Berisha-Meta, fushatë si në një film të Felinit

Berisha-Meta, fushatë si në një film të Felinit

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Ilir Meta është një politikan pragmatist dhe i zgjuar. Rreth një çerek shekulli më i ri se miku i tij i vjetër e i papunë Sali Berisha, ende-presidenti Meta duket se i ka hapur krahun krahun tërësisht Doktorit në këto zgjedhje të pjesshme të 6 marsit. E ka kthyer ish-kryeministrin në violinën e parë të koalicionit Shtëpia e Lirisë, duke i lejuar të filtrojë në krye të listave edhe kandidatët që ka dashur. Ka lejuar me koshiencë ta kthejë procesin zgjedhor ne një aferë private mes palëve në PD, pasi e di fort mirë se këto zgjedhje vlejnë de facto diçka më shumë se një sondazh televiziv i të enjtes mbrëma.

Fanfara elektorale Berisha-Meta është ndër krijesat më kurioze të viteve të fundit në politikën shqiptare. Tre formacione politike, njëri  prej të cilëve zyrtarisht i paligjshem për autoritetet zyrtare të zgjedhjeve, janë bashkuar formalisht nën siglat e LSI-PDK. Dy bashkëkryetarë tërheqin karron e zgjedhjeve, njëri në Presidencë e tjetri me tabelën “Non grata” mbi shpinë, duke u përpjekur jo të mundin qeverinë, por të rrëzojnë opozitën e mbetur zyrtare.  Një mishmash i denjë për një film të Felinit, një Pazar oriental ku secili kërkon të shesë mallin e vet, duke i bërtitur në fytyrë shokut që ka pranë e duke i shkelur këmbët. LSI nuk shfaqet askund, Ndoka me siguri nuk e ka marrë vesh ende që ka zgjedhje, kurse Lulzim Basha flet për inceneratorët dhe reformën territoriale. Të vetmit që sillen sikur ka fushatë janë Berisha dhe Meta. Për arsye të kuptueshme e ndjejnë se edhe kjo farsë elektorale pa peshë, mund t’ju hedhë ndonjë rreze drite në cepin e errët ku ndodhen.

Ndërsa kryeministri ka luksin të organizojë me qetësi ceremoni inaugurimi në Nju Jork për pjesëmarrjen e vendit në Këshillin e Sigurimit, duke shpërfillur totalisht faktin që në 6 mars ka zgjedhje në Shqipëri, opozita kacafytet në distancë me leckat e saj. Në këtë luftë “plebenjsh” bien në sy një kryetar shteti dhe një ish-president e ish-kryeministër, të cilët lakojnë nga mëngjesi në darkë termin “sovranitet” (kupto kthim shpine të huajve për inat të Sorosit dhe ambasadores amerikane!). Duken aq qesharakë dhe jashtë kohe, sa edhe të sinqertë në hallin e tyre.

Është padyshim më e pavlera dhe më e habitshmja fushatë elektorale që ka parë Shqipëria në 30 vjet, hiq mynxyrat elektorale të viteve 96-97, ku fillimisht votonte Vehbi Alimuçaj, e më pas Zani Çaushi.

Është gjithashtu një  fushatë e cila ka një vlerë të vetme politike: të mbajë gjallë ose të shoqërojë në banesën e fundit Foltoren e Doktor Berishës. Nëse Berisha fiton Shkodrën apo Dibrën, ka me se ta kalojë pezmatimin që i la humbja e thellë politike e 8 janarit.

Sa për Lulzim Bashën, ai sërish s’ka lidhje me këto zgjedhje. Atë që deshi e arriti në 8 janar, aty ishte sfida dhe beteja e tij. Në 6 mars do të dalë para demokratëve dhe do të jusstifikohet për humbjen e bashkive me togëfjalëëshin “fajin e ka 8 janari”, duke u kujdesur të ngrysë shikimin dhe të trashë zërin. Si aktor s’ja merr askush, si politikan ja marrin edhe nxënësit e fillores!

Është e shëndetshme që qeveria të humbë ndonjë bashki në 6 mars. Fundja pse i duhen hallet e dibranëve apo vorakëve me asfaltin dhe kanalizimet. A nuk i dalin mbi 50 bashkitë që ka?! Nëse donim të shihnim sesa e lodh Edi Ramën pushteti i tepërt, shihni me sa dëshirë po hiqet mënjanë garës aktuale. Përjashto Durrësin, do t’i falte megjithë qejf bashkitë e tjera opozitës. Natyrisht duke u kujdesur që përfituesit Basha-Berisha-Meta të merrnin mjaftueshëm dhe në mënyrë proporcionale, për të mbetur politikisht të gjallë pas 6 marsit, por edhe pa i marrë frymën njëri-tjetrit.

Një fushatë elektorale brenda opozitës nuk ishte parë ndonjëherë. Qoftë e fundit, sepse një qeveri që qëndron jashtë zgjedhjeve, e mërzitur  dhe e nginjur me pushtetin që ka, është gjithmonë një qeveri që produktin e ka të keq. Dhe qeveria e Ramës nuk bën aspak përjashtim nga ky rregull i pashkruar.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë