Në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, u zhvillua këtë të enjte, Liturgjia Hyjnore për Lindjen e Krishtit. Mesha e Shenjtë u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, bashkë me klerikë të kryepeshkopatës.
Gjatë fjalës së tij Fortlumturia e tij tha se vetëm prania e Zotit mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ndër të tjera ai theksoi se mishërimi është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njerëzimit
“Mishërimi është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njerëzimit. Krishti fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë dhe na bashkon me perëndinë gjë që një mësues apo profet nuk e bën dot kurrë .Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne.
Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë.
Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë. Për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore
Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi. Gëzuar Krishtlindjen dhe për shumë vjet”, përfundoi ai.
Lajmi kryesor:
Gëzuar Krishtlindjen! Besimtarët lutje e mesazhe në meshë! Kryepeshkopi Joan: Bota ka nevojë për dritën e Krishtit! Dodaj: Ecim me shpresë përballë çdo zhgënjimi










