Berisha si Shullazi: Nëse prekin
rektorët Rama e paguan me kokë 

Berisha si Shullazi: Nëse prekin<br />rektorët Rama e paguan me kokë 
Sali Berisha humbet kontrollin dhe qetësinë pas vizitës së Edi Ramës në Shtëpinë e Bardhë. Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë dje një dalje emergjente për mediat, teksa ka kërcënuar me jetë Edi Ramën, madje indirekt edhe djalin e tij, Gregun. Kryefjala e konferencës së çmendur të Sali Berishës, edhe këtë radhë, ishte Emiljano Shullazi, i cili sipas tij, ka kërcënuar me jetë Mynyr Konin që të tërhiqet nga gara për rektor. Ndonëse u përgënjeshtrua pjesërisht pak çaste më pas nga vetë Koni, ish-kryeministri Sali Berisha dha versionin e tij dramatik dhe epik të ngjarjes. Gjithsesi, mesazhi kryesor i fjalës së Berishës ishte një kërcënim me jetë në adresë të Edi Ramës.

Kërcënon indirekt Gregun
Duke u njësuar me Shullazin, Sali Berisha ka kërcënuar indirect për herë të parë edhe djalin e kryeministrit Edi Rama, Gregun. Pavarësisht tensioneve dhe përplasjeve ndër vite, Sali Berisha e pati kursyer Gregun. Kërcënimi ishte si reaksion ndaj kërcënimit të pretenduar të Shullazit. “Së pari, për të paralajmëruar Edi Ramën, se në rast se një qime floku, pëson akademiku Mynyr Koni, ose djali i tij, akademiku Dhori Kule ose familjarët e tij, ose cilido akademik në garë, në mënyrë absolute ta marrë si ultimatum, do të përgjigjet ai personalisht dhe as Gregu dhe askush tjetër. Do të përgjigjet në mënyrë personale, në proporcion absolut me atë që do pësojë akademiku, sepse kjo kështu siç ecën, ky këtë kërkon”, ka deklaruar Berisha.

Versioni i Berishës
Sipas Berishës, Shullazi ka ndaluar në mes të sheshit “Nënë Tereza” edhe rektorin aktual Dhori Kulen, i cili është kërcënuar, që të mos mbështesë Mynyr Konit. “Po dje, banda e Emiljano Shullazit me tre makina të blinduara, se sot në Shqipëri qarkullojnë me makina të blinduara vetëm Edvin Shullazi dhe Emil Shullazi, se makinat e blinduara përveçse në raste shumë të veçanta janë të ndaluara, por Emili ka tre, ka ndaluar në mes të sheshit “Nënë Tereza”, me tre makina, rektorin aktual të Universitetit, i cili e dorëzon detyrën, profesorin e nderuar Dhori Kule, dhe i kanë kërkuar në mënyrë kërcënuese, ultimative, që t’i heqë çdo mbështetje Mynyr Konit”, ka deklaruar Berisha.

Dyshimet
Deklaratat e Sali Berishës janë veshur me mister vetëm pak minuta më pas. Berisha tha se Mynyr Koni kishte paraqitur dorëheqjen, në mënyrë të papritur, dorëheqjen. “Kryebanditi Emiljano Shullazi i kërkon profesor Mynyr Konit të tërhiqet nga gara ose do t’i rrëmbehet djali, dhe i thotë se po fole ke kokën. Dje, profesori i nderuar Mynyr Koni ka paraqitur në mënyrë të papritur dorëheqjen”, tha Berisha.

Por, vetë Mynyr Koni nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë. Gjithsesi, Sali Berisha, ka këmbëngulur në versionin e tij. “Së dyti, i bëj thirrje profesor Mynyr Konit të mos tërhiqet nga gara. Unë nuk e njoh, por tërheqja nga gara është një përkulje para krimit. Unë i kuptoj shumë mirë rrethanat e tmerrshme që e kanë detyruar atë dje që të japë dorëheqjen, por të rikonsiderojë edhe njëherë si qytetar vendimin e tij për të vazhduar garën”, ka deklaruar Berisha.



Reagon kandidati Koni: Jam në garë
Pas deklaratës së ish-kryeministri Berisha se kandidati për rektor Mynyr Koni është kërcënuar, ka reaguar ky i fundit, duke u shprehur se vijon të jetë në garë.


"Unë,  kandidati Mynyr Koni, deklaroj që vazhdoj të jem në garë për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës. I kërkoj studentëve dhe stafit akademik që sëbashku ta çojmë përpara këtë proces zgjedhor me urtësinë dhe zgjuarsinë që karakterizon botën tonë akademike," deklaron Koni.


Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp

Z.Berisha, dy ditë më parë dekani tek Shkencat e Natyrës, i është mbyllur dera një kandidateje për rektorë keni ndonjë koment, e kam fjalën për Klodeta Dibrën?
Absolutisht nuk kam asnjë dijeni. Po të them me sinqeritetin më të madh, por meqë po më pyet kam vetëm një koment, që në një nga fakultetet, më kanë dërguar një mesazh dhe do ta publikoj, ka vetëm një kandidat që është kandidati i Lindita Nikollës dhe nuk ka të dytë, sesa është i vërtetë nuk e di, do ta verifikoj. Për këtë që thoni ju unë nuk kam asnjë dijeni, dhe këtë që ju tregova këtu nuk bëj asnjë lidhje me asnjë kandidat, sepse ju garantoj se bandën e Shullazit e lëviz vetëm Edi Rama dhe t’i bie në qafë dikujt tjetër është shumë e gabuar. 

Ju thoni se Rama me anë të Shullazit po kërcënon kandidatët dhe nga ana tjetër ju i përgjigjeni Ramës me një tjetër kërcënim ...?
Sepse Rama vetëm këtë gjuhë kupton. Rama që vepron në këtë mënyrë kupton vetëm këtë gjuhë  dhe po të jetë e nevojshme absolutisht do t’a demonstroj, pa asnjë hezitim, e di vetë ai. Kjo është shqip besoj.

Hakmarrje?
Jo nuk është hakmarrje. Është përgjigje, është reagim. Asnjë hakmarrje. Po nëse ai i ndërsen njerëzit  për ti rrëmbyer djalin tjetrin, këtë nuk mund ta lëmë ne. Kjo është një shoqëri  e qytetëruar. Përgjegjësia qytetare nuk pranon kurrë që kjo mund të tolerohet.  Po Ramës po të mos i bëhej ky kërcenim që më thua ti mua, të nesërmen e 21 janarit e digjte kryeministrinë, por kur e mori vesh se po të lëvizte bishtin do e merrte aty ku duhet, u tërhoq dhe nuk lëvizi vendit, veshi nja pesë palë anti-plumba edhe iku. Do të thoni pse kjo gjuhë! Por mund të ndodhë në botë kjo. Ka njëri në botë që mund të imagjinojë t’i çosh akademikut, Shullazin për ti rrëmbyer djalin, por Rama  këtë gjuhë do. Atëherë jepi Çezarit atë që do. 

 A shihni hapësirë për përfshirjen e ndërkombëtarëve për këtë?
Ndërkombëtarët nuk mund të zgjidhin dot këto punë. Çfarë mund të bëjnë ndërkombëtarët  më shumë sesa në zërin e ambasadorit më të fuqishëm të botës në këtë vend, të deklarojnë se shëtit i lirë Emiljano Shullazi. Ai madje duhet të ruhet se mund ta kërcënojë Emili i partisë. 

A keni kontaktuar ju vetë personalisht me dy akademikët dhe a keni ndonjë informacion se kush është pas kësaj?
Pas kësaj është vetëm Edi Rama. 

Po për personin  që do e zëvendësojë pas dorëheqjes...?
Po të garantoj nuk kam asnjë informacion dhe as që jam marrë fare se kush po kandidon dhe kush nuk po garanton. Nuk kam pasur asnjë interes për këtë proces. 

Pse duhet të përfshihet politika?
Sepse i duhet kryeministrit. I duhet njeriu. Ky zotëria në jetën e tij në evidencat e PD nuk ekziston, por mbase është një akademik i pavarur. Kush e  di pse. Kush ia marr vesh idetë  Edi Ramës. 

 Ju vetë nuk keni kontaktuar me akademikët?
Jo kurrë, me zotin Koni asnjëherë. Me zotin Kule, këto ditë jo, por dikur po.  Po çfarë ti thuash. Ka gjë më të turpshme. I dalin profesorit dhjetë banditë dhe kërcënojnë mes  sheshit “Nënë Tereza” . Çfarë ti thuash atij. 

Nuk e dimë si do e marrë Edi Rama?
E kupton Edi. Le ta provojë të ndodhë. E kupton ai këtë gjuhë. Këtu ai është i kthjellët.

Për vizitën e Ramës në Amerikë, ndonjë koment?
 A mund të pyesni Shullazin për këtë punë. ..

Kur thoni burim 100% i sigurt, çfarë është, qytetar dixhital, agjensi e zbatimit te ligjit?
Është personalitet i universitetit. Emrin nuk po ia bëj publik. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!