro, nga të cilat 220 milionë euro janë kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe 20 milionë euro nga vetë OST. Ndërsa për KESH janë investuar 530 milionë euro.
Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)