Nuk vonoi dhe në kutitë e votimit për zgjedhjet formale në PD, u shfaq vetë Sali Berisha...për të votuar veten. I vetmi kandidat në garë dhe pasi skualifikoi 5 kandidatë, Sali Berisha e quajti procesin shembullor dhe demokratik. Sipas tij, PD është ndër të paktat parti në Europë dhe në botë që e zgjedh kryetarin sipas modelit “1 anëtar-1 votë”.
“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë, në një proces shembullor, në të cilin në mënyrën me demokratike shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo kundër tij. Ftoj demokratët të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor, ndaj një procesi më demokratik që ekziston në të gjitha partitë moderne, europiane. Në një pjesë të tyre, se janë pakicë. I garantoj se do të përmbush me përkushtim të madh detyrimet e mia ndaj qëndrimeve të tyre”, tha Berisha.
Rezervoi edhe një sulm për ish-deputetin Ervin Salianji, i cili kishte publikuar disa fletë votimi në të cilat demokratët kishin shkruar emrin e tij. Berisha artikuloi akuzat për lidhjen e tij me personazhe të botës së krimit.
“Besoj se përplitjet e një përfaqësuesi të botës së krimit, nuk mundet të përlyejnë këtë proces më demokrat në Shqipëri përfaqësuesit e botës së krimit nuk do kenë vend kurrë në këtë parti. Ndarja jonë me botën e krimit, është ndarje me jetë e vdekje, askush nuk mund të mendojë se të konsiderojë fuqi në këtë parti, fuqinë e krimit. Zero”, tha Berisha.
Berisha shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha.
Lajmi kryesor:
Mbahen zgjedhjet formale në PD/ Berisha në garë me veten: Proces demokratik! Sulm Salianjit! Pas 5 orësh, zbulohet numri i anëtarëve, 51 mijë me të drejtë vote








