Edi Rama ia tha qartë opozitës se në sytë e ndërkombëtarëve, ankesat për qeverinë e tij po shihen si përpjekje për të bllokuar integrimin.

Por Sali Berisha, e injoroi këtë deklaratë dhe pas një takimi me këshilltarin për politikën e jashtme dhe të sigurisë pranë grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag Christian Forneck, nga selia e PD-së insistoi se me Edi Ramën nuk duhet të ketë integrim.

"Një Shqipëri, epiqendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, të Europës dhe të botës, është një rrezik real për paqen, sigurinë në Shqipëri, rajon e me gjerë. Ndaj dhe kushtet, duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, çka ekzistojnë të gjitha mundësitë, por jo me Edi Ramën",- tha Berisha.

Ai mohon që thirrjet e tij të bëhen për të nxirë imazhin e vendit, perceptim që e quan të prodhuar nga lobistët e paguar nga Rama.

"Ata përpiqen ta paraqesin sikur kjo parti nuk ka ndërmend integrimin, por ka projekte të veta, në mënyrë të turpshme. Por fatmirësisht, këto mashtrime kanë marrë fund dhe janë kuptuar se ishin mashtrime të lobuara, të paguara nga Edi Rama",- tha Berisha.

Të martën Berisha do të fluturojë në Zagreb, për të marrë pjesë në samitin e IDU-së, organizatës së partive konservatore dhe të qendrës së djathtë, samit që do të zgjasë deri më 30 prill, të cilin me gjasë kreu i PD-së do ta shfrytëzojë për t’u ankuar sërish për qeverinë.