Biden nënshkruan ligjin për financimin e qeverisë, shmanget mbyllja e pjesshme e saj

Biden nënshkruan ligjin për financimin e qeverisë, shmanget mbyllja e pjesshme e saj

Joe Biden

Presidenti Joe Biden nënshkroi ligjin që shmangu mbylljen e pjesshme të qeverisë ndërsa afrohen festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Nënshkrimi nga presidenti u jep fund ditëve të pasigurisë në kryeqytetin e vendit pasi Kongresi miratoi një plan dypartiak për buxhetin pak pas skadimit të afatit, që nuk përfshinte kërkesën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të rritur tavanin e borxhit.

Legjislacioni siguron financimin e qeverisë në nivelet aktuale deri më 14 mars dhe parashikon 100 miliardë dollarë ndihmë për fatkeqësitë natyrore dhe 10 miliardë dollarë ndihmë bujqësore për fermerët.

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, Senati i SHBA miratoi projekt-ligjin mbi shpenzimet për të financuar qeverinë amerikane deri në mars.

Të dy dhomat e Kongresit, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët dhe Senati i kontrolluar nga demokratët, duhej ta miratonin projektligjin për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë.

Votimi në Senat me 85 vota pro dhe 11 kundër, pasoi votimin në Dhomën e Përfaqësuesve, pas dy përpjekjeve të dështuara. Votimi në këtë dhomë ishte 366 në favor dhe 34 kundër. Të gjitha votat kundër u hodhën nga republikanët.

"Jemi entuziastë me këtë rezultat," tha zoti Johnson pas votimit, duke shtuar se ai kishte folur me zotin Trump dhe presidenti i zgjedhur "ishte gjithashtu i kënaqur me rezultatin".

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve arritën një marrëveshje mes tyre për një propozim të ri më herët të premten. Përpjekja e fundit për të shmangur mbylljen e qeverisë erdhi pasi republikanët në Kongres dështuan të enjten të miratonin një projekt-ligj për shpenzimet të mbështetur nga zoti Trump që do të kishte rritur tavanin e borxhit, gjë që Presidenti i zgjedhur e kishte kërkuar në minutën e fundit.

Dhjetra republikanë votuan kundër projektligjit të së enjtes dhe vetëm dy demokratë e mbështetën atë. Plani i ri është i njëjti me atë që dështoi të enjten, përveç pjesës për pezullimin e tavanit të borxhit.

Problemet për zotin Johnson filluan këtë javë kur ai braktisi një marrëveshje financimi dypartiake që kishte arritur me demokratët pasi zoti Trump dhe miliarderi Elon Musk e kritikuan planin.

Edhe pse Dhoma e miratoi projektligjin, financimi i qeverisë teknikisht do të kishte skaduar në mesnatën e së premtes. Megjithatë, pjesa më e madhe e pasojave nga mbyllja e saj nuk do të hynte në fuqi deri të hënën.

Mbyllja më e gjatë në histori e qeverisë amerikane zgjati 34 ditë, nga dhjetori 2018 deri në janar 2019, kur presidenti i atëhershëm Trump refuzoi të nënshkruante çdo projekt-ligj që nuk përfshinte disa miliardë dollarë për një mur përgjatë kufirit të SHBA-së me Meksikën. Ajo përpjekje ndikoi tek ulja e mbështetjes për të./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty