MALIQGurkazi Xhemali është një nga të paktët nallbanë që ka mbetur në zonën e juglindjes. Tradita e hershme e mbathjes së kuajve, e cila po shkon drejt zhdukjes, është ruajtur me mjeshtëri nga 68-vjeçari nga Pojani i Maliqit.

“E kam filluar këtë punë në vitin 1979 në ish-koperativën bujqësore. Asokohe mbathnim kuajt, qetë dhe buallicat. Asokohe kisha bërë kursin dhe testimet I kam kaluar të gjitha deri tek kategoria 7. Kur ra sistemi unë e vazhdova punën privatisht”.

Në një kohë kur kuajt nuk përdoren vetëm për punë, por gjithnjë e më shumë edhe për turizëm, Gurkaziu përgatit e vendos patkonjtë, një proces i domosdoshëm që kryhet të paktën një herë në muaj. Përveç vendosjes së patkonjve, ai kryen edhe prerjen e tyre sipas formave dhe masave të përshtatura për çdo kafshë. Me mbi 40 vite eksperience, Gurkazi tregon se puna është mjaft e rrezikshme, pasi gjatë procesit kali mund të bëhet agresiv.

“Ka pasur një rast që më ka rënë kali dhe më ka vrarë se ishte kalë i egër me zor e mbathëm”, thotë me tej.

Edhe pse numri i kuajve është ulur në fshatrat e juglindjes, kërkesat për shërbimin e tij vazhdojnë, pasi Gurkaziu është i vetmi nallbat në zonë.
“Pojani ka pasur 1 mijë kuaj deri në vitet ’90, tani kanë mbetur vetëm 100 kuaj se kanë ikur njerezit në emigrim. S’është më bujqësia e blegtoria si përpara.

Materialet dhe puna për të mbathur një kalë kushtojnë 3.000 lekë, ndërsa Pojani, falë mjeshtrit është shndërruar në një qendër të vogël sherbimesh, ku vijne fermere nga mbare juglindja.

“Tani më shumë se sa fermeret vijnë personat që mbajnë kuajt për sport, për qejf për të bërë gara”, shton ai.

Nallbani 68-vjeçarar u bën apel të rinjve ta mësojnë këtë zanat, i cili megjithëse i vështirë, mbetet i bukur dhe sfidues.