Dy ditë pasi kaloi oqeanin, kryedemokrati Sali Berisha mbajti një takim me shqiptarë të diasporës në New Jersey.

Në krah të tij, u shfaq shqiptaro-amerikani Nuredin Seci, drejtuesi i fondacionit “Make Albania Great Again” përmes të cilit kryheshin pagesat për lobimin 6 milionë dollarësh në SHBA të Partisë Demokratike.

Në fjalim, kryedemokrati Berisha sulmoi administratën e shkuar amerikane që e shpalli non grata, duke thënë se e majta eksteme që firmosi sanksonimin e tij sot e ka marrë ndëshkimin.

“Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë. Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë”, theksoi Berisha.

Shqiptarëve të Amerikës i kërkoi ndihmë për rrëzimin e Edi Ramës, duke e akuzuar këtë të fundit se ka ndërtuar një narkoshtet ku e majta ekstreme bashkëqeveris me krimin.

“Në Shqipëri ekstremi i majtë që ka lindur nga krimi, ka sunduar me krimin, është shartuar, është shartuar me kartelet e drogës, duke sjellë kështu në jetë një monstër të rrezikshme që ushqehet me paratë e shqiptarëve ditë e natë, që lë spitalet pa ilaçe dhe mjeron të sëmurët shqiptarë Kjo monstër hibride midis ekstremit të majtë dhe karteleve të drogës është narkoshteti shqiptar, me në krye Edi Ramën, i cili po shpopullon Shqipërinë me ritme apokaliptike. Ky monstër me emrin Edi Rama bllokon drejtësinë me 83 mandatet e krimit, siç patë në rastin e Lubi Ballukut, ku nuk u votua heqja e saj e imunitetit”, shtoi Berisha.

Berisha, u ndal edhe te protesta e Revolucionit të Flamingove, që po mbahet prej afro 100 ditësh në Sheshin Skënderbej.

“I bëj thirrje diasporës shqiptare kudo në botë, të japë kontributin e saj në këtë protestë. Partia Demokratike e mbështet fuqishëm atë”, tha Berisha.

Por, njëjtë si edhe në Tiranë, edhe në Neë Jersey, “flamingot e diasporës“ e kishin përgatitur mirëseardhjen e tyre për liderin e opozitës, duke i rezervuar një pritje me protesta.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:25
Berisha braktiset nga demokratët në SHBA, karriget bosh në takimin në New Jersey (VIDEO)

Demokratët duket se e kanë braktisur Sali Berishën. Edhe në takimin që kryetari i PD-së zhvilloi sot në New Jersey të SHBA-ve, u vu re një pjesëmarrje e vogël e të pranishmëve, pavarësisht se Berisha rikthehej në Shtetet e Bashkuara pas rreth 5 viteve.

Pavarësisht se nga PD u trumbetua si një ngjarje e madhe, nga pamjet që po qarkullojnë nga takimi i Berishës në SHBA, shihet se shumë prej karrigeve të vendosura për pjesëmarrësit në takim, janë bosh.

Ndërkohë një gjë e tillë nuk dukej nga pamjet e kamerave të PD-së, pasi filmonin vetëm pjesën e të pranishmëve që qëndrojnë përpara.

Ora 19:43
Berisha ‘infekton’ edhe të vetët me gjuhën e tij, militanti nga takimi në SHBA: Të vëmë gozhdën e fundit në arkivolin e Ramës! (VIDEO)

Duket se retorika e përdorur nga kryedemokrati Sali Berisha po gjen ‘terren’ për përdorim edhe nga militantët e tij dhe të PD-së.

Një prej militantëve që mori pjesë në takimin e zhvilluar nga Berisha në Neë Jersey të SHBA-ve, gjatë fjalimit të tij tha se ishin gati të vinin ‘gozhdën e fundit në arkivolin’ e kryeministrit Edi Rama.

Fjala ‘arkivol’ në politikën shqiptare është përdorur më së shumti nga Sali Berisha, për të ‘goditur’ kundërshtarët e tij politikë.

“Ishte një punë e fondacionit ‘Make Albania Greate Again’ që u mblodhëm si emergjencë për Shqipërinë. Nuk e bëmë për Sali Berishën, por për Shqipërinë. Por mirëseerdhe dhe zoti të dhëntë jetë. Dhe kemi shpresë se do ia japim gozhdën e fundit në arkivolin e Edi Ramës”, tha një prej të pranishmëve në sallë.

Ora 18:07
‘O doktori i Enver Hoxhës’- Berisha pritet me protesta në New Jersey, qytetarët thirrje në kor: Je non grata që nga 97-a! Ke shitur Shqipërinë, e ke vendin në burg! (VIDEO)

Kryedemokrati Sali Berisha është pritur me protesta në New Jersey, ku po zhvillon një takim me shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Disa protestues i kanë zënë pritë Berishës dhe zyrtarëve të PD-së që e shoqëronin, me thirrjet ‘doktori i Enver Hoxhës’ dhe 'Berisha non grata që nga 97-a'.

Protestuesit kanë kërkuar përmes megafonit dhe thirrjeve në kor arrestimin e Berishës, të cilin e akuzojnë për shitjen e Shqipërisë.

Ndërkohë kryedemokrati i kapur në besfasi, i ka përshëndetur me 2 gishta protestuesit, një shenjë që është marrë si ta nga provokim dhe ka çuar në shpeshtimin e thirrjeve ‘Berisha n’burg’.