Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga Spitali i Traumës, ku kishte shkuar për të vizituar personat e dëmtuar gjatë protestës së sotme të PD-së.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se mes efektivëve të Policisë që siguruar mbarëvajtjen e protestës së PD-së, kishte edhe kriminelë dhe të droguar.

Po ashtu, pavarësisht se ishin militantët e tij që hodhën molotovë në Xhami, Berisha theksoi se Policia ditën e sotme tentoi të pushtonte Xhaminë e Namazgjasë, akt që sipas kryedemokratit është tejet ç’njerëzor.

“Duhet ta pranojmë, edhe një pjesë e mirë e Policisë kanë demonstruar vetëpërmbajtje dhe kanë zbatuar rregullat, por ka pasur mes tyre edhe të droguar, kriminelë, që kanë kryerë akte të tilla. Se cili ishte karakteri paqësor i protestës, vërtetohet nga fakti se nuk ka asnjë anëtar të forcave të rendit të gërvishtur. Ndonëse padiskutim Sokol Bizhga dhe Ilirjan Proda meritojnë çdo ndëshkim.

Protesta është paqësore dhe në tërësi i përgëzoj policët që treguan mirëkuptim për frymën e protestës, si një protestë me interes të madh kombëtar, si një protestë që po mbron një kauzë qytetare. Por dënoj me forcën më të madhe qëndrimin kriminal të një grupi të cilët kanë kryer sot krime të shëmtuara, qoftë me këta protestues, pastaj siç e patë ju vetë hodhën në Xhami bomba tymuese dhe bombula gazi, për t’ua prishur Namazin besimtarëve, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me protestën dhe nuk kishte asnjë protestë në territorin rreth Xhamisë.

Për t’u respektuar lutjen atyre ne zgjodhëm territor tjetër, por ata donin me çdo kusht, sepse Xhaminë ata e pushtojnë. Ata kryejnë një akt kriminal, pushtojnë Xhaminë, çka është absolutisht e dënueshme”, tha mes të tjerash Berisha.


Lajmi kryesor:

PD 3 orë dhunë, molotovë drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit, nuk kursehet as xhamia! Berisha i quan të vetët ‘kryengritës të armatosur’