Berishën e Bashën i ka zënë ‘mallkimi’ i Olldashit, s’ka derman as për PD

Berishën e Bashën i ka zënë ‘mallkimi’ i Olldashit, s’ka derman as për PD

Lulzim Basha, Sokoll Olldashi dhe Sali Berisha

Fillimi i janarit të këtij viti u “përurua” me një ngjarje të pazakontë politike, e cila nuk ishte parë jo vetëm në Shqipëri por në asnjë vend të botës. Madje as të botës së tretë. Selia e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike u bë ‘arenë’ e një përplasjeje të fortë mes dy grupeve rivale për të marrë zyrën dhe lidershipin e saj, të kryesuar nga njëra anë prej Lulzim Bashës kreut zyrtar të PD dhe në anën tjetër nga Sali Berisha, ish kryetar i PD dhe ish kryeministër i vendit, i rikthyer tashmë nga ‘pensioni’ politik për të pretenduar drejtimin e PD.

Më 8 janar vendin e përballjes politike e zyri përballja fizike mes demokratëve, ku palët ishin vendosur në të dy anët e dyerve të blinduara të selisë së PD buzë Lanës, në përpjekje për të “zaptuar” zyrën e kryetarit të partisë dhe ngulur “flamurin: e vet në kulmin e godinës.

Ajo që panë shqiptarët live, u transmetuan dhe në shumë media të botës, ishin pamje të frikshme. Mbështetësit e Berishës të armatosur me mjetet rrethanore po hapnin me dhunë dyert e selisë së PD, ndërkohë që nga brenda mbështetësit e Bashës u përgjigjeshin me gaz lotsjellës.

U desh ndërhyrja e policisë dhe Gardës për t’i dhënë fund kësaj maskarade dhe shpërndarë turmat e irrituara të Berishës, të cilët dhanë “spektakël” në këtë ngjarje të pazakontë.

Basha mundi të “mbijetonte” bashkë me mbështetësit e tij brenda selisë së blinduar të PD-së, ndërkohë që turma e Berishës u largua duke “premtuar” se do të kthehet sërish për të zbatuar “verdiktin” e anëtarësisë sipas tyre, që konvergon me largimin e Lulzim Bashës së shkarkuar me referendum, nga zyra e kryetarit.

Nuk po hyjmë më shumë në detaje pasi kronikat e përditshme e kanë pasqyruar në detaje të gjithë ngjarjen, duke përcjellë edhe me pamje filmike gjithçka ka ndodhur në këtë përplasje të pazakonte për një parti politike.

Ka pasur dhe komente, shpeshherë duke bërë tifo për palën e preferuar në këtë sherr masiv partiak që ka shpërthyer dhe tashmë është në zenith në PD, duke analizuar se kush ka të drejtë ose jo, e duke përcaktuar madje dhe fituesin në këtë “betejë epike”, siç e kanë cilësuar shpesh nëpër panelet televizive apo dhe në mediat online, panelistët e të gjitha palëve.

Mbështetësit e quajnë epike qëndresën e Bashës në seli dhe përballimin e mësymjes së Berishës dhe mbështetësve të tij më 8 janar. Basha qëndroi vërtetë, kuptohet edhe me ndihmën e Gardës dhe të policisë që ka për detyrë të ruajë jetën e njerëzve që po punonin aty.

Pavarësisht akuzave që shpërthyen nga Gaz Bardhi më pas, kur turma ishte shpërndarë dhe rreziku i Berishës kishte ikur, pasi policia ishte ajo që iu përgjigj alarmit “SOS” të Bashës dhe të tijve, teksa turma me varre, qysqi dhe mjete të tjera gërryese po afrohej drejt zyrës së kryetarit dhe sallës së deputetëve, duke rrezikuar jetët e tyre seriozisht. E thanë dhe vetë!

Ndërkohë që pala tjetër e quajnë epik “intervenimin” e Berishës në seli dhe se sipas tyre vetëm mbështetja e Ramës për Bashën e shpëtoi këtë të fundit nga nxjerrja zvarrë “me pekule” prej zyrës së kjryetarit të PD. Me një fjalë, kjo është punë tifozësh si gjithnjë në Shqipëri.

Në të vërtetë më 8 janar të këtij viti, megjithëse Basha ia doli të qëndronte në selinë e partisë ndërsa Berisha s’arriti ta merrte “kalanë” e Bashës, ka ndodhur ajo që kemi paralajmëruar kohë pas kohe: Partia Demokratike në këtë ditë nënshkroi vdekjen e saj politike.

Selia e PD nuk është partia, demokratët aty ishin në armiqësi me njëri tjetrin si kurrë ndonjëherë më parë, ishin gati të vrisnin njëri tjetrin për liderët e tyre Berisha dhe Basha. “Buka” është thyer dhe ajo nuk ngjitet kurrë, për më tepër që është armiqësuar baza!

PD ka pushuar së ekzistuari përtej perimetrit të selisë së PD buzë Lanës, s’ka rëndësi kush e ka vulën dhe zyrat, apo kush ka anëtarësinë jashtë perimetrit të godinës së ish SHQUP-it.

Nuk janë thjeshtë të përçarë por të armiqësuar për vdekje. Pasi kanë ndodhur dhe më parë ndarje në këtë parti, por secili ka ngritur “folenë” e vet politike, duke lënë dhe një mundësi afrimi në të ardhmen. Tashmë PD është shuar përfundimisht. Kanë mbetur dy kampe militantësh në shërbim të liderëve të tyre, të Bashës që nuk u bë kurrë lider dhe Berishës që ka perënduar me kohë e vakt si lider, pa asnjë mundësi rikuperimi në të ardhmen. Por që për 16 vite të dy bashkë e kanë “mjelur” këtë parti deri në skadencë, duke i lënë vetëm “kockat”.

Tashmë në PD s’ka më frymë, as shpresë, aq të nevojshme për një parti politike për të mobilizuar anëtarësinë dhe më tej elektoratin, në përballjet zgjedhore me kundërshtarin politik. Tani në PD, kauza kryesore që prevalon është: Kush do të kapë selinë qëndrore të partisë buzë Lanës.

Dhe e keqja nuk ka filluar as në shtator të vitit të kaluar dhe as më 8 janar të këtij viti. Këto momente janë vetëm pasojat e asaj që është ‘mbjellë’ vit pas viti në PD dhe që po ‘korren’ tani.

E keqja në krye të herës ka filluar që në vitin 1991, kur në krye të kësaj partie erdhi Sali Berisha. I cili pavarësisht se drejtonte një parti antikomuniste, e qeverisi PD dhe vendin sa herë iu dha rasti, me metodat më të egra komuniste, të trashëguara nga Enver Hoxha.

Për të ekzekutuar kundërshtarët politikë nuk e linte bota, por burgosjen nuk ua ndau duke filluar nga Fatos Nano ish lideri i opozitës së asaj kohe. Madje për pak futi në burg dhe të vetët për aferën e ‘Drurit të Arrës’. Ish ministrat Rexhep Uka dhe Genc Ruli për pak përfunduan në qeli.

Për të “kompensuar” sadopak mungesën e burgosjes së kundërshtarëve brenda PD, Sali Berisha aplikoi me sukses përjashtimet nga strukturat e forumet drejtuese të kësaj partie. Duke filluar nga Azem Hajdari, dhe përfunduar tek Dash Shehi dhe Genc Pollo. Asnjëherë nuk pati paqe në PD.

Mallkimi i të gjithë të përjashtuarve me sa duket ka zënë Berishën që nuk po bën hajër as tani në pleqërinë politike dhe biologjike.

Duke qënë se shpirti del me vesin, Berisha nuk hoqi dorë nga ndërhyrja në garën e PD edhe kur humbi zgjedhjet në vitin 2013 dhe dha dorëheqjen nga kryetar i kësaj partie. Përzgjodhi Lulzim Bashën në krye të partisë, pavarësisht se nga lidershpi i PD por dhe anëtarësia, Basha cilësohej si një “mish i huaj” në parti. Që nuk ngjiti në 8 vitet e qeverisjes së PD, ku punoi për vete dhe për “babain” politik.

Dhe në garën për postin e kryetarit mes Sokol Olldashit, i ndjerë tashmë pasi disa muaj më vonë humbi jetën në një aksident të mistershëm automobilistik, dhe Lulzim Bashës, Berisha mbështeti këtë të fundit, pavarësisht se të gjithë ishin të bindur se Olldashi ishte i duhuri për PD.

Kërcënime të anëtarësisë, manipulime të hapura në favor të Bashës, bënë që i përzgjedhuri i Berishës, ai që nuk e prishte as gjumin e mëngjesit për punë, të zgjidhej kryetar i PD. Basha ishte zgjedhur me kushtin që me të të ishte dhe Berisha, sikurse qëndroi dhe për 9 vite të tjera tutor i tij në PD. Deri në shtator të vitit të kaluar, kur Berisha u shpall “non grata” nga SHBA.

Largimi i Olldashit nga jeta dhe përjashtimi vit pas viti i të gjitha figurave bëri që Lulzim Basha të mbetej alternativa e vetme mes kandidaturave dhe pas humbjes së gjashtë përballë Ramës në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar. Basha kishtë mësuar nga “babai” i tij politik pikërisht elementët më negativë: përjashtimin e kundërshtarëve dhe mos-pranimin asnjëherë të humbjes!

Pas ndarjes së Olldashit nga jeta, në shënjestër të Bashës me mbështetjen e Berishës u vunë dhe mbështetësit e tij, duke filluar nga Astrit Patozi e Jozefina Topalli, e përfunduar tek Ritvan Bode dhe Mesila Doda. Ndërkohë që lëvizën të gjithë krerët e rretheve, aq sa sot ende askush nuk e di se kush drejton në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Vlorë apo Korçë apo Berat. Emërimi nga kryetari fiton prioritet në raport me zgjedhjen e krerëve të degëve të PD apo dhe të strukturave qëndrore të partisë.

Olldashi e kishte paralajmëruar se kjo do të ndodhte. Vetëm tre ditë para se të ndahej nga jeta kishte deklaruar se kush është Lul Basha do të shihet në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe ato parlamentare të vitit 2017. Atëherë do të flasim, nënvizonte Olldashi asokohe, pasi të shohim rezultatin dhe nëse humb të respektojë standardin e vënë nga Berisha, që dha dorëheqjen pas humbjes përballë Ramës.

Olldashi nuk arriti të shihte humbjen e Bashës në këto dy palë zgjedhje që i kishte paralajmëruar, pasi u nda nga jeta në fund të vitit 2013, por profecia e tij u vertetua. Megjithëse kishte “menduar me zë të lartë” teksa paralajmëroi largimin e Bashës pas humbjeve të radhës, duke treguar se zgjedhja e Berishës për “birin” e tij politik kishte qënë e gabuar. Pasi ishte jo vetëm i paaftë por dhe njeri që nuk njihte asnjë skrupull për karrigen e tij.

Me sa duket Bashën dhe Berishën i ka zënë “mallkimi” i Sokol Olldashit, të cilit i mohuan fitoren me të padrejtë, aq sa sot “babë” e “bir” politik nuk po kacafyten vetëm politikisht, por kanë kapur “hunjtë” ndaj njëri tjetrit dhe po përplasen deri fizikisht bashkë me mbështetësit e tyre në derën e selisë së partisë, për ta “pushtuar” atë.

Është një mallkim i rëndë me sa duket ky, aq sa jo vetëm Berisha e Basha nuk do bëjnë hajr asnjëherë, por as PD sa të ketë drejtues të dy pjesëve të saj këta dy politikanë, nuk do të gjejë kurrë më derman.

Në PD s’ka asnjë fitues, por vetëm një humbës dhe humbësi më i madh  është vetë PD, është opozita shqiptare. Tashmë është koha për një opozitë të re, përtej Berishës, Bashës por dhe vetë PD, që më 8 janar pushoi së funksionuari. Vonë është, por opozita ka nevojë për një “strehë” të re, pasi në selinë buzë Lanës ka plasur lufta! Dhe luftës të gjithë i largohen, është jo rentabël!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kujtim: 11/01/2022 07:40

    Mos na e beni Olldashin burre te mire se dhe ai nje super i korruptuar ka qene.

    Përgjigju
  • GAZMEND M.: 10/01/2022 23:25

    Supozoni ekuacionin PD si PD=(10*B)*(6*K)*(1*L). Këtu B është Berisha, K është Sokol dhe L është për Luli Brava. Në këtë ekuacion, nëse vlera K bëhet "zero" (nuk ekziston), sa do të jetë vlera e PD? Kushdo që zgjidh këtë ekuacion për vlerën K=0, do të arrijë rezultatin e duhur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin