Avokati Idajet Beqiri ka hedhur akuza të forta ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv.

Beqiri tha se misioni i Berishës ka qenë prej kohësh anti-shqiptar. Sipas avokatit, Berisha ka bërë dhe po vijon të bëjë çmos që Shqipëria të mos anëtarësohet në Bashkimin Europian para Serbisë. Ai shtoi se Serbia po lufton Shqipërinë përmes Berishës në Tiranë dhe Strasburg.

“Misioni i Berishës është anti-shqiptar. Misioni i tij i tillë ka qenë që kur erdhi në krye të opozitës dhe pastaj në qeverisje, ku e bëri shkrumbë e hi Shqipërinë, duke vrarë, grabitur dhe vjedhur. Berisha këtë mision do ta çojë deri në fund. Është një mision i paralajmëruar prej kohësh. Shqipëria kurrën e kurrës sipas mendësisë së Berishës nuk duhet të jetë para Serbisë në BE. Serbia lufton me Sali Berishën në Tiranë dhe Strasburg”, tha mes të tjerash Beqiri.

Më tej avokati Beqiri tha se në Tiranë ndodhet një fabrikë që prodhon molotovë dhe bomba për llogari të Sali Berishës, me qëllim që kryedemokrati dhe militantët e tij t’i përdorin në protesta. Duke i cilësuar militantët e Berishës si anëtarë të një organizate kriminale, ai tha se në urdhrat e kryedemokratit, para viteve 2000 u vranë mbi 200 persona në Tropojë.

Beqiri nuk i ndali me kaq akuzat ndaj Berishës, por shtoi se kreu i PD-së i ka marrë historikisht komandat nga Millosheviçi (diktatori dhe krimineli serb që urdhëroi vrasjen e mijëra shqiptarëve të Kosovës) dhe sipas tij, ende sot e kësaj dite ndjek këshillat e tij.

“Në një fabrikë në Tiranë që prodhohen molotovë dhe bomba dhe për turpin e botës Policia nuk e gjen këtë fabrikë ku është. Anëtarët e organizatës kriminale të Saliut, pra Hamasi i tij, edhe nesër do të bëjnë ritualin e tyre. Në Tropojë nuk vajti Berisha që t’i vriste 200 vetë, por e bëri banda e tij. Kjo kategori e ndjekin akoma edhe sot Berishën. Saliut i ka ngelur ora te Millosheviçi. Berisha komandat i merrte nga Millosheviçi. Ata në Serbi janë zbutur pas Millosheviçit, ndërsa Berisha nuk zbutet”, vijoi më tej Beqiri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:06
‘Berisha është 500 mijë vota më pak’- Avokati Beqiri: Kërkon të destabilizojë Shqipërinë, 200 mijë qytetarë vdiqën si pasojë e veprimeve të tij në 1997

 

Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar se kryedemokrati Sali Berisha e di edhe vetë se sot PD është në kuotën e 500 mijë votave më pak nga zgjedhjet e vitit 2021.

Komentet Beqiri i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se qëllimi i vetëm i Berishës sot është që të qëndrojë në krye të PD-së, si dhe të shitet në sytë e ndërkombëtarëve sikur po lufton korrupsionin.

Ai shtoi gjithashtu se Berisha kërkon destabilizimin e Shqipërisë dhe sipas Beqirit, më shumë se 200 mijë shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e ‘Piramidave’, të krijuara sipas tij me urdhër të ish-Presidentit të kohës, Sali Berishës.

“Berisha është i bindur që ka vajtur në 500 mijë vota më pak. Por ai ka 2 qëllime, që në 23 maj të rikonfirmohet edhe njëherë si kryetar i PD-së. Por nga ana tjetër ai mban ngrehur gjithmonë çështjen e destabilizimit të Shqipërisë. Berisha krijon kauza false sikur po lufton korrupsionin. Saliu është një super i korruptuar, që u ka vjedhur xhepat shqiptarëve.

Berisha bëri grabitjen e jashtëzakonshme të 200 mijë shqiptarëve. 200 mijë shqiptarë ose vranë veten, ose vdiqën nga infarkti. Ose u mbytën nëpër dete, që të venin të zinin paratë që u mori ky nga firmat piramidale. Saliut hiqi vetëm 3 ditë mediat, mos ja jep mikrofonin në gojë për tre ditë, po nuk vdiq Saliu, atëherë hajde dhe më thoni mua që t’i s’qenke normal me këtë deklaratë që ke bërë”, tha mes të tjerash Beqiri.