Sot, 33 mijë mësues në të gjithë Shqipërinë festojnë 7 marsin. Me lule, kartolina dhe dhurata në duar, nxënësit të shoqëruar nga prindërit kanë nderuar mësuesit në ditën e tyre për kontributin që japin në edukimin e fëmijëve. Dita e 7 Marsit, është kthyer në një festë për mësuesit dhe arsimtarët dhe festohet në të gjitha shkollat e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.
Mëngjesin e sotëm, Report Tv ishte pranë shkollës ‘Vasil Shanto’ ku nxënësit kanë zgjedhur lule dhe kartolina për të shprehur mirënjohjen e tyre për mësuesit.
“Kam bërë një buqetë lule dhe një kartolinë të vogël brenda që i thotë ‘je mësuesja më e mirë në botë’”, tha një nxënës.
“I kam bërë një buqetë lule me një kartolinë dhe lekë”, tha një tjetër nxënëse.
Por pavarësisht festës dhe koncerteve të organizuara mësimi është zhvilluar normalisht. Në këtë ditë nuk kanë munguar urimet nga Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, që kanë uruar mësuesit të cilët me misionin e tyre edukojnë fëmijët, mbjellin ëndrra dhe i frymëzojnë ata çdo ditë.
“Në këtë 7 Mars, është e udhës të urojmë të gjithë mësuesit që kanë lënë një shenjë tek ne, që na kanë ndihmuar të bëhemi profesionistë më të zotë, njerëz më të mirë e qytetarë më të denjë për shoqërinë ku ne jetojmë”, shkroi Begaj.
“Gëzuar "7 Marsin" mësues të dashur, me përulësinë e mirënjohjen më të madhe ndaj Jush”, shkroi Rama.
“Gëzuar 7 Marsin dhe mirënjohje për ju të dashur mësues! Ju me misionin tuaj edukoni fëmijët tanë, mbillni ëndrra dhe i frymëzoni ata çdo ditë!”, shkroi Kushi.
Ndërsa Sali Berisha dhe Ilir Meta qëndruan edhe këtë herë në të njëjtën linjë duke thënë se gjendja e arsimit është alarmante vetëm për shkak të qeverisjes së Edi Ramës.
Si sot 136 vite më parë në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet.
Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.
Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshem ne luftën për liri dhe pavarësi.
Kështu dita e 7 Marsit, është kthyer në një festë për mësuesit dhe arsimtarët dhe festohet në të gjitha shkollat e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me mësues të shkollave "Kostandin Kristoforidhi" dhe Liceut Artistik "Onufri".
Në fjalën, Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut shprehu mirënjohjen mësuesve për sakrificat e tyre në përmbushjen e misionit. Ai theksoi se Elbasani është djepi i arsimit.
“Është gjithmonë privilegj që të urosh gëzuar 7-Marsin nga Elbasani. Elbasani, dihet, si djepi i arsimit dhe vërtet është kënaqësi për mua që ndodhem këtu. Arsimi është gjithçka.
Është punë ezauruese, është punë e lodhshme po është puna më fisnike. Është investimi më i madh që ne i japim brezave nëpërmjet transmetimit të dijes. Prandaj gjithmonë duhet të jemi krenarë për këtë gjë dhe shoqëria duhet të jetë shumë borxhlije”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve siguroi mësuesit për mbështetjen e qeverisë shqiptare për vijuar investimet në arsim.
“Çfarë mbjellim sot do ta korrim nesër dhe kjo është shumë e vërtetë. Le të mendojmë për të mirën e përbashkët si qytetarë. Të bëjmë më të mirën për Elbasanin. Nga kjo pikëpamje ne do punojmë të gjithë bashkë për ta bërë këtë të mundur. Qeveria shqiptare një gjë e garanton do vazhdojë të mbështesë Elbasanin me të gjitha investimet e nevojshme, patjetër pa harruar arsimin dhe sportin. Kemi dy elbasanllinj të mirë, kemi dhe Evisin kemi dhe Gledin që punojnë shumë ngushtë me njëri-tjetrin për ta bërë këtë të mundur përditë. Faleminderit për punën që bëni përditë dhe ju jemi borxhlinj për çdo ditë të shpenzuar në punët tuaja me brezat e ardhshëm”, tha Gjiknuri.
Drejtoresha e çerdheve dhe e kopshteve në Bashkinë e Tiranës, Zhaneta Beqiri në një intervistë për Report Tv, thotë se 7 mars i ka gjetur fëmijët, nxënësit dhe mësuesit në ambiente më të mira. Në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj në ‘Studio Live’, ajo thotë se janë ndërtuar 9 çerdhe të reja dhe 22 të tjera janë rikonstruktuar.
Beqiri shton se çerdhet dhe kopshtet në të gjithë Tiranën presin 12 mijë fëmijë në ditë. Beqiri deklaroi se këto ambiente ofrojnë kujdes të shtuar për fëmijët me aftësi të veçanta.
“E kemi pasur gjithmonë të pasurit të një temperature optimale për të pasur një veprimtari aktive. Nga 20-2 gradë në çdo ambient të kopshtit apo çerdhes për të pasur nën kontroll temperaturat”, tha Beqiri.
Nga ana tjetër, drejtoresha tregon se bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm.
“Prindërit pjesë e çdo vendimmarrje. Janë ata që na thonë dhe na japin opinion për vendimet tona dhe aty ku duhet të ndërhyjmë për të përmirësuar shërbimin. Dyert janë të hapura, i mirëpresim për të qenë prezentë në aktivitete për fëmijët e tyre duke sjellë edhe më të mirën e tyre”, përfundoi Beqiri.
Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi me rastin e 7 marsit ka takuar mësuesen e tij kujdestare.
“Jam krenar që kam dalë nga bangat e shkollës Harry T. Fultz e cila mund të konkurrojë nëpër botë për nga cilësia. Me rastin e 7 marsit, u ktheva aty për të uruar e shprehur mirënjohjen për mësuesen time kujdestare Martineta Leka.
Na duhen më shumë shkolla cilësore si kjo, në mënyrë që familjet e Tiranës të kenë mundësi që t’i shkollojnë fëmijët siç duhet këtu, e mos të ndiejnë nevojën që të emigrojnë. Kur shkova për studime universitare në Amerikë dhe pashë përgatitjen e studentëve të tjerë atje, e kuptova mirë cilësinë e shkollimit të marrë gjatë katër vjetëve të bukura që kam kaluar tek Harry T. Fultz.
Një ndër arsyet pse njerëzit po emigrojnë masivisht nga Tirana është për të siguruar një shkollim dhe të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Po të kemi më shumë shkolla cilësore si kjo, do të ketë më pak arsye për t’u larguar. Investimi në shkolla cilësore është domosdoshmëri për t’iu garantuar qytetarëve një të ardhme të dinjitetshme këtu. Shpërndajeni këtë postim nëse edhe ju jeni dakord”, tha Këlliçi.
Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë arsimtarëve që të ngrihen në protesta.
“Unë shfrytëzoj këtë rast për të ju drejtuar të gjithë mësuesve të Shqipërisë. Të angazhohen me të gjithë mundësitë e tyre, fuqitë e tyre, të bëhen promotorë të ndryshimit që presin shqiptarët dhe Shqipëria. Të ndryshimit jetik për të ndaluar këtë rrokullisje të madhe. Në 9 vite kemi humbur 1/3 e materies kombëtare. Nëse këto ritme vazhdojnë për 16 vite nuk mund të thuhet se kush do jetë më në këtë vend. Ky është një kushtrim për çdo shqiptar. Është një kushtrim për çdo intelektual, mësues, mjek, inxhinier, jurist dhe të gjitha profesioneve. Të mos harrojnë se thelbi i tij është mbrojtja e interesit publik. Ai është intelektual dhe ka për mision, sigurisht profesioni është profesion, por thelbi i tij qëndron në mbrojtjen e interesit publik.
Nuk ka sëmundje më të tmerrshme për njeriun e librit, njeriun e dijes, për profesionistin, se sa konformizmi. E ka thënë Albert Ajnshtajni: ky rrezik është më i madh se rreziku nuklear për njeriun dhe njerëzimin. Ndaj dhe thirrja ime është për mësuesit, pedagogët, studentët; të ngrihemi, të bashkohemi për të rrëzuar këtë monizëm. Monizmi i sotëm në rrafshin e përqendrimit të pushteteve është absolutisht identik me monizmin e vitit 1990-91. Baza e monizmit ndryshon; ai kishte në bazë doktrinën ç’njerëzore marksiste leniniste, kurse ky ka në bazë horrorin e krimit, drogës dhe varfërimin e shqiptarëve”, tha Berisha.
Ai hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Në Shqipëri kryetari i Bashkisë ndërton shkolla me 6 milionë euro, si në asnjë vend tjetër të botës. Po si? Vjedh 30% përqind të fondit të saj. Në Europë, ku janë pagat shumë më të larta, shkollat ndërtohen me 650,000 euro, me të gjitha pajisjet dhe ambientet. Edi Rama e shkatërroi sistemin arsimor shqiptar, ata shohin se si të pasurohen vetë.
Vendimi i Edi Ramës për të caktuar rektorin e Universitetit të Tiranës me një pengmarrës, sepse donte që tenderat t’i fitonte ai. Mësuesit sot dhe punonjësit e administratës janë shndërruar në skllevër, të cilët detyrohen të shprehin pëlqimet, në një organizatë kriminale. Ju garantoj se PD ndryshimin e Shqipërisë do ta fillojë nga mësuesit”, tha ndër të tjera Berisha.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar të gjithë mësuesit për 7 mars. Nga shkolla Kongresi i Lushnjës, Meta thotë se sot është dita për të marë vendime të mëdha në mbështetje të mësuesve dhe sipas tij arsimi mbetet një sfidë në vendin tonë për të cilin ka ende shumë për të investuar.
“Është një kënaqësi dhe një emocion i veçantë që sot për 7 marsin t’i uroj gjithë mësuesve dhe pedagogëve t’i uroj kudo Gëzuar festën e mësuesit, gëzuar këtë festë të rëndësishme për kombin tonë, pasi me mësuesin, me pedagogun është e lidhur e ardhmja e vendit tonë, aq më tepër sot kur sfidat që ka përpara vendi ynë kërkojnë një investim të jashtëzakonshëm për arsimin dhe dijen. Për ne vendimmarrësit sot është dita për të marrë vendime të mëdha në mbështetje të mësuesve, pedagogëve, në mbështetje të mirëarsimimit të fëmijëve tanë. Kongresi i Lushnjës është një shkollë që më zgjon emocione të veçanta sepse jo vetëm jam ulur këtu për herë të parë në bankat e shkollës, por edhe se këtu ka shërbyer si mësuese për 20 vite nëna ime”, deklaroi Meta.
Në kuadër të 136 vjetorit të mësonjëtores së parë shqipe në muzeun e arsimit është çelur një ekspozitë me 30 objekte nën titullin "Mësonjëtoret e para përmes dëshmive të kohës".
Kjo ekspozitë iu dedikohet personaliteteve të shquara të dy shkollave të para kombëtare që u hapën në qytetin e Korçës në fundin e shekullit të XIX të mësuesve dhe nxënësve nga Mësonjëtorja e Parë Shqipe dhe Mësonjëtorja e Vashave.
Mësonjëtorja e parë shqipe u çel në 7 mars në 1887 në kushtet e pushtimit otoman, dhe ajo u krijua nga një grup rilindësish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.
Gratë deputet të Kuvendit të Shqipërisë kanë shpërndarë një video mesazh për ditët e 7 dhe 8 marsit. Ato Përcjellin mesazhe force, besimi dhe mbrojtje për të drejtat dhe barazinë e gruas në çdo strukturë dhe aktivitet institucional dhe shoqëror.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka uruar 7 Marsin, ditën e mësuesve në një mënyrë të veçantë. Ajo ka postuar një foto me mësuesen e saj McGuire të viteve më parë. Kim shkruan se me mësuesen e saj ka mbajtur kontakte gjatë shumë viteve nëpërmjet letrave. McGuire madje disa ditë më parë ka qenë në Shqipëri, ku është takuar dhe me ambasadoren Kim.
Postimi i plotë i Yuri Kim:
Në #ditaemesuesit #TeachersDay, dua të shpreh vlerësimin për të gjithë ata që ia kanë kushtuar jetën #mësimdhënies.
Mendoj për mësuesen time, znj. McGuire, e cila ishte mësuesja ime në klasën e 8-të në shkollën St Anthony në #Guam. Shumë kohë pasi ajo dhe burri i saj u larguan nga ishulli ynë, ne qëndruam në kontakt me letra. Ajo erdhi për të më vizituar në Shqipëri disa javë më parë. Ishte një nder i veçantë për mua që isha në gjendje ta tregoja atë rreth këtij vendi të mahnitshëm. Ndërsa ajo ishte këtu, vendosëm të takoheshim me disa nxënës të klasës së 8-të dhe mësuesit e tyre në @muzeu_kombetar_i_arsimit_korce. U tregova letrat dhe kartat që më kishte dërguar zonja McGuire gjatë viteve. Mësuesesja ime u befasua kur zbuloi se unë kisha mbajtur secilën prej tyre. I rritur në një ishull në mes të Oqeanit Paqësor, i ruaja letrat e zonjës McGuire që përshkruan jetën në Nju Jork, Dakotën e Veriut, Teksas etj. – ato më bënë të mendoj për atë që shtrihej përtej horizontit të ishullit tim, më bëri imagjinoni se çfarë mund të bëj dhe ku mund të shkoj në botë. Për zonjën McGuire dhe të gjithë mësuesit e tjerë: Faleminderit që na edukove, që ishe i sjellshëm dhe i durueshëm, që na mësove si të mendojmë, që na inkurajon të ëndërrojmë të mëdha dhe kërkojmë të punojmë shumë.
Në kuadër të Ditës së Mësuesit, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, shprehu urimet më të mira për të gjithë mësuesit shqiptarë duke i vlerësuar ata për kryerjen e këtij misioni kaq fisnik.
Një urim të veçantë, Ministrja Xhaçka përcolli edhe për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, teksa shprehu mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar tek fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
“Në këtë ditë kaq të bukur, unë dua t’ju zotohem që ne do të përpiqemi me të gjithë mundësitë që t’ju mbështesim akoma më shumë. Brenda pak muajsh, do të çelet qendra e parë kulturore në Greqi, e cila do të shërbejë si një hapësirë kulturore e artistike për komunitetin shqiptar, por edhe si në pikë referimi për përpjekjet tona të përbashkëta për të ruajtur identitetin kombëtar e për të promovuar nismat e projekte që i shërbejnë komunitetit shqiptar në Greqi, me shpresën se këtë model do ta replikojmë edhe në vende të tjera ku jetojnë bashkëkombasit tanë”, tha kryediplomatja shqiptare.
Policia e Shtetit ka ndarë një mesazh në kuadër të ditës së mësuesve.
“Mësuesit janë guri i themelit të çdo shoqërie, e cila prosperon vetëm përmes mirënjohjes ndaj atyre që dhanë të tashmet e tyre për të tjera të ardhme.
Punonjësit e Policisë ndeshen çdo ditë me mësuesit e tyre, në rrugët e qarqeve ku kryejnë shërbimin. Të përzgjedhur për të mbajtur uniformën e Policisë së Shtetit, ata nuk janë më nxënës të vegjël, por garantë të denjë të ligjit dhe shtetit, të cilët gjatë patrullimit mëngjeseve të shkollës, gjejnë gjithmonë rastin të thonë “Punë të mbarë mësuese!”
Policia e Shtetit uron të gjithë mësuesit, GËZUAR 7 MARSIN. Gjithnjë të gatshëm për bashkëpunëtorët tanë kryesor, për edukimin e një shoqërie larg fenomeneve kriminale dhe që shkolla të mbetet tempulli i dijes, ku sundojnë libri, rregulli dhe normat më të mira qytetare.”- thuhet në njoftim.
Sekretarja e marrëdhënieve për publikun të Rithemelimit, Jola Hysa ka akuzuar për festën e 7 marsit, kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sakon se ka lënë fëmijët dhe mësuesit e Ishmit pa shkolla.
'7 marsi' i gjen fëmijët dhe mësuesit e Ishmit pa shkolla. Kryebashkiakja Durrësit, Emiriana Sako me premtime elektorale, shkollat e planifikuara për t’u rindërtuar pas tërmetit të nëntorit nuk janë ende gati
Sot është 7 marsi, dita e mësuesit. Gëzuar të gjithë mësuesve dhe mësueseve të Shqipërisë, dhe atyre që jetojnë në diasporë, apo atyre që kanë dalë në pension, por ia kan kushtuar një jetë të tërë mësimdhënies.
Të gjithë janë një shtyllë në formimin tonë dhe të brezave, dhe Partia demokratike i përshëndet dhe ua njeh vendin e rëndësishëm në historinë e vendit.
Por, kur vjen te arsimi, jo të gjitha urimet i gjejnë të gjithë mësuesit dhe nxënësit në shkollat e tyre këtë 7 mars. Merrni për shembull Ishmin, fashtin e bukur mes Durrësit dhe Krujës.
2 nga 4 shkollat e planifikuara për t’u rindërtuar pas tërmetit të nëntorit ende nuk janë gati për nxënësit dhe mësuesit e tyre. Nga verifikimi në terren rezulton se njëra nga shkolla është në pritje të tenderit, ndërsa për shkollën tjetër nuk është dhënë certifikata e pronësisë.
Në 25 shkurt 2022, kandidatja për kryetare e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u premtoi banorëve investime në Njësinë Administrative Ishëm.
Konkretisht Sako foli për infrastrukturë, ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore, shkolla dhe kopshte të reja për banorët.
Po 224 nxënësit dhe 35 fëmijët e kopshtit të shkollës Rexhep Mezini, në mungesë të ndërtesës, udhëtojnë çdo ditë për në Lalëz, ku ndodhet shkolla “Vat Bushi”, e cila është rikonstruktuar përpara se nxënësit të transferohen aty.
Nxënësit transportohen me vetëm 2 autobusë, ndërsa rruga zgjat të paktën 20 minuta. Dy mjetet shërbejnë për transportin e rreth 200 nxënësve, të shpërndarë në fshatrat Likmetaj, Kërtushaj, Kapidanaj, Gjuricaj, Lalëz, Kuraten, Bizë, Draç dhe Shetaj.
Banorët janë larguar pikërisht për shkak të arsmimit, ca në Durrës e të tjerë larg Shqipërisë në përpjekje për të siguruar dhe arsimuar fëmijët e tyre.
Banorët tregojnë se klasat janë katandisur me shumë pak nxënës për shkak të largësisë dhe kushteve të vështira të transportit.
Shkolla “Pren Simoni” është në pritje të çertifikatës së pronësisë.
Një tjetër shkollë 9 vjecare në zonën e Ishmit, e cila ishte rionstruktuar gati një vit para tërmetit, do të rindërtohet nga e para.
Situata ëshë e njëjtë edhe në shëndetësi. I vetmi I nvestim për një qendër shëndetësore është kryer nga të huajt, por nuk ka dhe nuk janë planifikuar investime të reja.
Sot, mjafton të ecësh në rrugët e Ishmit dhe kupton se kjo që ka ndodhur është pasojë e politikave të gabuara të bashkisë së Durrësit, e cila e ka lënë në harresë këtë zone. Përveç premtimeve në fushata elektorale asnjë investim nuk është kryer.
Sa I takon qeverisë ajo është e zënë me projekte si marina ku hidhet shumë dhe fitohet shumë. Nxënësit e Ishmit, kur të rriten mund të vijnë në Marinën e Ramës, Dakos dhe Sakos vetëm për të parë dhe ikur, si personazhi i Migjenit që shihte “mollën e ndalueme”.- thotë Hysa.
Së shpejti në Elbasan do të ndërtohet Muzeu i Arsimit. Këtë 7 mars, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri, bashkë me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, u takuan me mësues dhe pedagogë të njohur të Elbasanit të cilët janë në pension.
“Bashkë me Ministren e Arsimit Evisi Kushi, bashkë me njerëz të mirë të qytetit tonë që kanë një vizion, duam të bëjmë një Muze të Arsimit. Godinën e kemi, ish-Drejtoria Arsimore, e kemi miratuar edhe buxhetin ne si Bashki, që ta rikonstruktojmë dhe më pas të realizojmë projektin tonë sipas modelit më mirë të muzeve, atë të arsimit dhe më pas edhe muzeun e Telekomunikacionit, pasi Ministri i Parë i Post Telegraf ka qenë patrioti i shquar elbasanas Lef Nosi. Qyteti e do muzeun e arsimit. Na duhet ndihma juaj për të konceptuar një model të mirë që të jetë jo vetëm bashkëkohor, por të krijojë edhe breza të rinj, për të parë vlerën e Elbasanit dhe kulturën që kemi transmetuar jo vetëm në qytet, por edhe në të gjithë trevat shqiptare”, nënvizoi kryebashkiaku Llatja.
Në këtë ceremoni, 15 mësues në Elbasan u vlerësuan me certifikatën “Mirënjohja e Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e çmuar gjatë të gjithë jetës profesionale si mësues në arsimin e brezave dhe edukimin e tyre si qytetar të denjë të këtij vendi”.
Kryebashkiaku Gledian Llatja, vlerësoi kontributin e mësuesve dhe pedagogëve në edukimin dhe formimin e brezit të ri. “Elbasani ka shumë me çfarë të krenohet, ka shumë mësues, ka shumë histori, ka shumë kulturë, breza që ju kujtojnë me nostalgji shumë të madhe. Ndaj një mirënjohje të madhe për ju. Shumë faleminderit për punën e gjatë dhe kolosale që keni bërë, për të rritur një brez të shëndetshëm”, përfundoi Llatja.
Janë vlerësuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit” mësuesit dhe pedagogët, Vilma Tafani, Bardha Gjini, Joana Myftiu, Mirjam Myftiu, Roland Gjini, Xhuljeta Daja, Tomorr Arjaniti, Elida Cabej, Petrit Peni, Liliana Nosi, Drita Isaj, Rukije Kila, Mehmet Shipka, Kaliro Guxho, dhe Lumturi Hasani.
Në ditën e 7 marsit, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se ka shkatërruar sistemin arsimor. Beisha thotë se në kushtet e narkoshtetit mësuesit po përballen me pasojat shkatërrimtare të sundimit në vend, të mafies së drogës, krimit dhe vjedhjes.
‘7 Marsi, dita e mësuesit! Sot është dita të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë, falenderimin më të përzemërt ndaj mësueseve dhe mësuesve tanë, këtyre misionarëve që me dritën e dijes, edukatës dhe qytetërimit ndriçojnë mendjen e fëmijve tanë. Le t’ju urojmë atyre mbarësi në familjet e tyre dhe suksese gjithnjë dhe më të mëdha në misionin e tyre të lartë e fisnik, edukimin e fëmijëve tanë.
Por sot, ata si në asnjë vend tjetër në Europë, në kushtet e narkoshtetit përballen me pasojat shkatërrimtare të sundimit në vend, të mafjes së drogës, krimit dhe vjedhjes.
Ndaj dhe 7 Marsi është një ditë për të denoncuar qendrimin rrënues të Edvinit dhe narkoshtetit të tij ndaj mësuesve, nxënësve, shkollës dhe sistemit arsimor.
Sot mësuesit në Shqipëri janë të skajuarit dhe injoruarit e narkoshtetit. Ata zhyten nga viti në vit në varfëri edhe më të madhe dhe marrin sot si rrogë mujore 30% më pak se në 2013. Atyre nuk ju paguhet transporti dhe mësuesit e vërtetë janë zëvendësuar nga militantë të partisë së krimit.
Në sistemin arsimor në degradim të vendit tonë, më dramatike është gjëndja e nxënësve të shkollave tona. Narkoshteti u ofron sot fëmijëve të Shqipërisë si ushqim të premtuar mungesën e ushqimeve, helmet që shkatërrojnë shëndetin dhe jetën e tyre, kokainën, heroinën, kanabisin, përdhunimet dhe prostitucionin e mbuluar, fshehura nga shteti.
Kurse shkollat dhe sistemi arsimor ecin drejt shkatërrimit të vërtetë, buxheti për arsimin në këto vite është përgjysmuar dhe vidhet e shpërdorohet masivisht nga narkozyrtaret . Në vitet e fundit janë mbyllur 760 shkolla fillore dhe 9 vjeçare.
Gjendja e sotme alarmante e arsimit në Shqipëri është një kushtrim thirrje për çdo mësues, nxënës, prind dhe qytetar të këtij vendi për të bërë gjithçka për përmbysjen një ditë e më parë të monizmit të bazuar në vjedhjen krimin, drogën të Edi Ramës në Shqipëri. Nderim mësueseve dhe mësuesve tanë! Gëzuar festën!’- shkruan Berisha.
Në festën e 7 marsit, janë organizuar disa festime në disa shkolla në Tiranë. Ministrja Kushi u shpreh se festimet nisën në dy shkolla ku u mbajt koncerti me performimin e orkestrës, nxënësve dhe balerinëve.
“Me rastin e 7 Marsit , këtë herë palestra e gjimnazit “Sami Frashëri” u shndërrua në një skenë plot emocione të veçanta me koncertin e përbashkët të Shkollës Artistike “Jordan Misja” në Tiranë dhe Shkollës së Baletit, ku performuan magjishëm orkestra, nxënësit dhe balerinët.
Për herë të parë në historinë e Shqipërisë u këndua “Himni i Mësuesit”, krijuar nga Shkolla Artistike “Jordan Misja”, kënduar nga kompozitori Endri Sina, si dhe shkruar nga poetja Mimoza Bici.
Falënderime të veçanta për nxënësit dhe stafet e dy shkollave për këtë koncert madhështor.”- shkroi Kushi.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar ditën e mësuesve duke thënë se politikanët e kanë për detyrë që t’i përkrahin. Po ashtu shprehet se ka dërguar 50 libra dhuratë për bibliotekën e shkollës ‘Azem Bejta’ të Prekazit.
“Me një kartolinë urimesh dërgova pesëdhjetë libra dhuratë për bibliotekën e shkollës “Azem Bejta” të Prekazit.
Gëzuar të gjithë nxënësve dhe mësuesve për 7 Marsin, ditën e Arsimit Shqip, “Ditën e Mësuesit”!
Detyra e nxënësve është e përditshme, të mësoni e të lexoni. Ndërsa detyra jonë si politikanë është t’i përkrahim mësuesit e nxënësit shqiptarë kudo që ata ndodhen, në trojet e tyre historike dhe në diasporë.
Kjo ditë këtë vit shënon edhe 25 vjetorin e rënies së Adem Jasharit, kryesimbolit të përpjekjes shqiptare për liri e dinjitet. Lavdi e përjetshme heroizmit të Jasharëve!” – shkroi Meta.
Mësuesja Aida Banja, e cila edukon nxënësit në arsimin fillor në shkollën ‘Fan Noli’ foli për kamerën e Report Tv duke e cilësuar si mrekulli punën me fëmijët.
“Të punosh me fëmijët është një mrekulli, janë të gjithë ëngjëj, të falin shumë dashuri. Mëngjesi nis me puthjet e përqafimet epara, më pas vijon me kontrollin e detyrave, por ka bukurinë e saj, fëmijët vijnë me dëshirë. Sot kanë marrë dhuratë të bukur nga mësuesja, një libër.
Eksperienca bëri punën e saj dhe 30 vite nuk janë pak. Sot do të festojmë me koleget”, tha Aida Banja për gazetaren e Report Tv, Ledina Jakimi.
Deputeti Erion Braçe e ka nisur ditën në Divjakë duke thënë se shkolla e Çermë Sektorit po merr formë dhe cilësi. Në një postim në rrjete sociale thotë se nëse kanë bërë diçka shumë të mirë në Divjakë janë shkollat.
“Puna e bërë me dëshirë më shumë se kurrë, për fëmijët, për mësuesit doemos! Tani në radhë qendra e edukimit në Remas, me të njëjtin standard si kudo!” – shkroi Braçe.
Deputeti tregoi si po ecnin punimet ndërsa krah tij qëndronte Arjani, përgjegjës për t’i dhënë formën e duhur shkollës.
“Jemi drejt përfundimit. Punimet janë cilësore. Merakun e lagështirës e kemi mbaruar pjesën përpara, tani jemi rreth e qark shkollës. Pastaj do bëjmë kanalizimet. Punët janë drejt përfundimit. Javës tjetër themi se do e mbarojmë”, tha Arjani.
“Kjo është shkolla të cilës i ishim në borxh edhe prej cilësisë së punimeve të mëparshme. Kjo është shkolla e fundit në njësinë administrative Tërbuf që ne duhet të bënim dhe ja dolëm, po e cojmë deri në fund. Dhuratë për nxënësit dhe mësuesit në ditën e tyre për të pasur kushte sa më të mira mësimdhënie pikërisht këtu”, tha Braçe.
Presidenti Bajram Begaj ka uruar të gjithë mësuesit shqiptarë kudo ku ndodhen në ditën e tyre sublime. Begaj shkruan se mësimdhënia është një mision sublim.
“Sot, në Ditën e Mësuesit, unë dhe Armanda duam të urojmë të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ata ndodhen për këtë ditë të shënuar!
Ne, gjatë jetës sonë kemi pasur privilegjin të ushtrojmë edhe mësimdhënien, ndaj e dimë mjaft mirë se sa mision sublim është të mësosh, të edukosh dhe të përçosh dije tek të rinjtë.
Në këtë 7 Mars, është e udhës të urojmë të gjithë mësuesit që kanë lënë një shenjë tek ne, që na kanë ndihmuar të bëhemi profesionistë më të zotë, njerëz më të mirë e qytetarë më të denjë për shoqërinë ku ne jetojmë.
Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar, si drejtuesin e parë të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Koto Hoxhin, motrat Qiriazi, si edhe qindra mësues që ishin pionierët e arsimit shqiptar.
Së fundmi, falenderoj dhe të gjithë mësuesit shqiptarë në diasporë, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme në përçimin e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë vendit.
Gëzuar ditën tuaj mësues të dashur dhe faleminderit nga zemra!”- shkruan Begaj.
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka uruar 7 marsin me pikturën e një nxënëseje në klasën e 7-të që tregon një vajzë të diplomuar ndërsa në brendësi është me mësuesen që kontribuon në dijet e saj.
“MIRËMËNGJES
Gëzuar "7 Marsin" mësues të dashur, me përulësinë e mirënjohjen më të madhe ndaj Jush”, shkroi Rama.
Deputetja Monika Kryemadhi ka uruar ditën e mësuesit përmes një postimi në Facebook.
"Për të gjithë ju mësues kudo në Shqipëri një urim i veçantë, për sakrificën dhe punën tuaj të palodhur në edukimin e gjeneratës së re", shkroi Kryemadhi.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit.
“7 Marsi, Festa e Mësuesit, është një ditë mirënjohjeje.
Për mësueset e mësuesit që vit pas viti, ditë pas dite, orë pas ore, me energjitë, talentin, vizionin dhe dashurinë e tyre përgatisin dhe edukojnë brezat e rinj, për të ndërtuar të ardhmen!”, shkruan Nikolla.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka uruar mësuesit në këtë 7 mars. Sipas ministres, mësuesit me misionin e tyre edukojnë fëmijët, mbjellin ëndrra dhe i frymëzojnë ata çdo ditë.
‘Gëzuar 7 Marsin dhe mirënjohje për ju të dashur mësues! Ju me misionin tuaj edukoni fëmijët tanë, mbillni ëndrra dhe i frymëzoni ata çdo ditë! Kjo video u realizua me kontributin e veçantë të nxënësve nga Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë, Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Shkolla Artistike “Jan Kukuzeli” Durrës, Shkolla e Baletit dhe Gjimnazi “Qemal Stafa” Tiranë.’- shkruan ministrja Kushi.
Po dhe nje dite te mire gjeme e katran nxjerr nga goja o Berishe! Edhe Meta u tregua i kujdesshem me deklaratat e tij,kurse ti ke harruar te jetosh e te gezosh, je bere si Lenini,qe jetonte e mendonte vetem per nje gje-revolucion!
Përgjigju7 Marsi kjo dite kaq e bukur per te gjithe mesuesit shqiptare qe sot e festojn brenda dhe jasht Shqiperis.Festohej dhe festohet aq bukur plot me lule ,dhurata dhe gezim nga mesuesit, prinderit, femijet, nxenesit studentet dhe te gjithe urojme nje jete sa me te bukur per nje Shqiperi te mrekullushme e veshur si gjithmone ne te kuqe!Gezuar!
Përgjigju