Godina në plazhin e Durrësit e fituar me gjyqe të dyshimta nga familja Kapedani në kohën e PD-së. Por shteti i vendosur të mos e dorëzojë. Ndërkohë vila po shkatërrohet
 
Është blloku i fundit i mbetur nga koha e komunizmit. Zona rezidenciale në plazhin e Durrësit, ndërtuar në kohën e mbretit Zog, që u përzgjodh më pas nga nomenklatura komuniste për të kaluar pushimet dhe ku qytetarët e thjeshtë nuk mund të hynin, pas 25 vitesh demokraci ende vijon të mbetet e mbyllur për publikun. E rrethuar nga një pyllnajë e dendur dhe e mbrojtur nga ushtarakë të Gardës, ende sot, ashtu si dhe para 30 vjetësh, për të hyrë aty të duhet një leje e posaçme.

Kjo zonë vazhdon të konsiderohet si zonë qeveritare, edhe pse, nga 29 vila, ku dikur kalonin pushimet verore Enver Hoxha dhe ministrat e tij, vetëm gjashtë prej tyre kanë mbetur ende në pronësi të shtetit.

23 të tjerat, që nga viti 1993, janë privatizuar dhe pjesërisht rikonstruktuar, duke u kthyer në vende pushimi (nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit) për biznesmenë dhe VIP-a shqiptarë.

Paradoksi në atë, që ka qenë dikur nje prej simboleve të pushtetit dhe privilegjeve të Enverit, është se e vetmja vilë e mbetur ende totalisht e braktisur është pikërisht ajo, ku banonte ish-diktatori. Është Vila numër 5, me sipërfaqe 500 metra katrorë, me dy kate, në breg të detit, me një pamje mahnitëse, ndërtuar në fillim të viteve ’30, me parket në dysheme dhe mermere luksoze italiane në shkallare dhe madje edhe në banjat, por që tani është lënë në degradim dhe braktisje.   

Kjo, jo pse asnjë nuk interesohet për të. Përkundrazi, vila e diktatorit është bërë objekt i të paktën dy plaçkitjeve: asaj të vitit 1997, kur vandalët e sulmuan, duke vjedhur mobilje dhe duke shqyer nga muret madje edhe kaloriferët. Por edhe i asaj të gjyqtarëve, të cilët, që nga viti 1995 e deri më sot, vazhdojnë të debatojnë lidhur me atë se kush është pronari i saj i vërtetë.

Si shumë ndërtesa të tjera me vlerë në Shqipëri, edhe ish-vila e Enver Hoxhës në Durrës ndodhet në fakt në qendër të një konflikti të ndërlikuar gjyqësor mes shtetit dhe ish-pronarëve (të pretenduar) të saj. Pronësinë e vilës e kërkon Shyqyri Kapedani dhe tetë familjarë të tjerë, të gjithë trashëgimtarë të Sulejman Kapedanit, kreut të një familjeje të pasur të Durrësit, pronare e shumë trojeve, si dhe gjysh i Admir Kapedanit, i cili në vitin 1995 ishte zëvendësministër dhe kryetar i Partisë Demokratike të Durrësit, kur vendin e drejtonte Sali Berisha. 

enver hoxha faksimile
(Faksimile e regjistrit hipotekor të vitit 1939 ku rezulton që Sulejman Kapedani ja ka shitur pronën e vet në plazhin e Durrësit Legatës Jugosllave për 600 franga ari)

Historia nis pikërisht më 1 shkurt 1995, kur Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin me objekt ‘Vërtetimin e faktit juridik të pronësisë’, ka bërë njohjen e së drejtës së pronësisë (palës së paditur) të subjektit Sulejman Ahmet Kapedani mbi vilën dykatëshe ne ish-bllokun, mbi një sipërfaqe toke prej 500 m², të cilat i janë njohur dhe kthyer më vonë këtij subjekti nëpërmjet vendimit nr. 797, datë 01.04.1995 të Kthim-Kompensimit të Pronave Durrës. Vendimi i mësipërm i Gjykatës është bazuar vetëm në një dokument hipotekor dhe në thëniet e dëshmitarëve, të cilët, në kohën kur janë zhvilluar ngjarjet, edhe mund të mos kishin lindur fare.

Sipas Avokaturës së Shtetit, që sot kundërshton vendimin, ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave “ka kthyer një pronë, e cila, sipas ligjit, klasifikohet si e pakthyeshme dhe, si e tillë, nuk mund të ndryshojë pronar”.

evner hoxha
(Faksimile e vërtetimit të hipotekës së Durrësit të vitit 2005 i cili tregon regjistrimin e ish-vilës së Enver Hoxhës në Durrës si pronë e shtetit Jugosllav.Sipas dokumentit regjistrimi në regjistrin e ri hipotekor mban numrin 163 datë 09/06/1993)

Pak muaj pasi u mor vendimi që i kthente pronësinë Sulejman Kapedanit (dhe rrjedhimisht nëntë trashëgimtarëve të tij) mbi ish-vilën e Enverit, ndërhyn Shërbimi i Kontrollit të Shtetit (SHKSH, sot KLSH), i cili, pas një kontrolli tek Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës, zbulon vendimin mbi këtë vilë, e cilëson atë të paligjshëm dhe i kërkon Gjykatës që ta anulojë.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin e saj nr. 31, datë 14.01.1998, ka vendosur “Pranimin e kërkesë padisë së paditësit SHKSH-së, duke anuluar vendimin nr. 797, datë 01.04.1995 të ish-K.K.K. Pronave pranë Bashkisë Durrës”.

Por ping-pongu mes gjykatave vazhdon dhe vetëm gjashtë muaj më pas (më 26 qershor 1998), Gjykata e Apelit Durrës anulon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
Kalon një vit dhe skenari ndryshon sërish: Më 15 qershor 1999 Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i jep të drejtë për herë të dytë familjes Kapedani, duke detyruar palën e paditur - Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Tiranë, për kthimin e vilës nr. 5, parcela nr. 60, në bllokun e Shërbimeve Qeveritare në Plazh Durrës, pronësi e trashëgimtarëve të Sulejman Kapedanit, e përcaktuar kjo në aktin e pronësisë nr. 625, datë 5 prill 1995.

Gjithashtu, po kjo Gjykatë, më këtë vendim, ka vendosur “detyrimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare t’u paguajë trashëgimtarëve të Sulejman Kapedanit 114.968 dollarë, që rrjedhin nga detyrimet e kontratës së qirasë të lidhur midis tyre dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për periudhën 1997-1999”.

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka ngritur përsëri padi në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, me palë të paditur trashëgimtarët e Sulejman Kapedanit, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe me ndërmjetës kryesor Ambasadën e Republikës së Serbisë, duke kërkuar anulimin e vendimit të parë, të vitit 1995, të drejtuesve të Kthim-Kompensimit të Pronave Durrës, që edhe SHKSH e kishte cilësuar si të paligjshëm.

Si Gjykata e Shkallës së Parë, ashtu edhe Apeli, vendosin në disfavor të shtetit dhe konfirmojnë se pronësia mbi ish-vilën e Enver Hoxhës i takon familjes Kapedani.
Por ende nuk është vendosur asgjë, pasi më 2 qershor 2014 Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vendosi prishjen e vendimit nr.366, datë 24.09.2009, të Gjykatës së Apelit Durrës dhe dërgimin e çështjes në po atë Gjykatë, me tjetër trup gjykues. Seanca tjetër, ndoshta vendimtare, pritet të zhvillohet pas pak ditësh.

Po pse del në skenë, sikurse pamë, në procesin e ish-vilës së Enverit, Ambasada e Serbisë në Tiranë? Sipas dokumenteve të siguruara nga zyra juridike e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (e cila administron më se 50 rezidenca qeveritare në gjithë vendin), Sulejman Kapedani më 19 korrik 1933 e kishte blerë nga Drejtoria e Financës së Durrësit për 150 franga ari truallin prej 500 metrash katrorë, parcela numër 60, në plazhin e Durrësit “për vende banjo”.

Më 20 gusht 1936 vërtetohet ndërtimi i vilës, e cila në atë kohë duket se ndoshta i është dhënë me qira Legatës Jugosllave. Më 8 qershor 1939 Kapedani ia shet Legatës Jugosllave, sipas dokumenteve, me çmimin 600 franga ari. Shitja regjistrohet pranë Zyrës së Hipotekës, me numër repertori 7238 dhe numër koleksioni 4844, të vitit 1939. Në Hipotekën e Durrësit deri në vitin 2005 në zonën kadastrale nr. 8518, që korrespondon me parcelën e famshme 60, rezulton e regjistruar një pronë prej 500 metrash katrorë në emër të shtetit jugosllav.

Pra, sipas shtetit, “Sulejman Kapedani nuk është shpronësuar nga shteti për këtë pronë, as në vitin 1945 e as më vonë, pasi ai nuk ka qenë pronar i saj pas vitit 1939”. Kështu që, si pasojë, nuk ka të drejtë për asnjë kompensim.

Familja Kapedani, në të kundërt, e kundërshton këtë, duke pretenduar se në vitin 1936 vlera e vilës llogaritej në 18.000 franga ari dhe nuk është e mundur që të jetë shitur për vetëm 600 franga ari, sikurse rezulton në regjistrat e Hipotekës. 

Në dokument nuk evidentohet shitja e vilës, e cila ishte ndërtuar tre vjet më parë, por theksohet vetëm shitje e pronës dhe ndoshta kjo është një shifër e deklaruar qëllimisht e ulët, për të zvogëluar masën e tatimit për kalimin e pronësisë. Megjithatë, gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe pastaj ata të Apelit u kanë besuar, por Gjykata e Lartë e prapësoi vendimin, duke akuzuar Gjykatën e Durrësit se nuk ka zhvilluar hetim të thelluar dhe të rregullt. Kështu, ka urdhëruar që çështja të gjykohet edhe një herë tjetër nga një kolegj tjetër, gjithnjë në Gjykatën e Apelit Durrës.

Sipas gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, “Gjykata, duke mbajtur parasysh konkluzionet e mësipërme të këtij vendimi, qoftë edhe kryesisht, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor, nëpërmjet të cilit të verifikojë e të evidentojë me argumente ecurinë e të drejtës së pronësisë mbi pasurinë objekt gjykimi ndërmjet palëve ndërgjyqëse, trashëgimtarëve të Sulejman Kapedanit dhe Ambasadës Serbe në Republikën e Shqipërisë, në se e drejta e pronës mbi pronën objekt gjykimi ka kaluar apo jo në favor të Legatës Jugosllave; të verifikojë e analizojë vlefshmërinë e notave të transkriptimit, që disponon secila palë ndërgjyqëse, në harmoni me ligjin e kohës dhe me provat në tërësi, për këtë duhet të përcaktojë me vendim për secilën palë faktet që duhet të provohen prej tyre, provat që lejohen të paraqiten nga secila palë veçmas, vlerën provuese të secilës provë, si dhe barrën e provës për secilën palë.”

Dyshimi është se, ashtu sikurse ka ndodhur në qindra raste të tjera në Shqipëri, vendime jotransparente u kanë dhënë privatëve prona të shtetit. Dyshim ky, që këtë rast rëndohet nga fakti se përfituese është një familje pranë Partisë Demokratike dhe se në vendimet në favor të saj janë marrë gjithnjë në periudhat kur Partia Demokratike ka qenë në pushtet.

Trupi i ri gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Meriban Mullai, Desart Avdulaj dhe Arjan Balliu, pas disa ditësh duhet të vendosë (ndoshta) përfundimisht në se ish-vila e Enver Hoxhës i takon familjes Kapedani apo do të qendrojë për gjithnjë si pronë shtetërore. 

Me shpresën se, në fund të këtij procesi, dikush do të merrej me restaurimin e kësaj vile, me të cilën lidhet një copë historie e këtij vendi.
(c.b.)
 
 
Pretendentët, familja Kapedani nga Ulqini tek qeveria “Berisha”
Familja Kapedani nga Durrësi i ka rrënjët e saj në qytetin e Ulqinit në Mal të Zi. Kjo familje është pjesë e 100 familjeve ulqinake, të cilat u vendosën në qytetin e Durrësit në vitet e para të shekullit të kaluar. Shumica e këtyre familjeve janë marrë kryesisht me detari, si në Ulqin, ashtu edhe në Durrës.

Edhe familja Kapedani ka qenë një familje detarësh këtu dhe 100 vjet  të shkuara. I pari i tyre që u vendos në Durrës ka qenë Ahmet Kapedani. Ardhja e tij daton në vitet kur ende nuk ishte shpallur pavarësia e vendit tonë. Ai u emërua komandant i flotës tregëtare shqiptare nën flamurin turk.

Pinjolli i Ahmetit ka qenë Sulejman Kapedani, i cili, në periudhën post-Turqisë dhe në kohën e Mbretit Zog, është marrë me menaxhimin e një agjencie detare, që angazhohej me përpunimin e anijeve tregëtare, me spedicion dhe me komisione, po për çështjet detare. Këtë punë ai e kreu edhe pas Çlirimit të vendit, deri në vitet kur aktivitetet private u shtetëzuan nga qeveria komuniste dhe u ndërprenë përfundimisht.

Familja Kapedani që nga koha e Turqisë e më pas arriti të bëhej pronare banesash dhe trojesh në qytetin e Durrësit. Sulejmani është ndarë nga jeta përpara ndryshimeve demokratike që ndodhën në vendin tonë. Ai la pas 5 fëmijë,3 djem dhe 2 vajza.

Njëri ndër nipërit e Sulejmanit është Admir Kapedani, me profesion mësues matematike. Pas ndërrimit të sistemit, Admiri për disa vite drejtoi Partinë Demokratike dega Durrës. Ka qenë zëvendësministër i  Arsimit në vitet ’90. Ai ka qenë edhe nënkryetar i Komisionit Zgjedhor në vitin 1996.

Familja ka arritur të marrë pronat e veta, sikurse janë banesat te ish-amfiteatri, te muri rrethues i Portit, si dhe trojet te ish-muzeu arkeologjik dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave.
vila

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit

ish-vila enverit
 Foto të tjera..

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)