Berisha strategji të re për bllokimin
reformës në drejtësi, sfidon SHBA

Berisha strategji të re për bllokimin<br />reformës në drejtësi, sfidon SHBA
Ish-kryeministri Sali Berisha ndryshon strategji, për bllokimin, zvarritjen dhe deformimin e Reformës në Drejtësi. Kur Perëndimi po kulmon presionin për miratimin e projektit kushtetues dhe mazhoranca po plotëson kushtet kryesore, Sali Berisha del me një propozim të ri, i cili pamundëson konsensusin për reformën. Duket se kemi të bëjmë me një taktikë të re politike, për të sabotuar projektin kushtetues, i rishikuar nga SHBA-BE.

Vetëm disa orë pasi kryeministri Edi Rama sinjalizoi publikisht pranimin e formulës së votimit me 2/3, kusht ky i opozitës, Sali Berisha ka propozuar që partitë kryesore politike të emërojnë të besuarit e tyre, në institucionet e reja të drejtësisë. Pra, menjëherë pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes së madhe për formulën e votimit, ish-kryeministri doli me propozimin e ndarjes së vendeve të lira në institucionet e drejtësisë, duke tentuar ta kthejë Reformën në Drejtësi në një pazar historik. Propozimi u referohet vendeve të lira për pesë anëtarë në Këshillin të Lartë Gjyqësor dhe pesë anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Komisioni i Venecias, EURALIUS dhe OPDAT mbrojnë variantin e zgjedhjes së anëtarëve në fjalë me 2/3, ndërsa kanë parashikuar që kandidatët të jenë profesionistë me jo më pak se 15 vjet përvojë, të pavarur, me moral dhe integritet të lartë profesional. Projekti kushtetues parashikon pavarësinë dhe paanshmërinë e anëtarëve që duhet të zgjidhen nga Kuvendi.

Formula rrëzon reformën
Formula e Sali Berishës rrëzon projektin kushtetues të SHBA-BE, i cili nëpërmjet procesit të rivlerësimit të aftësive profesionale, kontrollit të figurës dhe kontrollit të pasurive, synon largimin nga sistemi të një mase të madhe prokurorësh dhe gjyqtarësh. Ky propozim hedh në erë gjithashtu pritshmërinë e mbi 90 % të shqiptarëve, të cilët kërkojnë drejtësi të pakapur nga politika, ndërsa sfidon edhe ultimatumin amerikan, për votimin e projektit kushtetues, pa shumë ndryshime dhe vonesa. Formula synon gjithashtu projektimin e një drejtësie, e cila do t’i shërbejë politikës, siç ka shërbyer për 25 vjet dhe jo interesave të qytetarëve. Propozimi i Sali Berishës është edhe një mesazh për Lulzim Bashën, i cili do të takojë ditën e hënë kryeministrin Edi Rama, në përpjekje për të gjetur rrugën e konsensusit për reformën. Propozimi, në një farë mënyrë, vulos dështimin e këtij takimi, pasi Basha duket të negociojë me kryeministrin tezën e Berishës, për Reformën në Drejtësi. Ky propozim është befasia e dytë pas nenit 25, i cili parashikonte amnisti për ish-ministrat e PD.

Propozimi
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë me dije Ndihmës Sekretares Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, variantin e tij, për vendet e rezervuara në institucionin e drejtësisë.
“Kërkesa e opozitës për vende të rezervuara është një kërkesë anti-kapje, bazohet plotësisht në rekomandimet ndërkombëtare dhe qeveria nuk ka asnjë arsye të mos e pranoje”, ka propozuar Berisha. Po çfarë nënkupton modeli i vendeve të rezervuara? Ky model i kthen institucionet e drejtësisë si komisionet e administrimit të zgjedhjeve, ku secila nga partitë e mëdha ka komisionerët e saj. Me këtë propozim, ish-kryeministri rrëzon formulat me 2/3 apo 3/5, ndërsa kërkon që opozita dhe mazhoranca të emërojnë njerëzit e tyre në vendet e lira. Ky variant mundëson kapjen e drejtësisë nga politika.

Rrëzon draftin e PD
Teza e Berishës rrëzon edhe draftin paralel të Partisë Demokratike. Në draftin paralel, Partia Demokratike ka bërë një tjetër propozim, sa i takon zgjedhjes së funksionarëve në institucionet kushtetuese nga Kuvendi. Opozita propozoi që fillimisht, anëtarët e organeve kushtetuese, të zgjidhen me një shumicë prej 2/3 të votave në Parlament, ndërsa më vonë të aplikohet shumica prej 3/5. Por, versioni i Berishës e hedh poshtë propozimin e juristëve të PD.
 
Varianti i Venecias, EURALIUS dhe OPDAT
 

1. Këshilli i Lartë Gjyqësor
 
1. Këshilli i Lartë Gjyqësor siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.
 
2. Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.
 
3. Anëtarët jo gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me moral dhe integritet të lartë profesional. Kandidatët nuk duhet të jenë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
 
4. Anëtarët jo gjyqtarë zgjidhen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mbi bazën e propozimeve, nga radhët e avokatëve, një anëtar, nga radhët e noterëve, një anëtar, nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar, nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, një anëtar, dhe nga shoqëria civile, një anëtar. Për çdo vend vakant organizmat propozuese i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi tre kandidatë të përzgjedhur, sipas një procedure transparente dhe publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon Kuvendit.
  
2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë
 
1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
 
2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo prokurorë.
 
3. Anëtarët jo prokurorë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Kandidatët nuk duhet të jenë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
 
4. Anëtarët jo prokurorë zgjidhen nga Kuvendi me tre të pestat e të gjithë anëtarëve mbi bazën e propozimeve nga radhët e avokatëve, një anëtar, nga radhët e noterëve, një anëtar, nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar, nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, një anëtar dhe nga shoqëria civile, një anëtar. Për çdo vend vakant organizmat propozuese i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi tre kandidatë të përzgjedhur, sipas një procedure transparente dhe publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon Kuvendit.
 
Redaksia Online
(l.q/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi