Festivali i 76-të Ndërkombëtar i Filmit, Berlinale, e ka shndërruar kryeqytetin gjerman, Berlin, në qendrën e filmit global deri më 22 shkurt. Festivali u çel me filmin No Good Men të regjisores afgano-gjermane Shahrbanoo Sadat. Paralelisht po zhvillohet edhe ‘European Film Market’, një hapësirë kyçe për industrinë, ku takohen producentë, distributorë dhe kineastë ndërkombëtarë, përfshirë edhe përfaqësues nga Shqipëria dhe rajoni.

Edhe pse me një industri modeste filmi, Shqipëria ka qenë e pranishme ndër vite në Berlinale, kryesisht përmes bashkëprodhimeve evropiane. Sipas profesionistëve të fushës, këto platforma janë thelbësore për ndërtimin e rrjeteve dhe krijimin e projekteve të reja.

“Tashmë siç e kemi bërë publike këtu në Berlinale shpresojmë që në tetor e nëntor të këtij viti të vijmë në Shqipëri e në Kosovë e gjithashtu dhe në Zvicër. Kam takuar nga Shqipëria shumë producentë të rinj, që kanë ardhur të promovojnë filmat e tyre”, tha producenti Florim Bajshori.

Bajshori bën me dije se një nga idetë e diskutuara është organizimi i workshop-eve në Shqipëri dhe Kosovë, për të lehtësuar lidhjen e kineastëve të rinj me tregun ndërkombëtar.

“Një prej ideve që kam propozuar është të bëjmë një serial, që më shumë të jetë promovues sesa serial televiziv, që të tregojmë vendet e Shqipërisë dhe kapacitetet e kulturës që ofron Shqipëria”, theksoi ai.

Interesi për bashkëpunim me Shqipërinë vjen edhe nga producentë ndërkombëtarë, mes tyre edhe producenti belg Marc-Henri Wajnberg.

“Kur isha 9 vjeç kam qenë në Shqipëri si pionier. Më kujtohet kur vizitoja gjithë vendet: Qetësohu! Gatitu! Më kujtohet edhe si t’i thuash shoferit të ecë më shpejt: Shpejt, shpejt! Kam vizituar shumë vende, si pallati i mbretit Zog, kampi i pionierëve ‘Qemal Stafa’, disa vende afër detit, disa fabrika. Kam shumë kujtime dhe për mua Shqipëria ishte një fshat i madh. Sot e di që ka ndryshuar shumë dhe do të më bënte shumë përshtypje nëse do ta vizitoja, por do të vij së shpejti”, deklaroi producenti belg.

Wajnberg shprehet se planifikon bashkëpunime konkrete me producentë shqiptarë.

“Sapo kam përfunduar një film dhe do të isha i lumtur nëse do të shfaqej në Shqipëri, si dhe të prodhoj filma të tjerë me producentë shqiptarë. Kam qenë në Shqipëri gjatë pushimeve. Kam një mik, një producent shqiptar shumë të mirë, Andamionin, dhe së bashku do të prodhojmë një film për fëmijët shqiptarë që kanë vuajtur në kampe përqendrimi gjatë periudhës së komunizmit”, shtoi ai.

Festivali i Filmit në Berlin mbetet një pikë referimi për dialog kulturor dhe bashkëpunim ndërkombëtar, ndërsa për kinemanë shqiptare, prania në Berlinale përkthehet në mundësi konkrete për bashkëprodhime që kalojnë kufijtë.