Ndryshe nga qeveria, Sali Berisha është i bindur se ecuria drejt Bashkimit Europian po has vështirësi serioze. Arsyeja për të disatën herë thotë se është tek dosja Balluku.

“Është shtyrë në 5 muaj, raporti për Shqipërinë nuk është votuar, ka probleme, Rama ka pronësuar procesin, pushtetin e ka lubia, ajo është zv kryeministre në hije”, tha Berisha.

Kjo është arsyeja përse sipas tij, qeveria nuk bën transparencë mbi procesin.

“Qeveria nuk informon as parlamentin as publikun as shoqërinë civile”, tha Berisha.

Por teksa kryedemokrati po hidhte akuza mbi mungesën e transparencës, kryenegociatorja Majlinda Dhuka po jepte informacione në Kuvend mbi integrimin. Informacione, që për Berishën janë mashtrime/

“Dhuka është kap në flagrancë duke mashtruar, me shifra të kundërta nga institucionet zyrtare në Shqipëri, kjo është mashtruese, duhen 16 vite për një dosje, mashtruesja e Edi Ramës thotë se është më mirë se para reformës në drejtësi”, tha Berisha.

Berisha doli në konferencën për mediat, i përgatitur edhe mbi deklaratat e një dite më parë të kryeministrit Edi Rama mbi prokurimet, teksa tha se nën qeverisjen socialiste janë shtuar prokurimet sekrete dhe janë larguar kompanitë europiane.

“Ky tregues, thotë, se mafia qeveritare shqiptare, në ligjin e mafies dhe jo në ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar, nuk lejon asnjë kompani evropiane të fitojë qoftë dhe një tender në Shqipëri. Narkoqeveria Rama, është rasti i vetëm, kur në listën e kontraktorëve me tendera me vlerë të konsiderueshme, nuk ka asnjë fitues kompani nga vendet e BE apo kompani prestigjioze. E ndaluar! Kjo është një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA)”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë. "Rama mashtroi hapur, integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë që kur ne ishim në pushtet!", tha Berisha.