Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë arsimtarëve që të ngrihen në protesta.
“Unë shfrytëzoj këtë rast për të ju drejtuar të gjithë mësuesve të Shqipërisë. Të angazhohen me të gjithë mundësitë e tyre, fuqitë e tyre, të bëhen promotorë të ndryshimit që presin shqiptarët dhe Shqipëria. Të ndryshimit jetik për të ndaluar këtë rrokullisje të madhe. Në 9 vite kemi humbur 1/3 e materies kombëtare. Nëse këto ritme vazhdojnë për 16 vite nuk mund të thuhet se kush do jetë më në këtë vend. Ky është një kushtrim për çdo shqiptar. Është një kushtrim për çdo intelektual, mësues, mjek, inxhinier, jurist dhe të gjitha profesioneve. Të mos harrojnë se thelbi i tij është mbrojtja e interesit publik. Ai është intelektual dhe ka për mision, sigurisht profesioni është profesion, por thelbi i tij qëndron në mbrojtjen e interesit publik.
Nuk ka sëmundje më të tmerrshme për njeriun e librit, njeriun e dijes, për profesionistin, se sa konformizmi. E ka thënë Albert Ajnshtajni: ky rrezik është më i madh se rreziku nuklear për njeriun dhe njerëzimin. Ndaj dhe thirrja ime është për mësuesit, pedagogët, studentët; të ngrihemi, të bashkohemi për të rrëzuar këtë monizëm. Monizmi i sotëm në rrafshin e përqendrimit të pushteteve është absolutisht identik me monizmin e vitit 1990-91. Baza e monizmit ndryshon; ai kishte në bazë doktrinën ç’njerëzore marksiste leniniste, kurse ky ka në bazë horrorin e krimit, drogës dhe varfërimin e shqiptarëve”, tha Berisha.
Ai hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Në Shqipëri kryetari i Bashkisë ndërton shkolla me 6 milionë euro, si në asnjë vend tjetër të botës. Po si? Vjedh 30% përqind të fondit të saj. Në Europë, ku janë pagat shumë më të larta, shkollat ndërtohen me 650,000 euro, me të gjitha pajisjet dhe ambientet. Edi Rama e shkatërroi sistemin arsimor shqiptar, ata shohin se si të pasurohen vetë.
Vendimi i Edi Ramës për të caktuar rektorin e Universitetit të Tiranës me një pengmarrës, sepse donte që tenderat t’i fitonte ai. Mësuesit sot dhe punonjësit e administratës janë shndërruar në skllevër, të cilët detyrohen të shprehin pëlqimet, në një organizatë kriminale. Ju garantoj se PD ndryshimin e Shqipërisë do ta fillojë nga mësuesit”, tha ndër të tjera Berisha.
Lajmi kryesor: