Sipas tij, "një rritje më e madhe, në përputhje me qëndrimin tonë, ndodh në fshat. Rritja në fshat do jetë 5%, pra 2 herë e gjysëm më e madhe sesa rritja e inflacionit. Nuk do ketë pension më të madh sesa dyfishi i tij 24 mijë lekë.
Në fshat, në rast se pensioni minimal ka qënë 3 400 lekë, do të arrijë në 8 230 lekë, pra rritet mëshumë se dyfishimi në tërësi në vite dhe këtë herë është rreth 5%. Të ardhurat minimale, përfshirë kompensionet për telefonat apo energji, rriten nga 13 700 lekë në 14 174 lekë. Të ardhurat pensionale minimale në qytet rriten nga 23 623 lekë në 24 548 lekë."
BERISHA: VENDIMI, PAS ZGJEDHJEVE, PËR TË MOS QENË PREMTIM ELEKTORAL
Kryeministri sqaroi arsyet pse e la këtë vendim për pas zgjedhjeve. "Vendimi duhej marrë në qershor por ne e shmangëm që të mos dukej si për qëllime elektorale," - tha ai. - "PD dhe qeveria e saj u përmbahen disa parimeve shumë solide dhe të drejta në raport me votuesit. Vendimi ishte shpallur që do bëhej në korrik për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij.
Çdo vit, pagat dhe pensionet nga qeveria që kam kryesuar dhe kryesoj, janë rritur dy gjer katër herë më shumë se inflacioni, sipas rastit. Në të vërtetë, çdo qeveri, përveç rasteve të jashtëzakonshme, duhet të indeksojë rrogat dhe pensionet, ç’ka do të thotë se duhet të garantojë rritjen e tyre aq sa rritet inflacioni që të mos ketë përkeqësim të jetesës.
Mendoj se për mbi gjysëm milioni shqiptarë në pension, ky është një lajm shumë i mirë. Natyrisht që pensionistët meritojnë më shumë, por po shkohet drejt respektimit të kritereve më të shëndosha në raportet rroga – pensione dhe po bëhet gjithçka për t’u lehtësuar jetën. 92% e të gjitha barnave që ata përdorin për mjekimin e tyre i kanë plotësisht të rimbursueshme."
RRITEN ME 5.7 % PAGAT E INSTITUCIONEVE BUXHETORE
"Paga mesatare e institucioneve buxhetore rritet me 5.4% ose 2.7 herë më shumë se inflancioni," - tha Berisha. - "Rritje e përvitshme në nivelet pak a shumë të vjetshme. Ajo që përbën specifikën më pozitive të këtij viti është se ne bëmë rritjen më të madhe të pagave minimale me 11.3%. Kjo pagë ekziston vetëm në 1% të administratës por në mbi 200 mijë vetë në sektorin privat. Paga minimale ëhstë një detyrim ligjor bazuar në të gjitha konventat. Edhe vendet më liberale në vendet e tyre e adaptojnë atë.
Nga kjo rritje nuk përfitojnë deputetët dhe zyrtarët e shtetit; nuk e kemi bërë as vitin e kaluar, sepse kemi gjetur një raport tërësisht të deformuar ndërmjet pagës së kryeministrit me atë të mësuesit dhe infermierit."
FONDI I PAGAVE ËSHTË 100% I GARANTUAR NGA BUXHETI I SHTETIT
Kryeministri sqaroi se "çdo rritje përballohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit. Qeveria, në tetë vite, nui ka përdorur në asnjë vit, rritje pagash dhe pensionesh nga asnjë qindarkë të marrë borxh dhe ky përbën një nga ndryshimet më thelbësore. Nëse më parë, rrogtarët paguheshin me të ardhura të marra borxh, kjo nuk ndodh që nga viti 2005 për shkak të një performance shumë më të mirë të institucioneve të mbledhjes së të ardhurave dhe të ekonomisë shqiptarë.
Pikëpamjet se nuk do ketë lekë për paga dhe pensione janë keqdashëse. Ka para për çdo rrogë dhe pension në mënyrë të padiskutueshme. Fondi i pagave është i garantuar 100%. Ajo që ndodhi dhe ka ndodhur është se qeveria në këtë periudhë ka marrë masat për shkurtimin e shpenzimeve të tjera në maksimum."
"NUK JEMI QEVERI KUJDESTARE, AS NE DETYRE, POR ME MANDAT TE PLOTE KUSHTETUES DITE ME DITE"
Lidhur me vendimet e kësaj qeverie, të kritikuara nga opozita, Berisha tha se "Kushtetuta ka vendosur në mënyrën më preçize se kur mbaron mandati i një qeverie dhe kur fillon ai i një mazhorance të re. Kushtetutat evropiane dhe botërore nuk njohin asnjë kufizim të qeverisë nga dita e parë deri në ditën e fundit.
Kushtetuta i jep qeverisë shqiptare katër vjet, ditë më ditë, për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston koncepti “qeveri kujdestare”; është vetëm në Bangladesh ku me Kushtetutë ata kanë vendosur që qeveria kujdestare të jetë ajo e paszgjedhjeve gjer në dorëzimin e mandatit. Të gjitha të tjerat nuk kanë përcaktuar në Kushtetutë përfshirë këtu edhe vendimet më të mëdha që mund të marrë një vend apo komb. Ata që bëjnë fjalë për qeverinë në detyrë tregojnë injorancën në detyrë. Ajo është qeveria e një kryeministri të dorëhequr, qeveria e të cilit qëndron aty deri në zgjedhjen e tij."
Në përfundim, Kryeministri iu kërkoi ministrave "që hartimi i buxhetit të vazhdojë me intensitet, pasi ne duhet t’u lemë atyre që vijnë në pushtet, një skemë, të cilën mund ta përmbysin nëse dëshirojnë, por duhet t’u lemë një skemë serioze mbi tavolinë, pasi hartimi i buxhetit nga e para natyrisht që kërkon një kohë shumë të gjatë."
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)